Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i ndihmojmë të rinjtë të përballojnë vështirësitë

T’i ndihmojmë të rinjtë të përballojnë vështirësitë

T’i ndihmojmë të rinjtë të përballojnë vështirësitë

BOTA, mënyra e saj e jetesës dhe moda e saj kanë ndryshuar vazhdimisht. Kryesisht, për shkak të teknologjisë moderne, sot ndryshimet janë edhe më të dukshme. Ajo që dje ishte në modë, sot quhet demode, dhe për atë që preferohet sot, nesër do të thuhet se i ka ikur koha. Këto ndryshime të shpejta ndikojnë shumë te të rinjtë.

Revolucion shoqëror

Vitet e fundit teknologjia ka sjellë një revolucion që ka ndikuar mjaft te të rinjtë. Për shembull, në shumë vende celulari dhe kompjuteri janë bërë një mjet i pazëvendësueshëm për lidhjet shoqërore mes adoleshentëve. Sitet e rretheve shoqërore kanë hapur një botë të re mundësish. «Në jetën reale mund të mos kesh edhe aq miq, por ja, papritur, gjen me qindra në Internet»,—thotë një vajzë 19-vjeçare nga Australia.

Zor se mund të mohohen dobitë e shumta të celularit dhe të Internetit. Megjithatë, duket sikur shumë njerëz janë të fiksuar pas tyre. Donald Roberts, pedagog në universitet, thotë se disa studentë «nuk rrinë dot pa folur me celular gjatë atyre pak minutave të pushimit midis leksionit të orës 10 dhe atij të orës 11». Ai thotë: «Më duket sikur nuk ndihen mirë po të mos kenë diçka që i nxit; është sikur thonë ‘nuk e duroj dot heshtjen’.»

Madje disa të rinj e pranojnë se janë bërë të fiksuar. «Nuk rri dot pa celular dhe pa komunikuar me mesazhe në Internet, sepse këto më lidhin me shoqërinë,—thotë Stefania 16-vjeçare.—Sa hyj në shtëpi, lidhem menjëherë me Internetin dhe rri . . . ndonjëherë deri në 3 të mëngjesit.» Fatura mujore e telefonit për Stefaninë shkon nga 100 deri në 500 dollarë. «Deri tani,—thotë ajo,—u kam borxh prindërve më shumë se 2.000 dollarë për shpenzimet shtesë. Prapëseprapë jam mësuar kaq shumë ta kem celularin gjithë kohës me vete, saqë nuk bëj dot pa të.»

Problemet nuk janë vetëm financiare. Gjatë një studimi për jetën familjare, antropologia Elinora Oks pa se, kur burri ose gruaja vinte nga puna, bashkëshorti dhe fëmijët shpesh ishin kaq të përqendruar tek ajo që po bënin, saqë në çdo 3 raste, 2 herë as nuk përshëndetnin. Ata nuk i shqitnin sytë nga pajisjet elektronike. «Gjithashtu, pamë se sa e vështirë ishte që prindërit të depërtonin në botën e fëmijëve»,—thotë Oksi. Ajo shton se gjatë studimit, vunë re se prindërit stepeshin dhe largoheshin nga fëmijët që i kishte përpirë ajo që po bënin.

Rrethet shoqërore në Internet: A janë të padëmshme?

Shumë prindër dhe mësues shqetësohen për kohën që të rinjtë kalojnë duke komunikuar në ato që quhen rrethe shoqërore në Internet. Këto janë site interneti që u japin mundësi anëtarëve të krijojnë një faqe në Internet dhe të vënë aty fotografi, video dhe ditare. Faqe të tilla quhen shkurtimisht blogs.

Një nga gjërat tërheqëse të këtyre siteve është se u mundësojnë anëtarëve të lidhen me shokët. Tjetra është që, krijimi i një faqeje në Internet, e lejon të riun të shprehë identitetin e tij, «të shprehë mendimin e tij». Kuptohet përse kjo është tërheqëse, pasi adoleshenca është koha kur njeriu nis të njohë veten, dhe fillon t’i shprehë ndjenjat në mënyrë të atillë që të ndikojë te të tjerët.

Megjithatë, problemi që lind në këtë rast është se disa individë paraqiten në këto faqe interneti me një identitet imagjinar, duke u shfaqur siç dëshirojnë të jenë, jo siç janë. «Në klasë kam një djalë që thotë se është 21 vjeç dhe jeton në Las Vegas»,—thotë një djalë 15-vjeçar. Që të dy këta djem jetojnë gati 1.600 km larg këtij qyteti të SHBA-së.

Një mashtrim i tillë ndodh shpesh. «Në Internet mund të bësh çdo gjë,—thotë një 18-vjeçare australiane.—Mund të hiqesh sikur je krejt ndryshe, sepse askush nuk të njeh në të vërtetë. Ndihesh i sigurt në vetvete. Mund të sajosh gjëra që të dukesh tip më interesant. Mund të vësh fotografi ku ke dalë me rroba që nuk do t’i vishje kurrë ose duke bërë gjëra që në realitet nuk do t’i bëje kurrë. Mund të shkruash gjëra që nuk do t’i thoshe kurrë po të ishe ballë për ballë me tjetrin. Të duket sikur çfarëdo që të bësh, mund t’ia hedhësh pa u lagur, sepse je i fshehur. Asnjeri nuk e di se kush je në të vërtetë.»

