Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Më 2006, «167 gazetarë dhe ndihmësit e tyre», si shoferë dhe përkthyes, «vdiqën teksa përpiqeshin të siguronin lajme». Shumica po mblidhnin lajme rreth krimeve, korrupsionit ose konflikteve lokale. Jo pak, por 133 nga këta, u vranë.—INSTITUTI NDËRKOMBËTAR PËR SIGURINË E GAZETARISË, BELGJIKË.
▪ Çdo vit prodhohen municione sa për t’i shkrepur armët 10 deri në 14 miliardë herë dhe prodhohen «aq plumba sa mund të vrasësh dyfishin e njerëzve të botës».—INSTITUTI TEKNOLOGJIK MBRETËROR I MELBURNIT, AUSTRALI.
Tërmete të shkaktuara nga njerëzit!?
Në një artikull të gazetës gjermane Die Zeit thuhet se, që nga shekulli i 19-të, veprimtaria e njeriut ka shkaktuar më shumë se 200 tërmete të fuqishme. Gjysmën e tyre e shkaktoi gërmimi nëpër miniera. Ndër shkaqet e tjera janë nxjerrja e gazit, naftës ose ujit; injektimi i lëngjeve në puse dhe krijimi i rezervuarëve. Një tërmet i vitit 1989 në Njukasll, Australi, që shkencëtarët thonë se e shkaktuan gërmimet për qymyrguri, la 13 të vdekur, 165 të plagosur dhe shkaktoi dëme me vlerë 2,6 miliardë euro. Është llogaritur se humbjet që shkaktoi ai tërmet, e tejkalojnë shumën e parave të nxjerra nga minierat në Njukasll që kur filluan gërmimet dy shekuj më parë.
Katolicizmi në Francë
Në vitin 1994, 67 për qind e francezëve pohuan se ishin katolikë. Revista Le Monde des Religions thotë se sot kjo shifër është 51 për qind. Gjatë një sondazhi doli se gjysma e katolikëve francezë shkojnë në kishë vetëm me raste të veçanta, si martesat. Ndonëse 88 për qind thonë se e dinë përmendësh lutjen «Ati ynë», 30 për qind nuk luten kurrë. Thuajse gjysma e familjeve katolike e kanë Biblën, por nuk nënkupton medoemos se e lexojnë.
Problemet e të folurit te fëmijët
Revista polake Wprost thotë: «Gjithnjë e më shumë fëmijë po nisin të flasin vonë dhe kanë fjalor shumë të kufizuar, sepse të rriturit nuk flasin me ta.» Nënat kalojnë mesatarisht 30 minuta në ditë me fëmijët, kurse baballarët «vetëm shtatë minuta». Si pasojë, gati 1 në 5 fëmijë «kanë probleme me të folurit, thjesht sepse prindërit i kanë lënë pas dore». Mihau Bitnjoku, specialist i të folurit dhe gjuhëtar në Universitetin e Silezisë, paralajmëron: «Nëse këta fëmijë nuk kurohen herët dhe lihen pas dore, problemet e të folurit mund t’u sjellin vështirësi në shkollë dhe kur të rriten.»
Besëtytnia në Japoni
Një problem shqetësues në Japoni është hedhja e mbeturinave pa leje në prona publike. Patrullat që ruajnë gjatë ditës, nuk e ndalin dot këtë problem, sepse njerëzit i hedhin plehrat natën. Tani autoritetet po përdorin besëtytninë si një mjet frenues, duke vënë në këto prona torii, domethënë porta të kuqe druri që duken si hyrje për në faltoret shintoiste. Gazeta IHT Asahi Shimbun shpjegon: «Është e thjeshtë. Në përgjithësi, njerëzit i konsiderojnë të shenjta këto torii, prandaj po të hedhin plehra pranë tyre kanë frikë se do t’u shkojë ters.» Siç pritej, pranë këtyre portave nuk po hedhin më mbeturina. «Por pak më larg, ndryshon puna»,—thotë gazeta.