Flota luftarake spanjolle: Lundrim drejt tragjedisë
Flota luftarake spanjolle: Lundrim drejt tragjedisë
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË
MË SHUMË se katër shekuj më parë, dy flota luftarake u ndeshën në ujërat e ngushticës La Mansh. Kjo betejë vuri protestantët kundër katolikëve dhe ishte pjesë e luftës së shekullit të 16-të midis ushtrive të mbretëreshës protestante të Anglisë, Elizabetës I dhe mbretit katolik të Spanjës, Filipit II. «Për ta, përleshja midis flotës angleze dhe asaj spanjolle në ngushticë ishte një betejë vendimtare për jetë a vdekje midis forcave të dritës dhe forcave të errësirës»,—thuhet në librin Disfata e flotës luftarake spanjolle (anglisht).
Anglezët e asaj kohe e përshkruan flotën spanjolle ose flotën e madhe, si «forcën luftarake më të madhe që kishin parë ndonjëherë në det të hapur». Por ekspedita e flotës spanjolle ishte një gabim tragjik, sidomos për ata mijëra e mijëra që humbën jetën. Cili ishte objektivi i kësaj ekspedite dhe përse dështoi?
Përse u bënë orvatjet për pushtim?
Piratët anglezë kishin vite që plaçkitnin anijet spanjolle, dhe mbretëresha Elizabeta e Anglisë e kishte mbështetur aktivisht rebelimin e holandezëve kundër sundimit spanjoll. Nga ana tjetër, katoliku Filipi II ndiente detyrimin të ndihmonte katolikët anglezë që të shkulnin nga vendi i tyre «herezinë» protestante që sa vinte e përhapej. Për këtë arsye, flota spanjolle kishte rreth 180 priftërinj dhe kishtarë. Madje, kur u mblodhën ekuipazhet e flotës, çdonjëri duhej t’ia rrëfente mëkatet një prifti dhe të kungohej.
Karakteri fetar i Spanjës dhe i mbretit të saj u mishërua më së miri te jezuiti i famshëm spanjoll Pedro de Ribadenejra, që tha: «Perëndia,
Zotëria ynë, kauzën dhe fenë e shenjtë të të cilit po mbrojmë, do të na prijë dhe, me një kapiten si ky, s’ka pse të na trembet syri.» Sa për anglezët, ata shpresonin se një fitore vendimtare do të hapte udhën që idetë protestante të përhapeshin anekënd Evropës.Me sa dukej, plani i mbretit spanjoll për pushtimin ishte i qartë. Ai e urdhëroi flotën të shkonte deri në ngushticën La Mansh, ku do të bashkohej me dukën e Parmës dhe me 30.000 ushtarët e tij me përvojë që ndodheshin në Flandër. * Më pas këto forca të bashkuara do të kalonin ngushticën, do të zbarkonin në bregun e Eseksit dhe do të marshonin drejt Londrës. Filipi mendonte se katolikët anglezë do ta braktisnin mbretëreshën e tyre protestante dhe do t’u shtoheshin radhëve të ushtrisë së tij.
Sidoqoftë, strategjia e Filipit kishte të meta serioze. Ndërkohë që sipas tij kishte ndihmën hyjnore, ai nuk mori parasysh dy pengesa të mëdha: fuqinë e flotës angleze dhe sa e vështirë do të ishte të bashkohej me trupat e dukës së Parmës, në mungesë të një porti të përshtatshëm me ujëra të thella ku të takoheshin.
Flotë gjigante por e pamanovrueshme
Në krye të flotës Filipi caktoi dukën e Medina-Sidonisë. Ndonëse duka kishte pak përvojë në det, ishte një organizator i zoti dhe shpejt pati bashkëpunimin e kapitenëve të tij me përvojë. Së bashku, ata krijuan një forcë luftarake dhe e furnizuan këtë flotë gjigante sa më mirë që mundën. Me shumë kujdes, përcaktuan sinjale, komanda për lundrimin dhe formacione që do të bashkonin forcën e tyre shumëkombëshe.
Më në fund, të 130 anijet me afro 20.000 ushtarë dhe 8.000 detarë që përbënin flotën spanjolle, lanë portin e Lisbonës më 29 maj 1588. Por erërat që kishin kundër dhe stuhia i detyruan të ndalonin për riparime dhe furnizime në qytetin e La Korunjës, në Spanjën Veriperëndimore. Nga meraku për rezervat e pamjaftueshme dhe për sëmundjen që kishin marrë disa nga ekuipazhi, duka i Medina-Sidonisë i shkroi hapur mbretit dhe i shprehu shqetësimin e tij për gjithë misionin. Por Filipi këmbënguli që admirali i tij të ndiqte pikë për pikë planin. Prandaj kjo flotë e vështirë për t’u manovruar, vazhdoi lundrimin dhe më në fund arriti në ngushticën La Mansh dy muaj pas nisjes nga Lisbona.