Siç ndodh me çdo mjet komunikimi, edhe rrethet shoqërore në Internet mund të përdoren për një qëllim të pranueshëm, por edhe mund të keqpërdoren. Si prindër, a e dini se çfarë bëjnë fëmijët tuaj në Internet? A po kujdeseni që ata të shfrytëzojnë kohën me mençuri? * (Efesianëve 5:15, 16) Për më tepër, keqpërdorimi i Internetit mund ta vërë të riun përballë rreziqeve serioze. Cilat janë disa prej tyre?

Ana e errët e Internetit

Anonimiteti bën që Interneti të jetë një terren ku pedofilët mund «të gjuajnë» fëmijët. Të rinjtë e fëmijët mund të bien në grackë pa e kuptuar, nëse japin të dhëna personale ose lënë takim me një njeri, me të cilin kanë mbajtur lidhje në Internet. Sipas librit Linja e urgjencës në ndihmë të prindërve (anglisht), disa njerëz thonë se «fëmijët rrezikojnë më shumë të pësojnë dhunë dhe abuzime në shtëpitë e tyre ose në këndin e lojërave». Më tej në libër thuhet: «Gjithashtu, shumë prindër e shohin shqetësues faktin që maniakët seksualë kanë mundësi të vijnë në shtëpitë e tyre me anë të ekranit dhe të ndotin pafajësinë e fëmijëve të tyre.»

Teknologjia e komunikimit është shfrytëzuar edhe në forma të tjera. Disa të rinj janë përfshirë në «sulmet psikologjike në Internet», që nënkuptojnë talljet pa fre, dëbimin nga një grup shoqëror, ngacmimet ose kërcënimet. Disa faqe në Internet janë krijuar vetëm e vetëm për të poshtëruar dikë. Gjithashtu posta elektronike, chat-rooms e të tjera si këto, janë përdorur për të përhapur shpifje. Drejtori i një grupi sigurie në Internet mendon se 80 për qind e fëmijëve të moshave nga 10 deri në 14 vjeç janë prekur drejtpërdrejt ose tërthorazi nga sulmet psikologjike në Internet.

Vërtet që sulmet psikologjike nuk janë diçka e re. Por sot, thashethemet dhe shpifjet mund të përhapen shumë më larg dhe shumë më shpejt. E shpesh bëhen edhe më të liga. Në disa raste, ndoshta në dhomën e zhveshjes në shkollë ose në dush, celularët me kamera janë përdorur për të bërë fotografi ose filmime të pahijshme e që mund të të vënë në siklet. Këto pamje janë futur në Internet dhe i janë dërguar një numri të pacaktuar njerëzish që mezi i presin këto gjëra.

Shqetësimi publik në rritje

Këto çështje e shtynë Departamentin e Ligjit e të Sigurisë Publike në Nju-Xhersi, SHBA, t’u dërgonte një letër prindërve dhe kujdestarëve duke u bërë thirrje: «Na ndihmoni të përballojmë një problem që po shfaqet lidhur me përdorimin e papërshtatshëm të Internetit nga fëmijët, si brenda ashtu edhe jashtë shkollës.» Në letër shprehej një shqetësim i veçantë për futjen në Internet të informacioneve dhe fotografive personale. Sitet që nxjerrin gjëra të tilla shpesh janë si magnet për të rinj e të rritur të paskrupull. Në letër thuhej: «Si prind duhet të dish se shqetësimi rreth këtyre çështjeve është shumë real dhe se mund të luash një rol të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve të tu, duke u informuar më shumë e duke qenë më i vetëdijshëm se si e përdorin ata Internetin.»

Megjithatë, disa prindër dinë fare pak rreth asaj që bëjnë në Internet fëmijët e tyre. Një nënë, që e mbikëqyr me kujdes vajzën e saj 16-vjeçare kur futet në Internet, thotë: «Prindërit do të tmerroheshin dhe do të viheshin në siklet po ta dinin se çfarë dërgojnë dhe çfarë diskutojnë fëmijët e tyre në Internet.» Sipas një specialisteje për sigurinë në Internet, disa të rinj dërgojnë fotografi goxha joshëse nga ana seksuale.

Ndikimi i dëmshëm

A vjen gjithë ky alarm thjesht nga frika e sëmurë e disa të rriturve të merakosur që e kanë harruar se ç’do të thotë të jesh adoleshent? Statistikat flasin ndryshe. Mendoni pak: në disa vende, gati një e treta e djemve dhe e vajzave nga mosha 15 deri në 17 vjeç kanë pasur marrëdhënie seksuale. Më shumë se gjysma e atyre që janë në moshën 13 deri në 19 vjeç thonë se kanë kryer seks oral.

