Një det me veti të rralla, por i vdekur!
Një det me veti të rralla, por i vdekur!
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË IZRAEL
ËSHTË deti më i kripur, pika më e ulët e tokës, pa asnjë formë jete dhe, për disa, më i shëndetshmi në botë. Gjatë shekujve është quajtur Deti i Qelbur, Deti i Djallit dhe Liqeni i Bitumit. Bibla e quan Deti i Kripur dhe deti i Arabahut. (Zanafilla 14:3; Josiu 3:16) Sipas një tregimi të vërtetuar nga shumë studiues, thellë në ujërat e tij gjenden rrënojat e Sodomës dhe të Gomorrës. Prandaj njihet edhe si Deti i Sodomës ose Deti i Lotit, personazhit biblik që përjetoi ngjarjet dramatike të lidhura me këto qytete.—2 Pjetrit 2:6, 7.
Disa nga këta emra nuk të lënë përshtypjen e një vendi të këndshëm për ta vizituar. E megjithatë, mijëra veta shkojnë ta shohin çdo vit këtë vend të pazakontë, që sot njihet në përgjithësi si Deti i Vdekur ose Deti i Kripur. Pse është kaq i kripur? A është vërtet i vdekur dhe i shëndetshëm në të njëjtën kohë?
Deti më i kripur dhe pika më e ulët e tokës
Deti i Vdekur ndodhet në pjesën veriore të Luginës së Madhe Tektonike që vazhdon në drejtim të jugut, në Afrikën Lindore. Lumi Jordan gjarpëron që nga veriu derisa arrin pikën më të ulët në sipërfaqen e tokës, rreth 418 metra nën nivelin e detit. Këtu ndodhet deti i mbyllur që rrethohet nga muret e luginës tektonike, domethënë në perëndim nga kodrat e Judesë dhe në lindje nga malet e Moabit të rajonit të Jordanisë.
Po pse është kaq i kripur Deti i Vdekur? Kripërat, që janë kryesisht klorure magnezi, natriumi dhe kalciumi, derdhen në Detin e Vdekur nga lumi Jordan dhe nga lumenj, përrenj e burime të tjera më të vogla. Përllogaritet se vetëm lumi Jordan depoziton një sasi marramendëse prej 850.000 tonë kripë çdo vit. Ngaqë deti ndodhet në një pikë kaq të ulët, uji nuk ka ku të derdhet, prandaj mund të largohet vetëm me anë të avullimit. Në një ditë të nxehtë vere, avullojnë shtatë milionë tonë ujë, një shifër e jashtëzakonshme që shpjegon arsyen pse vëllimi i detit nuk rritet. Uji avullon, por lë pas kripërat dhe mineralet. Rezultati? Është deti më i kripur në tokë, me rreth 30 për qind kripë, disa herë më shumë se sa kanë oqeanet.
Që në kohët e lashta njerëzit i kanë magjepsur vetitë e rralla të Detit të Vdekur. Filozofit grek Aristotelit i ra në vesh se deti ishte «aq i hidhur e i kripur, saqë s’kishte asnjë peshk». Përqendrimi tepër i lartë i kripës krijon një dendësi kaq të madhe saqë edhe ata që s’dinë not, mund të pluskojnë fare lehtë. Historiani jude Jozef Flavi tregon se si gjenerali romak Vespasiani, për ta vërtetuar këtë dukuri, hodhi në det robërit e luftës.
Në këtë pikë, ndoshta pyetni veten se si ka mundësi që ky det të jetë i vdekur dhe njëkohësisht i shëndetshëm.
Deti më i shëndetshëm?!
Gjatë Mesjetës, udhëtarët që ktheheshin në shtëpi, tregonin historira për një det pa jetë, ku s’kishte as zogj, as peshq dhe as bimësi. Madje mendohej se avujt me erë të keqe që ngriheshin nga deti, ishin vdekjeprurës. Natyrisht, kjo përhapi idenë e një deti të qelbur që ishte i vdekur. Është e vërtetë që, nga kripësia e lartë, në ujërat e këtij deti mund të mbijetojnë vetëm organizma të thjeshtë, siç janë disa forma rezistente bakteresh. Kurse peshqit e gjorë që përfundojnë atje nga prurjet e ujërave, ngordhin shumë shpejt.