Betejat në La Mansh
Kur flota spanjolle mbërriti në bregun e Plimuthit, në Anglinë Jugperëndimore, anglezët po pritnin. Të dyja palët kishin pak a shumë të njëjtin numër anijesh, por struktura e anijeve ndryshonte. Anijet spanjolle ishin të larta dhe në kuvertat e tyre kishte shumë topa me rreze të shkurtër qitjeje. Me kullat e mëdha të ndërtuara në bash dhe në kiç, ato ngjanin si kështjella lundruese. Taktika e spanjollëve kërkonte që ushtarët të kapërcenin në bordin e anijes armike dhe ta mundnin. Anijet angleze ishin më të ulëta e më të shpejta dhe kishin më shumë topa me qitje të largët. Kapitenët e tyre synonin të mos u afroheshin anijeve spanjolle, por t’i shkatërronin nga larg.
Për t’iu kundërpërgjigjur shkathtësisë së flotës angleze dhe aftësisë më të madhe gjuajtëse të armëve të tyre, admirali spanjoll bëri një formacion mbrojtës në formën e gjysmëhënës. Anijet më të forta, që kishin topa me qitje më të largët do të ruanin dy skajet e formacionit. Ngado që të vinte armiku, flota spanjolle mund të kthehej dhe t’i kundërvihej si bualli që i tregon brirët luanit kur i afrohet.
Dy flotat u përleshën gjatë gjithë gjatësisë së ngushticës La Mansh dhe bënë dy beteja të vogla. Formacioni mbrojtës spanjoll doli i suksesshëm dhe topat anglezë për qitje të largët nuk mbytën dot asnjë anije spanjolle. Kapitenët anglezë nxorën përfundimin se duhej të gjenin ndonjë mënyrë për ta çarë këtë formacion dhe t’i bënin anijet spanjolle që të afroheshin brenda rrezes së qitjes. Mundësia iu dha më 7 gusht.
Duka i Medina-Sidonisë u kishte qëndruar besnik urdhrave dhe po e çonte flotën në vendin e takimit me dukën e Parmës dhe trupat e tij. Teksa priste një përgjigje nga duka i Parmës, duka i Medina-Sidonisë e urdhëroi flotën të hidhte spirancën përballë Kalesë, në bregun francez. Tani që anijet spanjolle ishin të ankoruara e të pambrojtura, anglezët dërguan tetë anije të mbushura me lëndë djegëse për t’u vënë zjarrin. Shumica e kapitenëve spanjollë u shpërndanë si të tërbuar në det, për t’i shpëtuar rrezikut. Pastaj era e fortë dhe rryma i shtyu drejt veriut.
Të nesërmen në agim u bë beteja përfundimtare. Flota angleze u gjuajti më nga afër anijeve spanjolle, duke shkatërruar të paktën tri anije e duke dëmtuar shumë të tjera. Meqë spanjollët kishin pak municione, u duhej të përballonin të pashpresë sulmin e ashpër të anglezëve.
Një stuhi e fortë i detyroi anglezët ta shtynin sulmin deri të nesërmen. Atë mëngjes, të organizuar sërish në formën e gjysmëhënës dhe me ato pak municione, flota spanjolle u kthye në drejtim të armikut dhe u bë gati të luftonte. Por para se anglezët të hapnin zjarr, era dhe rryma po i shtynte pareshtur spanjollët drejt bregut. Po të vazhdonte kështu, anijet i priste shkatërrimi
në cekëtinat e Zilandës, në afërsi të bregut holandez.Kur gjithçka dukej e pashpresë, era ndryshoi drejtim dhe e shpëtoi flotën spanjolle duke e shtyrë në det të hapur drejt veriut. Por rruga për t’u kthyer në Kale ishte e bllokuar nga flota angleze dhe era vazhdonte t’i shtynte drejt veriut anijet e dërrmuara spanjolle. Duka i Medina-Sidonisë nuk shihte rrugë tjetër, veç të hiqte dorë nga misioni dhe të shpëtonte sa më shumë anije dhe njerëz. Vendosi të kthehej në Spanjë duke i rënë përqark Skocisë dhe Irlandës.
