Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fruta e preferuar e parfumierëve

Fruta e preferuar e parfumierëve

Fruta e preferuar e parfumierëve

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

PARFUMET kanë një histori të gjatë. Në kohët biblike, kushdo që kishte mundësi, parfumoste shtëpinë, rrobat, shtratin dhe trupin. Ndër përbërësit e parfumeve ishin aloe, vaji i balsamit, kanella dhe bimë të tjera aromatike.​—Proverbat 7:17; Kënga e Solomonit 4:10, 14.

Esencat e nxjerra nga bimët janë ende baza e parfumerisë. Dhe ja ku kemi ardhur në Kalabri, rajoni më jugor i gadishullit Apenin, për të parë se ku prodhohet një prej këtyre përbërësve. Ndoshta fjalën bergamotë e dëgjoni për herë të parë, por thuhet se aroma e kësaj frute gjendet pothuajse te një e treta e parfumeve që shiten për gra dhe te gjysma e kolonjave për burra. Le t’ju prezantojmë me bergamotën.

Bergamota është një agrume gjithnjë e gjelbër. Lulet i lëshon në pranverë, kurse frutat e verdha me lëkurë të lëmuar, të mëdha gati sa portokallet, piqen në të dalë të vjeshtës ose në fillim të dimrit. Shumë specialistë thonë se bergamota është bimë hibride dhe origjina e saj nuk dihet mirë. Pemët e bergamotës nuk rriten në gjendje të egër në natyrë dhe nuk shtohen me anë të farave. Për t’i shumuar, kultivuesit duhet të marrin kalema të këtyre pemëve dhe të shartojnë bimë të një lloji të përafërt, siç është limoni i athët dhe nerënxa.

Për parfumierët, frutat e bergamotës kanë veçori të pashoqe. Në një libër ku flitet rreth kësaj teme, shpjegohet se esenca që nxirret prej tyre ka vetinë e rrallë që «të bashkojë aroma të ndryshme në një kombinim të qëndrueshëm, duke krijuar kështu një aromë të vetme, dhe t’i japë një freski të veçantë çdo përzierjeje». *

Kultivimi në Kalabri

Burimet historike tregojnë se bergamotat rriteshin në Kalabri të paktën që nga fillimi i shekullit të 18-të dhe se vendësit herë pas here ua shisnin esencën udhëtarëve që u binte rruga andej. Megjithatë, kultivimi për arsye tregtie mori shkas nga suksesi që pati shitja e kolonjës. Më 1704, Xhan-Paolo Feminisi, një emigrant italian në Gjermani, prodhoi një ujë tualeti që e quajti Akua admirabilis ose «ujë i admirueshëm». Përbërësi kryesor ishte esenca e bergamotës. Ky parfum u bë i njohur si eau de Cologne, që do të thotë «ujë Këlni», sipas qytetit ku u prodhua. Ndryshe u quajt thjesht kolonjë.

Pemishtja e parë me bergamota u mboll në Rexhio di Kalabria rreth vitit 1750 dhe të ardhurat e majme nga shitja e esencës së bergamotës, nxitën kultivimin e saj. Bergamotat kanë nevojë për mot të butë dhe të jenë të kthyera nga jugu, të mbrojtura nga erërat e ftohta të veriut. Nuk u pëlqejnë erërat e forta, ndryshimet e menjëhershme të temperaturës dhe lagështira e zgjatur. Kushtet e shkëlqyera klimatike ua ofron një rrip i ngushtë toke, vetëm 5 km i gjerë dhe 150 km i gjatë, afër bregut më jugor të gadishullit Apenin. Ndonëse po bëhen përpjekje që bergamotat t’i rritin edhe gjetkë, një pjesë e mirë e prodhimit botëror vjen nga provinca e Rexhio di Kalabrias. I vetmi prodhues tjetër i rëndësishëm është Bregu i Fildishtë në Afrikë.

Esenca eterovajore e bergamotës, një lëng i verdhë në të gjelbër, vjen nga lëkura e frutës. Metoda tradicionale për të nxjerrë këtë esencë ishte ta ndaje frutën përgjysmë, të hiqje tulin dhe ta shtrydhje lëkurën që esenca në formë piklash që dilte nga shtresa e jashtme me ngjyrë, të përfundonte në një sfungjer natyror. Për të nxjerrë vetëm 500 gramë esencë, duheshin rreth 100 kilogramë bergamota. Sot, pothuajse e gjithë esenca nxirret me makineri, që përdorin rula ose disqe të ashpra për t’u grirë lëkurën frutave.

Pak e njohur, por shumë e përdorur

Kjo frutë mund të njihet pak jashtë Kalabrisë, por siç thotë një burim, «për specialistët, bergamota është një fjalë magjike». Aroma e saj gjendet jo vetëm te parfumet, por edhe në produkte të tilla, si sapunë, deodorantë, pasta dhëmbësh dhe kremra. Si përbërës aromatizues, esencën e bergamotës e gjen në akullore, çajra, ëmbëlsira dhe pije. Falë vetisë që ka për të ndihmuar nxirjen, përdoret në produktet për nxirje. Për shkak të vetive antiseptike dhe baktericide ka gjetur përdorim në industrinë farmaceutike për përgatitjen e dezinfektuesve në kirurgji, okulistikë dhe dermatologji. Pektina e bergamotës, një lëndë që dallohet për vetinë mpiksëse, përdoret edhe për preparatet hemostatike dhe kundër diarresë.

Specialistët kanë veçuar rreth 350 përbërës të esencës së bergamotës që japin aromën e saj unike, si dhe shumë veti të tjera. E që të gjitha këto gjenden në një frutë të vetme.

Ka të ngjarë që shkrimtarët e Biblës të mos e kenë njohur bergamotën. Megjithatë, çdokush që ndalet të vërejë vetitë e këtyre agrumeve dhe mençurinë e Krijuesit të tyre, sigurisht që ka arsye për t’u bashkuar me fjalët e psalmistit: ‘Lëvdoni Jehovain ju drurë frutorë.’​—Psalmi 148:1, 9.

[Shënimi]

^ par. 6 Ashtu si disa njerëz kanë alergji nga pjalmi ose lulet, të tjerë janë alergjikë ndaj parfumeve. Zgjohuni! nuk reklamon ndonjë produkt të veçantë.

[Figura në faqen 25]

Esenca e bergamotës nxirret duke grirë lëkurën e frutave

[Burimi]

© Danilo Donadoni/​Marka/​age fotostock