Edhe pse deti s’e mbështet jetën, nuk është kështu me rajonin përreth. Ndonëse një pjesë e mirë e zonës është djerrë, ka disa xhepa që bien në sy si oaza të gjelbëruara, me ujëvara dhe bimë tropikale. Rajoni njihet edhe si habitat lulëzues i kafshëve në gjendje të lirë. Ka 24 lloje gjitarësh që jetojnë pranë detit, ndër ta macja e rërës, ujku i Arabisë dhe dhia e egër e zakonshme. Prurjet me ujë të ëmbël sigurojnë habitat për shumë amfibë, zvarranikë dhe peshq. Meqë ndodhet në një itinerar kryesor shtegtimi, në Detin e Vdekur janë parë mbi
90 lloje zogjsh, si lejleku i zi dhe lejleku i bardhë. Hera-herës mund të shohësh edhe shkabën e zakonshme, si dhe shkabën egjiptiane.Tani, si ka mundësi që Deti i Vdekur është më i shëndetshmi? Thuhet se në kohët e lashta njerëzit besonin se uji i këtij deti kishte veti kuruese, prandaj e pinin, diçka që pa dyshim nuk rekomandohet sot. Më logjik është mendimi se uji i kripur ka efekt pastrues për trupin. Gjithashtu lavdërohen dobitë terapeutike të të gjithë rajonit. Për shkak të nivelit të këtij rajoni, krijohet një atmosferë e pasur me oksigjen. Thuhet se përqendrimi i lartë i avujve të bromit ka efekt qetësues, kurse balta e zezë e pasur në minerale dhe burimet termale me squfur, përgjatë brigjeve, përdoren për të kuruar disa sëmundje të lëkurës dhe disa lloje artriti. Veç kësaj, pema e balsamit që rritej në këtë zonë, është vlerësuar gjithnjë dhe është përdorur në mjekësi e kozmetikë.
Bitum nga deti
Një nga dukuritë më të çuditshme të Detit të Vdekur është që nxjerr bitum (asfalt), që hera-herës pluskon copa-copa në sipërfaqe. * Më 1905, në botimin periodik The Biblical World u raportua se një copë bitumi me peshë 2.700 kilogramë kishte dalë në breg në vitin 1834. Bitumi është përshkruar si «produkti i parë i naftës që ka përdorur raca njerëzore». (Saudi Aramco World, nëntor-dhjetor 1984) Disa mendonin se tërmetet bënin që copa bitumi të shkëputeshin nga shtrati i Detit të Vdekur e të pluskonin në sipërfaqe. Por ka më shumë të ngjarë që bitumi filtron nga shkëmbinjtë fundërresorë ose nga të çarat dhe arrin fundin e detit bashkë me shkëmbinj kripëmbajtës. Pastaj, kur treten shkëmbinjtë me kripë, dalin në sipërfaqe copat e bitumit.
Gjatë shekujve, bitumi ka pasur përdorime të ndryshme: për lyerjen e varkave për t’i mbrojtur nga uji, për ndërtim, e madje edhe për të mbajtur larg insektet. Mendohet se aty nga mesi i shekullit të katërt p.e.s., egjiptianët nisën ta përdornin me shumicë bitumin për mumiet, edhe pse disa specialistë e vënë në dyshim këtë. Në atë kohë, tregtinë e bitumit në rajon e monopolizuan nabateasit, një popull i lashtë nomad që u vendos në zonën e Detit të Vdekur. Ata e nxirrnin në breg bitumin, e pritnin në copa më të vogla dhe e çonin në Egjipt.
Deti i Vdekur është vërtet një det me veti të rralla. Nuk e teprojmë kur e përshkruajmë si detin më të kripur, pikën më të ulët të tokës dhe pa jetë fare, por edhe ndoshta më të shëndetshmin në botë. Sigurisht që është një nga detet më interesante në planetin tonë.
[Shënimi]
^ par. 15 Bitumi që nxirret nga nafta, quhet edhe asfalt. Por, në mjaft vende asfalti i referohet përzierjes së bitumit me çakëll të imët, me të cilin shtrohen rrugët. Në këtë artikull të dyja fjalët, bitum dhe asfalt, i kemi përdorur për produktin bazë.
[Kutia dhe figura në faqen 27]
RUAJTUR NË UJIN E KRIPUR
Historianët raportojnë se një herë e një kohë Deti i Vdekur ishte në itinerarin e një tregtie lulëzuese, dhe ky pohim u vërtetua kur u zbuluan kohët e fundit dy spiranca prej druri.
Këto spiranca u gjetën në brigjet e Detit të Vdekur aty ku kishte shteruar, afër vendit ku ndodhej porti i lashtë i En-Gedit. Mendohet se njëra nga ato është 2.500-vjeçare, e kështu renditet si spiranca më e vjetër që është zbuluar në zonën e Detit të Vdekur. E dyta mendohet se është 2.000-vjeçare dhe besohet se është prodhuar me teknologjinë më të mirë romake të asaj kohe.
Zakonisht spirancat prej druri dekompozohen në ujin e detit, kurse ato prej metali rezistojnë. Megjithatë, mungesa e oksigjenit në Detin e Vdekur dhe kripësia e tij e lartë i kanë ruajtur drurin dhe litarët e lidhur me të, të cilët çuditërisht janë në gjendje shumë të mirë.
[Figura]
Spirancë druri, që daton mes shekullit të 7-të dhe të 5-të p.e.s.
[Burimi]
Fotografia © Israel Museum, me mirësjelljen e Israel Antiquities Authority
[Figura në faqen 26]
Ujëvara me ujëra termale
[Figura në faqen 26]
Cjap i egër
[Figura në faqen 26]
Lexojnë gazetën teksa pluskojnë mbi ujë