Shije nga Tajlanda
Shije nga Tajlanda
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MALAJZI
NDËRSA ecën në një rrugë plot njerëz në Bangkok, Tajlandë, befas mund të të joshë një aromë e parezistueshme që vjen nga anash rrugës. Disa po gatuajnë specialitete të kuzhinës tajlandeze. Pasi aromat tunduese të shpojnë hundën dhe ngjyrat tërheqëse të ngopin syrin, të vjen ta provosh atë ushqim të shijshëm.
I gjithë lezeti i ushqimit tajlandez vjen nga një përzierje barërash, rrënjësh, gjethesh dhe farërash të zgjedhura për merak. Këto krijojnë lloj-lloj aromash dhe shijesh të ëmbla, të tharta, të kripura, të hidhura e djegëse ndaj, kur ecën rrugës, s’ka si të mos ndalesh e ta shijosh paksa. Si ndodhi që Tajlanda ka krijuar një kuzhinë kaq të veçantë? Përgjigjja vjen nga e kaluara e largët.
Larmi shijesh nga shumë kombe
Tajlanda gjendet në një kryqëzim rrugësh aziatike. Për shekuj me radhë, udhëtarë nga Kina, Laosi, Kamboxhia, Indonezia, Evropa dhe vise të tjera, kanë kaluar përmes Tajlandës dhe shumë janë vendosur me banim atje. Këta sollën nga vendet e tyre ushqimet karakteristike, e kështu shijet dhe aromat e tërë këtyre gatimeve kanë mbetur në Tajlandë.
Dikur, në të kaluarën e hershme, udhëtarët indianë u treguan tajlandezëve si të përdornin kërin në gatim. Në shekullin e 16-të portugezët sollën specin djegës e mbase edhe domatet. Edhe pse sot kuzhina tajlandeze është mjaft e larmishme, në shumë gatime gjen speca djegës të verdhë, të gjelbër dhe të kuq të shoqëruar me salcë këri me po atë ngjyrë. Kjo përzierje e kërit dhe e specit djegës i jep kuzhinës tajlandeze shijet e forta, tipike për ushqimet e Lindjes.
Shumë gatime, mori shijesh
Një vakt tipik tajlandez përbëhet nga disa gatime, ndër të cilat mund të jenë: supa, sallata, gatimi me këri dhe salcat. Pilafi i ngrohtë është pjesë e pandashme e tryezës. Pastaj vjen ëmbëlsira ku përbërës bazë mund të jenë sheqeri dhe veza. Në kuzhinën tajlandeze edhe tuli e qumështi i kokosit përdoren për ëmbëlsira.
Dihet që sekreti i ushqimit të mirë janë gjërat e freskëta dhe në Tajlandë shpesh këto i gjen kollaj fare. Në pazaret e qyteteve shiten fruta, perime e peshk i freskët dhe erëza, siç janë: bar limoni, koriandri, hudhra, xhenxhefili, galangali, kardamomi, tamarindi dhe qimnoni. Në këto tregje mund të gjesh sa të duash edhe speca djegës dhe limonë të athët që janë pjesë e rëndësishme e gatimit tajlandez.
Nëse po vizitoni Tajlandën ose dëshironi të kënaqeni në shtëpi me ndonjë specialitet tajlandez, provoni tom jam gungin, supën pikante të thartë me karkaleca deti, tipike për Tajlandën. Ia vlen të provosh edhe sallatën papaja me erëza, makaronat e holla «të qelqta» me pulë a rosë të pjekur, me mish derri të grirë ose me peshk të marinuar. Gatimi ma ho, që do të thotë «kuaj me galop», është një përzierje me mish derri, karkaleca deti dhe kikirikë që përsipër i vihet ananas i freskët e zbukurohet me speca të kuq djegës dhe gjethe koriandri. Për ta mbyllur
provoni një ëmbëlsirë me oriz veshtullor, qumësht kokosi dhe mango.Cila është mënyra më e mirë për të ngrënë ushqimin tajlandez? Në disa pjesë të vendit e kanë zakon ta ngjeshin me gishta orizin veshtullor e ta bëjnë toptha që i ngjyejnë në salcë dhe i kollofitin. Kur hani makarona nudëll, mund të përdorni shkopinjtë. Por nëse mezi i përdorni, fare mirë mund të merrni pirunin dhe lugën.
Po tani, a keni neps për kuzhinën tajlandeze? Specialitetet e shijshme të këtij vendi të bukur aziatik mund të hapin para jush një botë shijesh që ende s’e keni eksploruar: botën e ushqimeve të shijshme të Orientit.
[Figurat në faqen 23]
1 Supë tom jam gung
2 Sallatë me makaronat e holla «të qelqta», mish derri të grirë dhe karkaleca deti
3 Sallatë papaja me erëza
4 Ma ho
5 Oriz veshtullor me qumësht kokosi dhe mango