Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush e ka në dorë të ardhmen e Tokës?

Kush e ka në dorë të ardhmen e Tokës?

Kush e ka në dorë të ardhmen e Tokës?

«NGROHJA GLOBALE është problemi më i madh që kemi hasur ne njerëzit gjer tani»,​—thuhej në numrin e tetorit 2007 të revistës National Geographic. Revista thoshte se nëse duam ta zgjidhim këtë problem, duhet «të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri, si dhe me një pjekuri që rrallë e kemi treguar si shoqëri ose si lloj».

A do ta zgjidhin me pjekuri njerëzit këtë problem? Janë shumë faktorë që pengojnë: indiferenca, lakmia, padija, interesat e ngushtë, etja për pasuri në vendet në zhvillim dhe qëndrimi i miliona vetave që duan të vazhdojnë të harxhojnë energji pa hesap.

Një profet i lashtë i Perëndisë dha një vlerësim realist të aftësisë sonë për të zgjidhur problemet etike, sociale dhe qeveritare. Ai shkroi: «Nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Historia tragjike e njerëzimit nënvizon sa të vërteta janë këto fjalë. E pra, sot, ndonëse kemi bërë përparime të rëndësishme në shkencë dhe teknologji, përballemi me rreziqe që s’na i merrte kurrë mendja. Pra, sa të sigurt mund të jemi që e nesërmja do të jetë më e mirë?

Vërtet është folur shumë për të zgjidhur problemin e ndryshimit të klimës dhe prirjeve të tjera të dëmshme, por është bërë pak. Për shembull, si reaguan kombet më 2007-n kur Shtegu Veriperëndimor u bë i lundrueshëm për herë të parë? Një kryeartikull në revistën New Scientist përgjigjet: «Me një lakmi të shëmtuar, ata u vërsulën kush e kush të gllabëronte copat e zbuluara të platformës kontinentale që të nxirrnin më shumë naftë dhe gaz natyror.»

Rreth 2.000 vjet më parë Bibla paratha me saktësi se njerëzit do të arrinin deri aty sa ‘të rrënonin tokën’. (Zbulesa 11:18) Është e qartë se botës i duhet qoftë një udhëheqës që ka mençurinë dhe fuqinë që të arrijë synimet e dëshiruara, qoftë nënshtetas që i nënshtrohen atij. A mund ta përmbushë këtë rol ndonjë shkencëtar a udhëheqës politik i ndershëm dhe i zotë? Bibla përgjigjet: «Mos kini besim te fisnikët, as te ndonjë bir njeriu, që nuk sjell dot shpëtim.»​—Psalmi 146:3.

E ardhmja e Tokës është në dorë të sigurt!

Vetëm një është Udhëheqësi që mund t’i zgjidhë problemet e botës. Për të Bibla paratha: «Tek ai do të prehet fryma e [Perëndisë] Jehova, fryma e mençurisë dhe e kuptueshmërisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës nga Jehovai. . . . Do t’i gjykojë të përvuajturit me drejtësi . . . dhe do t’i vrasë të ligjtë me frymën e buzëve.»​—Isaia 11:2-5.

Kush është ai? Askush tjetër veç Jezu Krishtit që me dashuri e dha jetën për ne. (Gjoni 3:16) Tani që është një krijesë frymore e fuqishme, Jezui ka marrë autoritet dhe fuqi nga Perëndia për të sunduar tokën.​—Danieli 7:13, 14; Zbulesa 11:15.

Jezui bëhet edhe më i kualifikuar për rolin e tij, falë njohurisë së paanë rreth krijimit të Perëndisë që fitoi para se të vinte në tokë. Shumë e shumë kohë më parë, kur Perëndia formoi universin, Jezui ishte ‘kryemjeshtri’ i tij. (Proverbat 8:22-31) Mendoni për këtë: Jezui, pikërisht ai që ndihmoi në krijimin e tokës dhe të të gjitha gjallesave, do të marrë drejtimin për të ndrequr dëmet e shkaktuara nga marrëzia e njerëzve.

Kush do të jenë nështetas të Krishtit? Do të jenë njerëzit e butë dhe të drejtë që njohin Perëndinë e vërtetë, Jehovain, dhe i binden Jezu Krishtit si Sundimtar. (Psalmi 37:11, 29; 2 Selanikasve 1:7, 8) Jezui tha se këta «do të trashëgojnë tokën», e cila do të transformohet në parajsë.​—Mateu 5:5; Isaia 11:6-9; Luka 23:43.

Ç’mund të bëni që ta përjetoni edhe ju përmbushjen e premtimeve të Biblës? Vetë Jezui u përgjigj: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»​—Gjoni 17:3.

Edhe nëse planeti ynë duket se është në rrezik, nuk ka pikë dyshimi se ai do të mbetet shtëpia e njerëzimit. Në rrezik janë ata që vazhdojnë të mos e respektojnë krijimin e Perëndisë dhe nuk duan t’i binden Jezu Krishtit. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait ju nxitin të merrni njohurinë që çon në jetën e përhershme.

[Kutia në faqen 8]

PËRTEJ MUNDËSIVE TË SHKENCËS

Edhe pse i dinë fare mirë rreziqet, miliona njerëz dëmtojnë mendjen dhe trupin duke përdorur drogë për kënaqësi, duke abuzuar me alkoolin dhe duke pirë duhan. Ata nuk e shohin jetën aspak si dhuratë të shenjtë nga Perëndia. (Psalmi 36:9; 2 Korintasve 7:1) Po ashtu, është për të ardhur keq që shumë veta nuk e shohin tokën si dhuratë nga Perëndia, dhe kjo ka sjellë shumë probleme.

Atëherë, cila është zgjidhja? A gjendet ajo te shkenca dhe arsimimi? Jo. Meqë problemi vjen ngaqë njerëzit nuk kanë pikëpamjen e Perëndisë për tokën, zgjidhja është të marrin njohurinë e Perëndisë. Bibla e pranon këtë. Prandaj, ajo premton se do të vijë koha kur njerëzit ‘nuk do t’i bëjnë asnjë dëm’ tokës, pasi ajo «do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin».​—Isaia 11:9.

[Figura në faqet 8, 9]

Nën sundimin e Krishtit, të drejtët do ta shndërrojnë mbarë tokën në parajsë