Kush ka një laps?
Kush ka një laps?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI
ËSHTË i lirë, i lehtë pupël dhe e ke gati kur të duash. Mbahet fare mirë në xhep, nuk ka nevojë për korrent, nuk pikon kurrë dhe gjurmët e tij mund të fshihen. Me të fëmijët mësojnë të shkruajnë, me të artistët bëjnë kryevepra. Shumica prej nesh e mbajnë një të tillë në ndonjë vend ku mund ta marrin kollaj, kur duan të hedhin ndonjë shënim. Po, lapsi është një nga mjetet më të lira e më të përdorura për të shkruar. Historia interesante e shpikjes dhe e përmirësimeve që pasuan, zë fill me një zbulim të rastësishëm në një fshat të Anglisë.
Plumbi i zi
Në shekullin e 16-të, në faqen kodrinore të Boroudejlit, luginë në zonën liqenore të Anglisë Veriore, u gjetën nëntokë copëra të një lënde të zezë të çuditshme. Ndonëse ky mineral dukej si qymyrguri, nuk digjej; dhe kur shkruaje me të, linte një shenjë të shkëlqyeshme të zezë e që fshihej lehtë. Në fillim kjo lëndë u quajt me lloj-lloj emrash, si për shembull plumb i zi. Ngaqë kishte përbërje yndyrore, njerëzit i mbështillnin copat e kësaj lënde me lëkurë delesh dhe, kur ishte në formë shufrash të vogla, i mbështillnin me spango. Askush nuk e di se kush e vuri për herë të parë plumbin e zi në këllëfë druri, por aty nga vitet 1560, lapsat primitivë tashmë kishin hyrë në kontinentin evropian.
S’kaloi shumë dhe nisën gërmimet për nxjerrjen e plumbit të zi, që eksportohej për të plotësuar kërkesat e artistëve; dhe në shekullin e 17-të, ai përdorej pothuajse kudo. Në të njëjtën kohë, prodhuesit e lapsave eksperimentuan me plumbin e zi për të bërë një mjet shkrues më të mirë. Meqë plumbi i zi i Boroudejlit nxirrej kollaj dhe ishte safi, u bë shënjestër e hajdutëve dhe e tregut të zi. Për pasojë, në vitin 1752 parlamenti britanik nxori një ligj që dënonte me burg ose me syrgjynosje në ndonjë koloni ndëshkimore, këdo që vidhte plumbin e zi.
Në vitin 1779, kimisti suedez Karl V. Sheele bëri zbulimin befasues që plumbi i zi nuk ishte
aspak plumb, por një formë e butë e karbonit të pastër. Pas dhjetë vjetësh, gjeologu gjerman Abraham G. Verner e quajti këtë material grafit, nga fjala greke grafin që do të thotë «shkruaj». Po, ndryshe nga emri, lapsat e plumbit nuk përmbajnë fare plumb.«Udhëtimi» i lapsit
Për shumë vjet grafiti anglez ruajti monopolin e industrisë së prodhimit të lapsave, pasi ishte aq i pastër sa nuk kishte nevojë të përpunohej. Prodhuesit e lapsave në vende të tjera të Evropës nuk kishin grafit kaq cilësor. Për këtë arsye eksperimentuan metoda për të përmirësuar grafitin e lapsave. Inxhinieri francez Nikola-Zhak Konte bashkoi grafit të bluar me argjilë, dhe i dha përzierjes formën e shkopinjve që i poqi në furrë. Duke ndryshuar raportin e grafitit me argjilën, ai mundi të bënte grafite që jepnin nuanca të ndryshme të së zezës, një proces që përdoret ende sot. Në vitin 1795, Konteja fitoi të drejtën e patentës për këtë shpikje.
Në shekullin e 19-të prodhimi i lapsave u bë biznes fitimprurës. Grafiti u zbulua në disa vende, si në Siberi, Gjermani dhe aty ku sot është Republika e Çekisë. Në Gjermani dhe pastaj në Shtetet e Bashkuara u hapën mjaft fabrika. Mekanizimi i procesit dhe prodhimi në masë bëri që çmimet të uleshin, dhe nga fillimi i shekullit të 20-të, lapsat i përdornin edhe nxënësit e shkollave. Në atë kohë, në Shtetet e Bashkuara, lapsat quheshin «lapsa njëcentësh», me këllëfë druri të pangjyrosur.
Lapsi modern
Me gjithë ato miliarda lapsa që prodhohen çdo vit, lapsi është bërë një mjet elegant dhe i dobishëm për të shkruar dhe vizatuar. Një laps i drunjtë i zakonshëm mund të vizatojë një vijë 56 kilometra të gjatë dhe të shkruajë 45.000 fjalë. Me një veshje metalike ose plastike, lapsat portaminë kanë maja të holla që nuk kanë nevojë të mprehen. Në vend të grafitit, lapsat me ngjyra kanë bojëra dhe pigmente me lloj-lloj ngjyrash.
Universal, i fortë, i thjeshtë dhe efikas, lapsit të thjeshtë nuk i ka ikur aspak koha. Prandaj, edhe në vitet që do të vijnë, në shtëpi ose në punë, mund të dëgjoni dikë që pyet: «Kush ka një laps?»
[Kutia dhe figura në faqen 13]
SI FUTET GRAFITI NË LAPS?
Grafiti i bluar imët përzihet me argjilën dhe ujin, ngjeshet në një tub të ngushtë metalik dhe, kur del, duket si një makaronë spageti. Pasi thahet, pritet dhe piqet në furrë, grafiti zhytet në vaj të nxehtë dhe dyllë. Druri i lapsit zakonisht është cedër, pasi ky mprehet kollaj. Druri sharrohet në listela, që janë copa të sheshta me kanale dhe të trasha sa një gjysmë lapsi. Grafiti futet në kanalet e një listele dhe sipër saj ngjitet dhe presohet një listelë tjetër. Kur ngjitësi thahet, listelat dyshe priten dhe dalin disa lapsa. Pasi i jepet formë, smerilohet, lyhet dhe stampohet marka e prodhuesit dhe të dhëna të tjera, lapsi i lëmuar është gati për përdorim. Ndonjëherë në njërën anë i ngjitet një gomë.
[Burimi]
Faber-Castell AG
[Kutia dhe figura në faqen 14]
ÇFARË LAPSI TË PËRDOR?
Për të zgjedhur lapsin që ju duhet, shihni shkronjat ose numrat e shkruar anash, që tregojnë sa i fortë ose i butë është lapsi. Grafiti i butë shkruan më errët.
Shenja HB tregon grafit me butësi mesatare dhe këta lapsa kanë shumë përdorime.
Shenja B tregon se grafiti është më i butë. Një numër që i shtohet B-së, siç mund të jetë 2B ose 6B, tregon shkallën e butësisë: sa më i madh të jetë numri, aq më i butë është grafiti.
Shenja H tregon grafite më të forta. Sa më i madh të jetë numri, si 2H, 4H, 6H, etj, aq më i fortë është grafiti.
Shenja F tregon se lapsi ka një fortësi midis H-së dhe HB-së.
Në disa vende përdoren metoda të tjera. Për shembull në Shtetet e Bashkuara, lapsat që kanë numrin 2 janë njësoj si ata HB. Sipas kësaj metode, sa më i madh të jetë numri, aq më i fortë është grafiti.