Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rrugët ujore të Britanisë mbeten magjepsëse

Rrugët ujore të Britanisë mbeten magjepsëse

Rrugët ujore të Britanisë mbeten magjepsëse

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

Nga fillimi i shekullit të 19-të, rreth 6.000 kilometra rrugë ujore përshkonin Anglinë, Skocinë dhe Uellsin. Pse u ndërtuan dhe kush i përdor në shekullin e 21-të?

REVOLUCIONI industrial i shekullit të 18-të në Britani kërkonte të zhvillohej një sistem për transportimin e lëndëve të para dhe të mallrave, që të ishte edhe i shpejtë, edhe i lirë. Më përpara, përdoreshin grupe kuajsh për të mbartur dengje ose për të tërhequr plot mundim qerret në rrugët që dimrit mbyteshin në llucë e katandiseshin aq keq, saqë bëheshin të pakalueshme. Nga ana tjetër, mjaftonte një kalë i vetëm për të tërhequr fare kollaj e shpejt një varkë gjatoshe që mbante edhe 30 tonë.

Në vitin 1761, duka i Brixhuoterit ndërtoi një kanal, një rrugë ujore, për të transportuar qymyrguri nga minierat e tij te blerësit në Mançester, 16 kilometra larg. Kjo jo vetëm që i solli fitime dukës, por edhe përgjysmoi çmimin e qymyrgurit të Mançesterit. Rreth vitit 1790, një projekt më ambicioz, sistemi i kanaleve Grand Cross, lidhi katër lumenj të rëndësishëm dhe bashkoi qendrën industriale të Anglisë me portet detare. Në Britani kishte filluar epoka e rrugëve ujore.

Ndërtimi dhe përdorimi

Inxhinierë të zotë—ndër ta Xhejms Brindli që e kishte mësuar vetë zanatin e që të gjitha veprat e tij i bëri pa hedhur në letër llogaritje e skica—krijuan metoda mjeshtërore ndërtimi për t’i kanalizuar ujërat nëpër kilometra të tërë terrenesh të ndryshme. Ujësjellësit, tunelet, ekluzat dhe urat që ndërtuan skuadrat e punëtorëve, ende mbahen si arritje të jashtëzakonshme.

U ndërtuan varka të drunjta të pambuluara me gjatësi rreth 20 metra dhe gjerësi 2 metra, që quheshin varka të ngushta. Këto përdoreshin për të transportuar ngarkesa të rënda, si: qymyrguri, gëlqere, gur gëlqeror, argjilë porcelani, xeherorë hekuri, tulla dhe miell. Këto varka tërhiqeshin nga kuaj që ecnin në rruginat buzë kanaleve. Nga ana tjetër, «varkat fluturuese», të cilat siguronin një shërbim ekspres për ngarkesat urgjente ose që prisheshin, udhëtonin pareshtur. Ekuipazhi i tyre punonte gjithë natën.

Në disa kanale, grupe kuajsh, që i ndryshonin me turne, tërhiqnin me shpejtësi mesatare 15 kilometra në orë varka me formë aerodinamike që mbanin edhe 120 pasagjerë. Ashtu si varkat fluturuese, edhe këto kishin përparësi kundrejt varkave të tjera. Madje në Bridgewater Canal (kanali i Brixhuoterit) mbanin një thikë të madhe të montuar në bash që priste litarin e rimorkimit të çdo varke që i zinte rrugën. Me ndërtimin e kanaleve, për herë të parë njerëzit e thjeshtë kishin mundësi të bënin udhëtime të largëta, rehat dhe me pak shpenzime.

Jeta në varkat e ngushta

Jeta në sistemin e rrugëve ujore ishte rraskapitëse. Puna ishte e rëndë dhe shpesh e rrezikshme. Ngaqë ishin përherë në lëvizje, njerëzit që jetonin në varkat e ngushta kishin pak mundësi për t’u arsimuar dhe sa vinte e shkëputeshin nga njerëzit përreth.

Ata krijuan një art tipik popullor. I zbukuronin varkat me peizazhe me ngjyra të ndezura, me motive me lule dhe figura gjeometrike, që mbulonin varkën nga jashtë dhe vazhdonin brenda në kabinën që ndodhej në kiç. Në këtë hapësirë vetëm 3 me 2 metra, jetonte varkëtari me të shoqen dhe fëmijët. Megjithatë njerëzit manovronin në këtë vend të ngushtë, duke vënë në punë fantazinë dhe duke sajuar krevate që mbylleshin e sëndukë që shërbenin edhe si orendi të tjera. Dantellat me grep vareshin nga raftet, kurse porcelanet e hijshme dhe zbukurimet e shkëlqyeshme prej tunxhi rreth sobës, pasqyronin dritën. E gjithë kjo krijonte një ambient të rehatshëm e të ngrohtë. Pavarësisht nga punët e shumta dhe mallrat që shpesh ndotnin, gruaja e papërtuar e varkëtarit e mbante xixë familjen dhe varkën. Edhe punimin si litar që vishte levën e timonit e fërkonte me kaq merak, saqë bëhej i bardhë borë.

