Arsye për të besuar te Bibla
3. Harmoni e brendshme
Mendoni sikur 40 burrave me formim të ndryshëm kulturor t’u kërkohet të shkruajnë një libër, secili një pjesë të veçantë të tij. Shkrimtarët jetojnë në disa vende të ndryshme dhe jo të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Disa prej tyre nuk e dinë se çfarë kanë shkruar të tjerët. A do të prisnit të kishte harmoni midis pjesëve të këtij libri?
BIBLA është një libër i tillë. * Ajo u shkrua në rrethana edhe më të pazakonta se këto që përshkruam, por megjithatë karakterizohet nga një harmoni e plotë.
Veshja e Jezuit ishte e purpurt, apo në të kuqe të ndezur?
Rrethana unike.
Bibla u shkrua gjatë një harku kohor prej afro 1.600 vjetësh, duke filluar nga viti 1513 p.e.s. deri aty nga viti 98 i e.s. Pra, shumë nga shkrimtarët e saj që ishin rreth 40, i ndanin shekuj nga njëri-tjetri. Ata kishin zanate të ndryshme. Disa ishin peshkatarë, disa barinj dhe të tjerë mbretër, kurse njëri ishte mjek.
Një mesazh harmonik.
Shkrimtarët e Biblës trajtuan të gjithë një temë kryesore: shfajësimin e së drejtës së Perëndisë për të qeverisur njerëzimin dhe plotësimin e qëllimit të tij me anë të Mbretërisë së tij qiellore, që do të qeverisë mbarë botën. Kjo temë prezantohet te Zanafilla, shtjellohet në librat që vijojnë dhe shkon drejt plotësimit në librin e Zbulesës.—Shih «Për çfarë flet Bibla?» në faqen 19.
Hollësi që përputhen.
Shkrimtarët e Biblës përputhen edhe në hollësi fare të vogla, por shpesh duket qartë që kjo përputhje nuk ishte e paramenduar. Vini re një shembull. Gjoni, një nga shkrimtarët e Biblës, na tregon se, kur një turmë e madhe shkoi të dëgjonte Jezuin, ai pyeti pikërisht Filipin ku të blinin bukë për njerëzit. (Gjoni 6:1-5) Në tregimin paralel, Luka thotë se kjo ndodhi pranë qytetit të Betsaidës. Më parë në librin e tij, Gjoni kishte thënë se Filipi ishte nga Betsaida. (Luka 9:10; Gjoni 1:44) Pra, ishte e natyrshme që Jezui të pyeste dikë që kishte jetuar aty afër. Hollësitë përkojnë, por duket qartë se kjo përputhje nuk ishte e qëllimshme. *
Ndryshime të arsyeshme.
Vërehet se midis disa tregimeve ka ca ndryshime, por a nuk duhet ta presim diçka të tillë? Ta zëmë se disa njerëz kanë parë me sytë e tyre një krim. Nëse secili do të thoshte të njëjtat hollësi, me pikë e me presje, a nuk do të dyshonit se e kishin bërë me fjalë? Është logjike që dëshmia e secilit të ndryshonte disi në varësi të këndvështrimit personal. E njëjta gjë është edhe me shkrimtarët e Biblës.
Të marrim një shembull. A kishte veshur Jezui një rrobë të purpurt ditën e vdekjes, siç shkruan Marku dhe Gjoni? (Marku 15:17; Gjoni 19:2) Apo ishte në të kuqe të ndezur, siç thotë Mateu? (Mateu 27:28) Që të dyja mund të jenë të sakta. E purpurta e ka nuancën e së kuqes. Në varësi të këndvështrimit të shikuesit, pasqyrimi i dritës dhe sfondi mund të kenë zbehur disa nuanca, duke i dhënë rrobës nuanca të ndryshme. *
Harmonia e shkrimtarëve të Biblës, duke përfshirë përputhjen e paqëllimshme të asaj çka thanë, vë edhe një herë vulën se shkrimet e tyre janë të besueshme.
^ par. 4 Bibla përbëhet nga 66 libra ose pjesë që fillojnë me Zanafillën dhe përfundojnë me Zbulesën.
^ par. 7 Për shembuj të tjerë që tregojnë harmoninë midis hollësive, shih faqet 16 dhe 17 të broshurës Një libër për të gjithë njerëzit, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 9 Për më shumë informacione, shih kapitullin 7 «A është Bibla kontradiktore?» të librit Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.