A është përgjegjëse edhe teknologjia për këto statistika tronditëse? Pa dyshim që po. «Celularët dhe Interneti, që u mundësojnë adoleshentëve një privacitet si kurrë më parë, ua bëjnë po kaq të lehtë atyre që ‘të lidhen sa për një natë’»,—thotë një artikull në revistën New York Times Magazine. * Vërtet, të lësh një takim sekret me dikë të seksit tjetër, është kollaj fare, mjafton të shtypësh disa butona në tastierën e kompjuterit. Gjatë një ankete, më shumë se 4 në çdo 5 vajza pohuan se nuk tregohen aq të kujdesshme sa duhet në Internet.

Disa që kërkojnë në Internet një të dashur ose ndonjë variant ‘sa për një natë’, «marrin» më shumë nga ç’presin. ‘Kemi parë se përdhunimet janë shtuar’,—thotë Xhenifer Uelçi e Departamentit të Policisë në Novato të Kalifornisë. Ajo thotë se shumë viktima në fillim lidhen me sulmuesin nëpërmjet Internetit, dhe pastaj lënë takim me të.

Kujdes nga ‘mençuria e botës’!

Në gazeta dhe revista, artikujt që flasin për adoleshentët, në përgjithësi janë tolerantë kur trajtojnë çështjen e të rinjve dhe seksit. Ndonëse e miratojnë idenë e virgjërisë dhe të pastërtisë morale, synimi i tyre kryesor është t’i inkurajojnë të bëjnë seks «të sigurt», dhe jo të mos bëjnë seks. Me sa duket, ndiqet ky arsyetim: ‘Nuk i ndalojmë dot, kështu që, të paktën i mësojmë të jenë të përgjegjshëm.’

Në një artikull të një siti të respektuar për adoleshentët, çështja të bëje ose jo seks përmblidhej vetëm në trajtimin e tri faktorëve: (1) rreziku i shtatzënisë, (2) rreziku i sëmundjeve të transmetuara seksualisht dhe (3) rëndësia që të dyja palët të jenë gati emocionalisht. «Në fund, je ti që vendos»,—thuhej në sit. Kurse nevoja për të biseduar për çështje të tilla me prindërit, trajtohej shkarazi. Dhe as nuk përmendej fare nëse është e drejtë apo e gabuar të kesh marrëdhënie seksuale.

Në rast se je prind, me siguri dëshiron që fëmijën tënd ta drejtojë diçka më e mirë sesa ‘mençuria e botës’ që është e marrë e s’mund t’i zihet besë. (1 Korintasve 1:20) Si t’i ndihmosh ata që të ecin në udhë të mbarë gjatë adoleshencës dhe të ruhen nga rreziqet e shqyrtuara në këtë artikull? Përgjigja nuk është kaq e thjeshtë sa t’u fikësh kompjuterin ose t’u marrësh celularin. Rrallë ndodh që zgjidhje të tilla sipërfaqësore t’u prekin zemrën. (Proverbat 4:23) Gjithashtu, merr parasysh që fëmijët e tu ndoshta i përdorin pajisje të tilla, si celulari dhe Interneti, për të plotësuar disa nevoja që ti si prind mund t’ua plotësosh shumë më mirë. Cilat janë disa nga këto nevoja?

[Shënimet]

^ par. 13 Në vend që t’i vënë vizën Internetit, është mirë që prindërit të njihen vetë me sitet që frekuentojnë fëmijët e tyre. Në këtë mënyrë, mund t’i ndihmojnë ata ‘të stërvitin aftësitë perceptuese për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’. (Hebrenjve 5:14) Këshillat e prindërve do t’u vlejnë shumë fëmijëve teksa rriten.

^ par. 23 Termi «lidhje sa për një natë» nënkupton të bësh seks sa për kënaqësi fizike pa asnjë lidhje emocionale.

[Diçitura në faqen 4]

«Sa hyj në shtëpi, lidhem menjëherë me Internetin dhe rri . . . ndonjëherë deri në 3 të mëngjesit»

[Diçitura në faqen 5]

«Në Internet mund të bësh çdo gjë. Mund të hiqesh sikur je krejt ndryshe, sepse askush nuk të njeh në të vërtetë»

[Diçitura në faqen 7]

«Prindërit do të tmerroheshin dhe do të viheshin në siklet po ta dinin se çfarë dërgojnë dhe çfarë diskutojnë fëmijët e tyre në Internet»

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Rrethet shoqërore Një vajzë tregon . . .

«Nisa të përdor faqen e shkollës sonë në Internet për të komunikuar me nxënës dhe mësues. E fillova me një orë në javë, por s’kaloi shumë dhe hyja çdo ditë në Internet. U bëra kaq e fiksuar saqë, edhe kur nuk isha në Internet, mendjen e kisha aty. Nuk përqendrohesha dot në asgjë tjetër. Ngela prapa me mësime, nuk e kisha mendjen gjatë mbledhjeve të krishtere, e madje nuk ua varja as miqve të mi. Si përfundim, prindërit e kuptuan se ç’po ndodhte dhe ma kufizuan Internetin. Më ra si bombë. Më hipën nervat. Por tani jam e kënaqur që gjërat rrodhën kështu dhe nuk e kam më këtë problem. Nuk dua të bëhem më kurrë e fiksuar.»​—Bianka.