Perëndimi dhe rilindja e epokës së rrugëve ujore

Më 1825-n, teksa po përfundonte puna për ndërtimin e rrjetit të rrugëve ujore, Xhorxh Stifensoni hapi hekurudhën Stokton-Darlington, një nga hekurudhat e para publike ku përdoreshin lokomotivat me avull. S’kaluan as 20 vjet dhe hekurudhat bënin punën që dikur kryenin kanalet. Kështu këto të fundit dolën nga përdorimi dhe u lanë pas dore. Madje disa u blenë nga shoqëritë hekurudhore për të shmangur konkurrencën. Pas Luftës I Botërore, me ndërtimin e rrugëve të reja dhe më të mira, situata u rëndua. Edhe më optimistët nuk mendonin se rrugët ujore do ta kishin jetën të gjatë.

Gjithsesi, falë punës së individëve dhe grupeve, gjatë 50 viteve të kaluara nuk ka ndodhur kështu. Ndonëse disa varka që lundrojnë nëpër kanale ende transportojnë mallra, të tjera janë kthyer në shtëpi ose përdoren për shëtitje. Sot me këto varka mund të përshkosh më shumë se 3.000 kilometra rrugë ujore që kalojnë në disa nga vendet më të bukura e më të parrahura të Britanisë. Të pasionuarit e varkave të ngushta kanë rizgjuar traditat e vjetra dhe gjithnjë e më shumë njerëz njihen me këto tradita, falë festave që bëhen rregullisht në rrugët ujore. Vërtet, si rrjedhojë e popullaritetit të këtyre varkave shëtitëse me ngjyra të gjalla, nëpër kanale lundrojnë më shumë varka të ngushta sot, sesa atëherë kur transporti me to ishte në kulmin e tij. Veç kësaj rindërtimi i kanaleve po ecën me po atë ritëm si ndërtimi i tyre 200 vjet të shkuar.

Mirëpo vetëm pak nga ata që e kalojnë kohën e lirë pranë këtyre rrugëve ujore, i shijojnë ato duke lundruar. Pse? Sepse falë rindërtimit të rrugëve ujore u ndërtua një kompleks «parqesh lineare». Kështu ekskursionistët, çiklistët dhe peshkatarët mund të shijojnë nëpër qytete e fshatra peizazhe e vende dikur pak të njohura. Të gjithë këta përdorin rrugët buzë kanaleve. Rezervuarët e ndërtuar për të ruajtur nivelin e ujit në kanale janë bërë habitate të rëndësishme për botën e gjallë dhe vetë kanalet bëhen burim ushqimi për lloj-lloj bimësh, zogjsh e kafshësh.

Ndërtimi i rrugëve ujore në Britani çoi në një epokë ndryshimesh dramatike, por që mori një kthesë të papritur. Këto kanale sot shërbejnë për t’u arratisur nga streset e botës moderne, të asaj bote që ato vetë ndihmuan të krijohej.

[Kutia dhe figura në faqen 14]

LUNDRIMI NË TUNELET E KANALEVE

Janë fare të pakta tunelet që kanë një rrugë të ngushtë anash. Përpara se të shpikeshin varkat me motor, kishte vetëm një mënyrë që varkat e ngushta të kalonin nëpër tunel, dhe kjo ishte e rrezikshme. Dy dërrasa viheshin në secilën anë të bashit. Varkëtarët shtriheshin në këto dërrasa ku kapeshin fort me duar dhe e lëviznin varkën nëpër tunel, duke shtyrë me këmbë pas murit. Në errësirë, ku ndriçonte vetëm një qiri, varkëtarët mund të rrëshqitnin kollaj dhe të binin në ujë. Ndonjëherë ata shtypeshin mes varkës dhe murit e vdisnin. Sistemi i kanaleve të Britanisë, dikur kishte 68 kilometra tunele dhe në tunelet më të gjata punësoheshin profesionistë për t’i shtyrë varkat. Tuneli më i gjatë, që tani është hapur sërish në qytetin e Standexhit në Jorkshir, është 5 kilometra i gjatë.

