Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pikëpamja e Biblës

Pse duhet të ruheni nga okultizmi?

Pse duhet të ruheni nga okultizmi?

NË NJË vend aziatik, një turmë argëtohet gjithë hare në një festë për nder të frymërave. Festa arrin kulmin kur dy gra zgjidhen për një ceremoni ku pushtohen nga frymërat. Sytë u perëndojnë dhe u dridhet i gjithë trupi, sikur u kalon ndonjë rrymë elektrike.

Në Porto-Riko, një medium (santero) bën një seancë për t’u lidhur me një frymë të quajtur Çangó, perëndi i bubullimave. Mediumi përshkruan vegime dhe të gjithë sa janë në dhomë fillojnë të dridhen si të jenë pushtuar nga frymërat.

Okultizmi është përhapur në mjaft vende. Besimi tek e mbinatyrshmja sa vjen e shtohet dhe tërheq gjithnjë e më shumë njerëz. Librat, lojërat, programet televizive dhe filmat që flasin për demonë, shtrigëri e dukuri të mbinatyrshme, janë më të përhapur se kurrë.

Megjithatë, Bibla tregon se përfshirja në çfarëdolloj okultizmi është komunikim me botën e frymërave. Okultizmi nuk është një argëtim i pafajshëm ose i padëmshëm. Nuk është thjesht të eksplorosh të panjohurën. Ai nënkupton të hysh në kontakt me demonët, engjëjt e ligj që u rebeluan kundër Perëndisë.—Zbulesa 12:9, 12.

Okultizmi u shërben demonëve, ashtu si karremi peshkatarëve. Peshkatari përdor lloj-lloj karremash për të zënë peshq të ndryshëm. Po kështu, frymërat e liga përdorin lloj-lloj formash okultizmi për të vënë nën ndikimin e tyre njerëz të ndryshëm. Udhëheqësi i demonëve quhet «perëndia i kësaj bote [të ligë]». Ai ka arritur t’u verbojë mendjen jobesimtarëve që të mos dallojnë të vërtetat e Fjalës së Perëndisë dhe qëllimin e Tij.—2 Korintasve 4:4.

Ku çon okultizmi?

Krijesat e liga frymore kanë vetëm këtë qëllim: ato duan të na mashtrojnë e të na shpërqendrojnë që të mos ndërtojmë një marrëdhënie personale me Krijuesin tonë. Ndikimi i tyre bën që njerëzit, me dashje a pa dashje, të mos u binden kërkesave të drejta të Perëndisë. Prandaj, okultizmi çon në humbjen e miratimit të Perëndisë, të shpresës dhe së fundi në shkatërrim.—Zbulesa 21:8.

Luisi nga Porto-Rikoja thotë: «Që kur isha fëmijë, familja ime merrej me okultizëm. Ishte pjesë e fesë sonë dhe mënyrë jetese. Mendoja se aftësia ime për të parathënë të ardhmen e për të lexuar letrat tarot ishte një dhunti. Shpesh tërhiqja numra fitues lotarie, dhe kështu i ndihmoja të tjerët të fitonin para. Këto gjoja dhunti, ishin veç një shpërqendrim dhe nuk më linin të merrja njohurinë e Biblës dhe të ndërtoja një marrëdhënie me Perëndinë.»—Gjoni 17:3.

Shumë veta mendojnë se kontakti me botën e frymërave është i padëmshëm, madje i dobishëm. Ata mund të tregojnë për të ashtuquajturat frymëra të mira ose të thonë se po të merresh me okultizëm, mund të bëhesh më i ditur, më i pasur e më i lumtur. Kjo është tepër larg nga e vërteta. Luisi thotë: «Gjithnjë do të paguash një çmim.»

Një i ri me emrin Çad filloi të shihte pamje të frikshme dhe torturohej ngaqë e zgjonin sa herë e zinte gjumi. Ai thotë: «Demonët nisën të më sulmonin dhe të më torturonin çdo natë.» Si mund të mbrohemi nga këto sulme?

Si të mbrohemi?

Për t’u mbrojtur, duhet të qëndrojmë larg çdo gjëje që lidhet me spiritizmin dhe me çdo lloj okultizmi. (Galatasve 5:19-21) Prandaj, Perëndia Jehova i urdhëron shërbëtorët e tij të rrinë larg nga këto praktika: «Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata . . . që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, ndonjë shtrigë, ndonjë që ysht të tjerët, që këshillohet me një medium ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve a ndonjë që pyet të vdekurit. Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.»—Ligji i përtërirë 18:10-12.

Në përputhje me këto fjalë, shumë kanë marrë masa për t’u mbrojtur, duke hequr çdo libër ose objekt që lidhet me spiritizmin dhe me çdo lloj okultizmi. Keni, që shpëtoi nga okultizmi, thotë: «Kontrollova gjithçka që kisha dhe shkatërrova çdo gjë që më dukej e keqe.»—Shih Veprat 19:19, 20.

Mbrojtja më e madhe është të lidhësh miqësi me Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Ja si duhet vepruar sipas Jakovit 4:7, 8: «Nënshtrojuni Perëndisë dhe kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju. Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet. Pastroni duart tuaja, o mëkatarë, dhe dëlirni zemrat tuaja, o të pavendosur!»

Perëndia Jehova i mëson dhe i mbron ata që i afrohen. Ata nuk janë «në padije të intrigave të [Satanait]» dhe nuk gënjehen nga pamjet mashtruese. (2 Korintasve 2:11; 11:14) Veç kësaj, Jehovai është i Plotfuqishmi. Kur dikush e thërret me besim, Jehovai e çliron nga sulmet e frymërave të liga. Çadi, i përmendur më sipër, thotë: «Meqë e dija nga më vinin sulmet dhe e thërritja Perëndinë Jehova të më mbronte nga ndikimi i tyre, e gjithë kjo mori fund.»​—Psalmi 91:1, 2.

Pa dyshim, njerëzit me zemër të drejtë mund të gëzojnë se kanë mbrojtjen e Perëndisë sot dhe se dinë që së shpejti demonët dhe të gjithë ata që i nënshtrohen ndikimit të tyre do të shkatërrohen. Ç’gëzim dhe paqe do të mbretërojë në tokë kur njerëzimi të çlirohet nga ndikimi i okultizmit!—Isaia 11:9; Zbulesa 22:15.