Rënie e befasishme e normave morale
Rënie e befasishme e normave morale
SIPAS jush, kur filloi rënia e befasishme e normave morale? Gjatë jetës suaj apo në kohën e të afërmve ose e miqve më të mëdhenj në moshë? Disa thonë se Lufta I Botërore, që shpërtheu në vitin 1914, shënoi fillimin e një epoke të karakterizuar nga një rënie morale e paparë. Profesori i historisë Robert Vol shkroi në librin e tij Brezi i 1914-s (anglisht): «Ata që e përjetuan luftën do të jenë gjithnjë të bindur se në gusht të vitit 1914 mori fund një botë dhe filloi një botë tjetër.»
«Normat e sjelljes shoqërore, që tashmë ishin në rënie, u prishën kudo,—thotë historiani Norman Kantor.—Nëse politikanët dhe gjeneralët i trajtuan si kafshë për thertore ata miliona njerëz që ishin nën pushtetin e tyre, atëherë cilat norma fetare ose etike do t’i ndalonin njerëzit që të mos e trajtonin njëri-tjetrin me egërsinë e bishave të xhunglës? . . . Kasaphana e Luftës I Botërore [1914-1918] ia uli plotësisht vlerën jetës njerëzore.»
Në veprën e tij të gjerësishme Përmbledhje e historisë (anglisht), historiani anglez H. Xh. Uellsi tha se pikërisht pas pranimit të teorisë së evolucionit, «pati një prishje të moralit». Pse? Disa mendonin se njeriu është thjesht një kafshë më e lartë. Uellsi që për vete ishte një evolucionist, shkroi në vitin 1920: «U vendos që njeriu është një kafshë shoqërore si qeni indian i gjuetisë . . . , kështu që u dukej e drejtë që qentë e mëdhenj të kopesë njerëzore të sulmonin e të nënshtronin.»
Vërtet, siç tha edhe Kantori, Lufta e Parë Botërore pati një ndikim shkatërrimtar në konceptin e njerëzve lidhur me të moralshmen. Ai shpjegoi: «Çdo gjë e brezit të mëparshëm u quajt e gabuar—politika, veshja dhe qëndrimi ndaj seksit.» Kishat, të cilat i ndotën mësimet e krishtere duke përkrahur teorinë e evolucionit dhe duke i nxitur palët luftuese, ndikuan shumë në rënien morale. Frenk Krozhëri, një gjeneral brigade anglez, shkroi: «Kishat e krishtere janë muzat më të afta për të ngjallur etjen për gjakderdhje dhe ne i shfrytëzuam lirshëm fare.»
Flakin kodin e normave morale
Në dhjetëvjeçarin pas Luftës I Botërore, gjatë të ashtuquajturave «të bujshmet vite 20», normat e vjetra dhe kufizimet morale u hodhën poshtë dhe u zëvendësuan me qëndrimin se çdo sjellje është e pranueshme. Historiani Frederik-Ljuis Alen tha: «Dhjetë vitet që pasuan luftën mund të quhen me vend ‘dekadë e sjelljes së keqe’. . . . Bashkë me rendin e vjetër u zhduk një grup vlerash që e kishin pasuruar dhe i kishin dhënë kuptim jetës, e tani nuk ishte e lehtë të gjeje vlera të tjera zëvendësuese.»
Kriza e Madhe që përfshiu botën në vitet 30, çoi shumë njerëz në kulmin e varfërisë, dhe kjo i bëri ata të kthjelloheshin. Por nga fundi i asaj dekade, bota hyri në një luftë tjetër edhe më shkatërrimtare, në Luftën II Botërore. S’kaloi shumë dhe shtetet nisën të prodhonin armë shkatërrimtare të frikshme, duke e nxjerrë botën me shpejtësi nga kriza ekonomike, por duke e zhytur në vuajtje dhe tmerre që njerëzimi as i kishte imagjinuar. Nga fundi i luftës, qindra qytete përfunduan në një pirg gërmadhash. Në Japoni, dy bomba atomike shkatërruan dy qytete. Miliona vdiqën në kampet e kobshme të përqendrimit. Kjo luftë mori jetën e rreth 50 milionë burrave, grave dhe fëmijëve.