[Burimi]

Me mirësjellje nga British Waterways

[Kutia dhe figurat në faqen 15]

EKLUZAT E KANALEVE DHE NJË ASHENSOR GJENIAL

Meqë uji nuk ngjitet dot përpjetë, çfarë ndodh kur kanali kalon në terrene të ngritura? Ai mund të bëjë një kthesë që uji të ruajë të njëjtin nivel, dhe kjo do ta zgjaste rrugën ose mund të kalojë në një tunel, mes për mes pengesës. Një mundësi e tretë është të ngrihet niveli i ujit me anë të ekluzave. Ato janë dhoma që lidhin dy nivele uji e që kanë dy porta në çdo skaj. Kur varka hyn në ekluzë, të dyja dyert mbyllen. Pastaj ekluza mbushet me më shumë ujë për ta ngritur varkën në nivelin tjetër ose hiqet ca ujë për ta ulur varkën, sipas rastit.

Po sikur ekluzat e dikurshme të mos rindërtohen dot? Pikërisht këtë vështirësi ndeshën në Skoci, ku një projekt i rëndësishëm ka lidhur dy kanale të braktisura prej kohësh midis Glasgout dhe Edinburgut. Ishte e pamundur të rindërtoje 11 ekluza radhazi në Folkërk që dikur lidhnin kanalin Union me kanalin Forth and Clyde, kanalin më të vjetër të botës që lidh dy dete. Zgjidhja gjeniale është Rrota e Folkërkut, një projekt novator. Kjo është një ashensor rrotullues për varkat, me diametër 35 metra. Kjo rrotë mund të zhvendosë nga një nivel në tjetrin tetë varka në dy ashensorë që janë kundrejt njëri-tjetrit e që mbajnë katër varka secili. Çdo udhëtim zgjat vetëm 15 minuta.

Gazeta The Times e Londrës e përshkruan rrotën si «një vepër inxhinierike të mahnitshme». Ajo pasqyrohet në një rezervuar rrethor që ka pajisje për të ankoruar 20 varka.

[Burimi]

Sipër djathtas: me mirësjellje nga British Waterways

[Kutia dhe figurat në faqet 16, 17]

PSE NA PËLQEN TË LUNDROJMË NË RRUGËT UJORE?

Vitet e fundit unë dhe ime shoqe, tashmë në moshë të thyer, kemi kaluar pushime çlodhëse duke lundruar nëpër rrugët ujore. Pse them çlodhëse? Mbi të gjitha largohemi nga gjithë ai trafik dhe nga mania për të ngarë makinën shpejt. Kur lundron me varkë, e merr shtruar me jo më shumë se 5 kilometra në orë. Pse kaq ngadalë? Për të mos krijuar dallgë që mund të dëmtojnë brigjet e kanalit. Si rrjedhojë, njerëzit që shëtitin me qenin në rruginat e vjetra buzë kanalit, shpesh na e kalojnë.

Një e mirë tjetër e ritmit të ngadalshëm është që kemi kohë të soditim peizazhet e madje të përshëndetim kalimtarët. Peizazhi është i mrekullueshëm. Zakonisht marrim një varkë me qira në Uellsin Jugor në kanalin Monmouthshire and Brecon. Ai zgjatet rreth 50 kilometra nga kufiri i Uellsit deri te malet e Brekonit, të larta mbi 886 metra. Hera-herës provojmë çaste emocionuese kur arrijmë tek ekluzat dhe varka ngrihet ose ulet në një nivel tjetër.—Shih kutinë në faqen 15.

Varkat janë të pajisura më së miri dhe goxha të rehatshme. Madje disa kanë dy dhoma gjumi dyshe, secila me dushin dhe banjën e vet. Kanë edhe sistem ngrohjeje për netët e acarta. Në përgjithësi gatuajmë vetë, por nëse duam të ndryshojmë pak, ndalojmë dhe hamë një drekë të shijshme në një nga lokalet buzë kanalit.

Gjithkund mbretëron paqja, sidomos herët në mëngjes kur uji është si pasqyrë, ku duken pemët dhe kodrat. Është kaq qetësi, saqë edhe zogjtë i dallon nga kënga. Çafkat rrinë si rojtare të heshtura në breg dhe çapiten rëndë-rëndë para nesh.—Nga një bashkëpunëtor.

[Burimet]

Me mirësjellje nga British Waterways

Sipër djathtas: me mirësjellje nga Chris & Stelle on Belle (www.railwaybraking.com/​belle)

[Burimi i figurës në faqen 13]

Me mirësjellje nga British Waterways