Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do t’i mikpresë toka brezat e ardhshëm?

A do t’i mikpresë toka brezat e ardhshëm?

A do t’i mikpresë toka brezat e ardhshëm?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KANADA

▪ Pas një studimi të thellë katërvjeçar rreth ekosistemeve kryesore të botës, një grup studiuesish dhe personash me përgjegjësi në fushën e mjedisit botuan raportin e parë. Ky studim u quajt «Vlerësim rreth ekosistemeve të mijëvjeçarit». Ndër të tjera, ata arritën në këto përfundime: në 50 vitet e fundit, për shkak të kërkesës në rritje për ushqim, ujë të pijshëm, lëndë drusore, fije natyrore dhe lëndë djegëse, kanë ndodhur ndryshime të papara në ekosistemet e tokës. Kjo vë në rrezik aftësinë e tokës për të mikpritur brezat e ardhshëm. Aftësia e tokës për të pjalmuar të mbjellat, për të filtruar ajrin e për ta pasuruar me oksigjen falë bimëve, si dhe për të ricikluar lëndët ushqyese nëpërmjet oqeaneve, po shfrytëzohet tej kapacitetit. Gjithashtu, një mori llojesh në planet janë në prag të shfarosjes.

«Njerëzit po e dëmtojnë planetin aq shumë, sa po e shtojnë rrezikun e shkatërrimit të papritur të disa ekosistemeve. Kjo mund të sjellë sëmundje, rrafshimin e pyjeve, si dhe zona pa jetë në dete»,—tha gazeta kanadeze Globe and Mail. Gazeta shtonte: «Kënetat, pyjet, savanat, grykëderdhjet, rezervatet bregdetare për peshqit dhe habitate të tjera që riciklojnë ajrin, ujin dhe lëndët ushqyese për të gjithë botën e gjallë, po dëmtohen në mënyrë të pariparueshme.» Bordi drejtues i këtij studimi nxori si përfundim se është brenda mundësive të shoqërisë njerëzore që ajo të pakësojë rreziqet që kërcënojnë ekosistemet. Megjithatë, ata thonë se për të arritur këtë, «duhen bërë ndryshime rrënjësore në çdo nivel vendimmarrjeje për mënyrën se si trajtohet natyra».

A mund të shpëtohet planeti Tokë? Përgjigjja është një po e fortë. Meqë jemi kujdestarë të krijimit të Perëndisë, duhet të bëjmë çmos të respektojmë mjedisin. (Psalmi 115:16) Gjithsesi, vetëm ndërhyrja e Perëndisë do t’i sjellë sërish në ekuilibër ekosistemet. ‘Bërësi ynë i Madh’ premton se do të drejtojë vëmendjen nga toka dhe ‘do t’i japë begati’. (Jobi 35:10; Psalmi 65:9-13) Këtu përfshihen detet dhe çdo gjë në to, sepse si Krijues, Perëndia Jehova ka pushtet mbi detet. (Psalmi 95:5; 104:24-31) Çka premton ai do të plotësohet me siguri, pasi Perëndia «nuk mund të gënjejë».—Titit 1:2.

Është shumë ngushëlluese të dimë se toka do t’i mikpresë brezat e ardhshëm. Kjo i nxit të gjithë ata që i frikësohen Perëndisë ta lëvdojnë për mençurinë, fuqinë dhe mirësinë e pakufishme dhe t’i thurin lavde për gjithë dashurinë që tregon për veprat e duarve të tij.—Psalmi 150:1-6.

[Burimi i figurës në faqen 12]

Globi: fotografi nga NASA