Në rrethanat e tmerrshme të Luftës II Botërore, në vend që të ndiqnin normat tradicionale, njerëzit nxorën kodet e veta morale. Në librin Dashuria, seksi dhe lufta—Vlera që ndryshojnë 1939-1945 (anglisht) thuhej: «Gjatë luftës dukej sikur u pezullua çdo kufizim seksual, pasi ajo që konsiderohej e lejueshme në frontin e luftës, depërtoi edhe në jetën jashtë frontit. . . . Urgjenca dhe pështjellimi i luftës i gërryen shpejt kufizimet morale dhe jeta në shumë vende dukej po aq pa vlerë dhe e shkurtër sa edhe në frontin e betejës.»
Rreziku i vazhdueshëm i vdekjes e shtoi dëshirën e njerëzve për lidhje emocionale, qofshin këto edhe kalimtare. Duke u përpjekur të justifikonte tolerancën seksuale gjatë atyre viteve dramatike, një grua në Britani tha: «Nuk ishim vërtet imoralë, por jashtë bëhej luftë.» Një ushtar amerikan pohoi: «Sipas normave të shumë njerëzve ne ishim imoralë, por ishim të rinj dhe mund të vdisnim të nesërmen.»
Shumë të mbijetuar nga ajo luftë vuajtën nga tmerret që panë më sytë e tyre. Edhe sot e kësaj dite, disave prej tyre, përfshirë edhe individë që në atë kohë ishin fëmijë, u kthehen të gjalla në kujtesë fragmente të së kaluarës dhe përjetojnë sërish tmerrin që panë. Shumë humbën besimin dhe bashkë me të edhe busullën morale. Duke mos pasur respekt për ndonjë autoritet që mund të vendoste normat e së drejtës dhe të së gabuarës, njerëzit filluan ta shihnin çdo gjë si relative.
Norma të reja shoqërore
Pas Luftës II Botërore, u botuan studime lidhur me sjelljen seksuale. Një studim i tillë i bërë në Shtetet e Bashkuara në vitet 40, quhej «Raporti i Kinzit», me më shumë se 800 faqe. Si rrjedhojë, shumë njerëz filluan të flasin hapur për çështjet seksuale, për të cilat më parë në përgjithësi nuk diskutonin kaq lirshëm. Ndonëse statistikat në atë raport lidhur me ata që ishin homoseksualë ose kishin ndonjë sjellje tjetër seksuale të shtrembëruar më vonë u konsideruan të ekzagjeruara, studimi zbuloi se pas luftës morali kishte rënë mjaft.
Për njëfarë kohe, u bënë përpjekje për të ruajtur imazhin e sjelljes së hijshme. Për shembull, në radio, kinema dhe televizor hiqeshin materialet me përmbajtje imorale. Por kjo
nuk vazhdoi gjatë. Uilliam Beneti, dikur sekretar i arsimit në SHBA, shpjegoi: «Megjithatë, rreth viteve 60, në Amerikë filloi një rënie e ndjeshme dhe e pandërprerë drejt asaj që mund të quhej antiqytetërim.» Dhe kjo u pasqyrua në shumë vende të tjera. Përse rënia morale u përshpejtua në vitet 60?Gjatë asaj dekade, thuajse në të njëjtën kohë ndodhi lëvizja për emancipimin e gruas dhe revolucioni seksual me të ashtuquajturin moral të ri. Gjithashtu dolën kontraceptivët. Meqë njerëzit mund të kryenin marrëdhënie pa pasur frikën e ngjizjes, «dashuria e lirë» ose «marrëdhëniet seksuale pa ndonjë angazhim nga partnerët» u bënë diçka e zakonshme.