Stuhi dhe anije të rrënuara
Për anijet e dërrmuara spanjolle kthimi në atdhe ishte rraskapitës. Ushqimi ishte me pakicë dhe për shkak të fuçive që pikonin, kishte mbetur pak ujë. Sulmet e anglezëve kishin dëmtuar keqas mjaft anije dhe pak ishin të sigurta për lundrim. Më tej, në veriperëndim të bregut irlandez, spanjollët hasën stuhi të furishme që vazhduan për dy javë. Disa anije u zhdukën pa nam e pa nishan. Të tjera u shkatërruan afër bregut irlandez.
Më në fund, anijet e para spanjolle me zor arritën në Santander, në veri të Spanjës, më 23 shtator. Rreth 60 anije dhe vetëm gjysma e ekuipazhit që u nisën nga Lisbona mbërritën në atdhe. Mijëra u mbytën në det. Shumë të tjerë vdiqën nga plagët ose nga sëmundjet gjatë kthimit në shtëpi. Por edhe për ata që mbijetuan e që mbërritën në brigjet e Spanjës, tortura s’mbaroi me kaq.
Në librin Disfata e flotës luftarake spanjolle thuhet se «disa [ekuipazhe anijesh] nuk kishin fare ushqime dhe vdiqën vetëm nga uria», ndonëse ishin ankoruar në një port spanjoll. Libri vazhdon se në portin spanjoll të Laredos, një anije u shkatërrua ngaqë ngeci në tokë, «pasi nuk kishte mjaft njerëz për të ulur velat dhe për të hedhur spirancën».
Domethënia e disfatës
Disfata e flotës spanjolle u rrënjosi besimin protestantëve të Evropës Veriore, ndonëse luftërat fetare vazhdonin pareshtur. Që protestantët besonin se fitorja e tyre ishte shenjë e mbështetjes hyjnore, këtë e dëshmon një emblemë holandeze në përkujtim të kësaj ngjarjeje. Në mbishkrim thuhet Flavit יהוה et dissipati sunt 1588 që do të thotë «Jehovai fryu dhe ata u shpartalluan 1588.»
Me kalimin e kohës, Britania e Madhe u bë fuqi botërore, siç thuhet në librin Evropa Moderne deri në vitin 1870 (anglisht): «Britania e Madhe doli në vitin 1763 si fuqia më e madhe tregtare dhe kolonizatore në botë.» Dhe vërtet, siç thuhet në librin Flota detare dhe Perandoria (anglisht), «më 1763 Perandoria Britanike mbizotëroi botën sikur të ishte një Romë e ringjallur dhe e zmadhuar». Më vonë, Britania e Madhe u bashkua me koloninë e saj të dikurshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe formoi fuqinë botërore anglo-amerikane.
Për ata që studiojnë Biblën, ngritja dhe rënia e fuqive politike botërore paraqet shumë interes. Kjo vjen ngaqë Shkrimet e Shenjta flasin shumë për fuqitë botërore që do të pasonin njëra-tjetrën, pra për Egjiptin, Asirinë, Babiloninë, Medo-Persinë, Greqinë, Romën dhe në fund për fuqinë botërore anglo-amerikane. Bibla e paratha shumë kohë përpara ngritjen dhe rënien e disa prej këtyre fuqive.—Danieli 8:3-8, 20-22; Zbulesa 17:1-6, 9-11.
Po të hedhim një vështrim në të kaluarën, është e dukshme se ajo që ndodhi në verën e vitit 1588, kur përpjekjet për pushtim të flotës spanjolle dështuan, është shumë domethënëse. Rreth 200 vjet pas disfatës së flotës spanjolle, Britania e Madhe mbizotëroi arenën botërore dhe me kalimin e kohës luajti një rol kyç në plotësimin e profecive të Biblës.
[Shënimi]
^ par. 8 Kjo zonë ishte pjesë e vendeve të ulëta që Spanja sundonte në shekullin e 16-të. Në të përfshiheshin rajonet bregdetare të Francës Veriore, Belgjikës dhe Holandës.
[Diagrami dhe harta në faqet 26, 27]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Lundrimi i flotës spanjolle
—— Drejt misionit
–– Në kthim
X Beteja
SPANJË
Lisbonë
La Korunjë
Santander
FLANDËR
Kale
VENDET E ULËTA SPANJOLLE
VENDET E ULËTA TË BASHKUARA
ANGLI
Plimuth
Londër
IRLANDË
[Figura në faqen 24]
Mbreti Filipi II
[Burimi]
Biblioteca Nacional, Madrid
[Figura në faqen 24]
Mbretëresha Elizabeta I
[Figura në faqet 24, 25]
Duka i Medina-Sidonisë ishte komandanti i flotës spanjolle
[Burimi]
Cortesía de Fundación Casa de Medina Sidonia
[Burimi i figurës në faqen 25]
Museo Naval, Madrid