Rënie e normave morale në mbarë botën
Rënie e normave morale në mbarë botën
«KUDO ka mashtrime»,—thotë David Kallahani, i cili kohët e fundit nxori librin Shoqëria e mashtrimit (anglisht). Ai tregon se në Shtetet e Bashkuara, përveç formave të tjera të mashtrimit, vërehet edhe «mashtrimi që bëjnë studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme», «piratëria» në fushën e muzikës dhe të filmave, «vjedhja në vendin e punës», «mashtrimet e mëdha në shëndetësi» dhe përdorimi i steroideve në sport. Ai nxjerr përfundimin: «Shtoji këtyre edhe të gjitha llojet e shkeljeve etike dhe ligjore dhe, ja ku kemi një krizë morale me shtrirje të gjerë.»
Në gazetën The New York Times thuhej se uragani Katrina, që goditi Shtetet e Bashkuara në fund të vitit 2005, «krijoi terrenin për një nga shfaqjet më të jashtëzakonshme të fenomenit të operacioneve dhe skemave mashtruese në historinë moderne dhe nxori në pah ngathtësinë befasuese të burokracisë». Një senatore e SHBA-së tha: «Mashtrimet e bujshme, paturpësia e skemave mashtruese, shkalla e shpërdorimit të parave—e gjithë kjo situatë është tepër tronditëse.»
Natyrisht, ka edhe nga ata që tregohen të njerëzishëm. (Veprat 27:3; 28:2) Por shumë shpesh dëgjojmë: «Ç’leverdi kam unë? Ç’përfitoj?» Duket se është bërë normë mentaliteti «në fillim interesi im» ose «të hap sytë mos zhvas ndonjë gjë».
Në të kaluarën, degradimi flagrant i moralit dhe egoizmi janë cilësuar ndër faktorët e rënies së qytetërimeve të tilla, siç ishte Perandoria Romake. A mund të jetë situata e tanishme prelud i diçkaje më domethënëse? A po vërehet sot në çdo cep të botës ‘rritja e paligjshmërisë’, për të cilën Bibla paratha se do të ishte shenjë e përfundimit të këtij sistemi?—Mateu 24:3-8, 12-14; 2 Timoteut 3:1-5.
Rënie mbarëbotërore
Në gazetën Africa News të datës 22 qershor 2006 flitej për një «mbledhje ku u diskutua rreth abuzimit seksual dhe pornografisë» në lagjet e varfra të një zone në Ugandë. Artikulli thoshte se është «neglizhenca e prindërve ajo që ka çuar në përhapjen e prostitucionit dhe të abuzimit me drogën në këtë zonë». Në gazetë thuhej: «Oficeri i Departamentit për Mbrojtjen e Familjes dhe të Fëmijëve në policinë e Kauempes, zoti Dabanxhi Salongo, pohoi se abuzimi me fëmijët dhe dhuna në familje janë shtuar jashtëzakonisht.»
Sipas një mjeku në Indi, «shoqëria po humbet normat morale të trashëguara». Po në Indi, një regjisore tha se «kombinimi i shthurjes seksuale në rritje me përhapjen e abuzimit me drogën është një shenjë tjetër që tregon se India po zhytet në ‘batakun e Perëndimit’».
Hu Pejçengu, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Kineze të Seksologjisë në Pekin tha: «Më përpara, në shoqërinë tonë kishim një ndjenjë të së drejtës dhe të së gabuarës. Sot mund të bëjmë çfarë të duam.» Në një artikull në revistën China Today thuhej: «Shoqëria po bëhet gjithnjë e më toleruese ndaj marrëdhënieve jashtëmartesore.»
«Duket sikur të gjithë po zhvishen dhe po e përdorin seksin si mjet reklame,—thuhej kohët e fundit në gazetën Yorkshire Post të Anglisë.—Veç një brez më parë veprime të tilla mund të ndiznin indinjatën e njerëzve. Sot, nga çdo anë bombardohemi me lloj-lloj skenash seksuale, dhe pornografia është . . . bërë e pranueshme në shoqëri.» Gazeta shtonte: «Materiale që dikur konsideroheshin të lejueshme vetëm për ata mbi moshën 18-vjeçare, tani shpesh janë gjëra normale që shihen si familje dhe
sipas atyre që merren me fushata kundër pornografisë, shpesh ato u drejtohen hapur fëmijëve.»Në botimin The New York Times Magazine thuhej: «[Disa adoleshentë] flasin pa pikë problemi [për përvojat e tyre seksuale], sikur po diskutojnë për menunë e lokalit.» Në një revistë që jep udhëzime për prindërit e fëmijëve 8 deri në 12 vjeç (Tweens News) thuhej: «Me kaligrafinë e një fëmije, një vajzë kishte shkruar këtë mesazh drithërues: ‘Mami më shtyn të shoqërohem dhe të lë takime me djem e të bëj seks me ta. Jam vetëm 12 vjeçe . . . më ndihmoni!’»
Sa shumë kanë ndryshuar kohët! Në gazetën kanadeze Toronto Star thuhej se jo shumë kohë më parë «vetëm ideja që homoseksualët të bashkëjetonin lirisht ishte një skandal». Megjithatë, Barbara Frimeni, mësuese e historisë sociale në universitetin «Karlton», në Otava, thotë: «Sot njerëzit thonë: ‘Jeta private është jetë private. Nuk duam që të tjerët të futin hundët.’»
Është e qartë se vetëm në pak dekadat e kaluara, normat morale kanë rënë me shpejtësi në shumë vende në mbarë botën. Pse erdhën gjithë këto ndryshime rrënjësore? Si ndiheni ju personalisht për këtë? Çfarë tregojnë për të ardhmen këto ndryshime?