Në të njëjtën kohë, shtypi, kinemaja dhe televizioni i zbutën normat morale. Më vonë, Zbignjev Brezhinski, një ish-drejtues i Këshillit të Sigurimit Kombëtar të SHBA-së, tha për normat morale që përcilleshin nëpërmjet televizorit: «Duket qartë që ato ngrenë lart vetëkënaqësinë, bëjnë që dhuna e egër dhe mizoria të duken si normale, [dhe] nxitin shthurjen seksuale.»
Aty nga vitet 70 videot ishin përhapur mjaft. Në privacitetin e shtëpisë, tani njerëzit mund të shihnin materiale që tregonin hapur marrëdhënie seksuale imorale dhe që nuk do t’ia kishin lejuar kurrë vetes t’i shihnin në kinema. Kohët e fundit, me anë të Internetit, materiale pornografike nga më të ndyrat mund t’i shohë kushdo anembanë botës, mjafton të ketë kompjuter.
Në shumë aspekte, pasojat janë të frikshme. «Para dhjetë vjetësh,—tha një rojë në një burg të SHBA-së,—kur fëmijët e rrugës hynin në burg, mund të flitja me ta për të drejtën dhe të gabuarën. Por fëmijët që vijnë tani as që e kanë idenë se për çfarë po u flas.»
Ku mund të gjejmë drejtim?
Nuk mund ta kërkojmë drejtimin moral te kishat. Në vend që të mbajnë parime të drejta, siç bënë Jezui dhe dishepujt e tij në shekullin e parë, kishat janë bërë pjesë e kësaj bote dhe e ligësisë së saj. Një shkrimtar pyeti: «A mund të më thoni një luftë ku secila nga palët nuk ka pretenduar se Perëndia ishte me të?» Lidhur me respektimin e normave morale të Perëndisë, një klerik në Nju-Jork tha vite më parë: «Kisha është e vetmja organizatë në botë, ku kriteret për të hyrë janë më të ulëta se ato për t’u futur në autobus.»
Qartë, rënia e befasishme e normave morale të botës tregon se duhet bërë diçka patjetër. Po çfarë? Çfarë ndryshimi nevojitet? Kush mund ta bëjë dhe si do të realizohet?
[Diçitura në faqen 5]
«Kasaphana e Luftës I Botërore [1914-1918] ia uli plotësisht vlerën jetës njerëzore.»
[Kutia në faqen 6]
VIRTYTI DHE VLERAT MORALE
Dikur ajo që konsiderohej e virtytshme ishte e përcaktuar qartë. Një njeri ose ishte i ndershëm, besnik, i dëlirë dhe i respektuar, ose jo. Sot, termin «virtyt» e ka zëvendësuar termi «vlera morale». Por këtu ka një problem, siç thotë historiania Gertruda Himelfarb në librin e saj Shthurja morale e shoqërisë (anglisht): «Ndryshe nga vlerat morale, për virtytin nuk mund të thuhet . . . se çdo njeri ka të drejtën të zgjedhë se çfarë të konsiderojë virtyt e çfarë jo.»
Ajo thotë se vlerat morale «mund të jenë bindje, mendime, qëndrime, ndjenja, zakone, norma të mirësjelljes, parapëlqime, paragjykime madje edhe shije personale, pra çfarëdo gjëje që një individ, grup ose shoqëri vlerëson në një kohë të caktuar për çfarëdolloj arsyeje». Në shoqërinë e sotme liberale, njerëzit ndihen të justifikuar për të zgjedhur vlerat e veta morale, siç do të zgjidhnin ushqimet në supermarket. Po atëherë, ç’do të ndodhë me atë që është vërtet e virtytshme dhe e moralshme?
[Figura në faqet 6, 7]
Sa vjen e bëhet më e lehtë të gjesh materiale degjeneruese për t’u argëtuar