Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të qarat e gorillës së vogël

Të qarat e gorillës së vogël

Të qarat e gorillës së vogël

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KAMERUN

Piçuja, një gorillë femër, lindi në pyjet e Afrikës Qendrore. Kur ishte rreth një vjeçe, gjahtarët i vranë nënën dhe të gjithë pjesëtarët e tufës për t’u marrë mishin. Meqë Piçuja ishte tepër e vogël, nuk e vranë, por vendosën ta shitnin si kafshë shtëpiake. Ndërkohë Piçuja u sëmur dhe qante pa pushim.

PIÇUJA është vetëm një nga mijëra majmunët të mbetur jetimë. Kjo situatë e trishtueshme ka ardhur nga një sërë shkaqesh. Njëra është tregtia e paligjshme e mishit të kafshëve të savanave. Për të vjelë para nga disa restorante dhe nga individë që kërkojnë mish prej vendeve ekzotike, gjahtarët profesionistë u bien kryq e tërthor pyjeve ditë e natë. Ndërkaq ndërmjetësit vënë në lëvizje rrjete vendëse e ndërkombëtare fitimprurëse, por të paligjshme, që të shesin kafshët dhe mishin.

Shkak tjetër është prerja e drurëve pa kriter. Kur pyjet shkatërrohen, kafshët mbeten pa shtëpi dhe pa vende për t’u fshehur, për t’u ushqyer e për të rritur të vegjlit. Për më tepër, këto dy praktika i japin shtysë njëra-tjetrës. Në ç’mënyrë? Së pari, rrugët e hapura për prerjen e drurëve ua bëjnë të lehtë gjahtarëve të hyjnë në pyll. Kafshët, tashmë të hutuara e shpesh të pastreha, bëhen pre e lehtë. Ndër faktorët e tjerë janë: rritja e popullsisë, kërkesa për mish si burim proteinash, zgjerimi i qyteteve, teknikat më efikase të gjuetisë, si dhe luftërat e shtimi i armëve të zjarrit. Për pasojë, majmunët dhe mjaft lloje të tjera po shkojnë gjithnjë e më tepër drejt zhdukjes, dhe kjo ka çuar në të ashtuquajturën sindromë të pyllit të zbrazët. Por mbase ky nuk është i vetmi problem. Përse? Po ja, meqë luajnë rol në përhapjen e farërave, kafshët ndihmojnë që ekosistemet e pyjeve të jenë të shëndetshme e të larmishme. Pra kur fauna (bota shtazore) zhduket, mund të dëmtohet edhe flora (bota bimore).

Prapëseprapë vrasja e kafshëve vazhdon. Në disa pjesë të Afrikës Perëndimore, brenda një periudhe dhjetëvjeçare, mbeti vetëm një e dhjeta e disa popullatave me majmunë. Specialistët e botës së gjallë në Kamerun thonë: «Nëse vazhdon gjuetia e paligjshme, së shpejti nuk do të ketë më gorilla që rriten të lira në natyrë.» *

Shpëtojnë jetimët

Në përgjigje të kësaj situate tragjike, grupet e mbrojtësve të natyrës punojnë për të ruajtur llojet e rrezikuara. Ndër këto grupe është Qendra e Limit për Botën Bimore dhe Shtazore, rrëzë malit të Kamerunit në Afrikën Perëndimore, në jug të Saharasë. Në qendrën e Limit vizitorët mund të shohin gorillat, shimpanzetë, mandrilët dhe 13 lloje të tjera majmunësh, si dhe një larmi kafshësh të tjera. Vitet e fundit, kjo qendër është kujdesur për rreth 200 kafshë jetime dhe të pastreha, duke u siguruar një shtëpi të sigurt, ushqim dhe kujdes veterinar. Një rol tjetër i kësaj qendre është t’i ndërgjegjësojë vizitorët e shumtë për rëndësinë që ka mbrojtja e natyrës. Numri i këtyre vizitorëve që vijnë nga Kameruni, nga vendet fqinje dhe nga mbarë bota, arriti më shumë se 28.300 në një nga vitet e fundit.

Kjo na kujton sërish Piçunë. Të qarat e gorillës së vogël ia këputën shpirtin disa kalimtarëve, të cilët ua blenë gjahtarëve dhe ia dhanë qendrës. Kur e vogla mbërriti, i bënë një kontroll të imtësishëm në infermierinë e qendrës. Përveç tronditjes emocionale, ajo vuante nga kolla, çhidratimi, kequshqyerja, diarreja dhe dëmtimet në lëkurë. Për shkak të problemeve të lëkurës, e quajtën Piçu, që në dialektin vendës do të thotë «me njolla». Sa mirë që te Piçuja trajtimi pati efekt dhe nuk u desh operacioni, që qendra e bën kur e sheh të nevojshme.

Siç bëhet zakonisht me kafshët që vijnë në qendër, Piçuja i kaloi 90 ditët e para në karantinë. Pastaj u bashkua me 11 gorilla të tjera në një mjedis të rrethuar që i ngjan pyllit ku rriten. Personelit iu ngroh zemra kur panë majmunët më të mëdhenj që u miqësuan me të sapoardhurën. Kjo nuk është e pazakontë, dhe kështu Piçuja u bë shpejt pjesë e grupit.

Ngaqë kujdestarët u rrinë afër kafshëve dhe janë miqësorë, midis tyre krijohen lidhje të ngushta. Duke parë aktivitetet e qendrës, vizitori mund të kuptojë përgjegjësinë morale që Perëndia u dha njerëzve kur udhëzoi çiftin e parë që ta mbanin të nënshtruar tokën dhe kafshët.​—Zanafilla 1:28.

Ç’e ardhme i pret jetimët?

Synimi përfundimtar i këtij programi është që kafshët e qendrës të kthehen sërish të lira në natyrë. Sidoqoftë kjo nuk është e lehtë. Kafshët që mësohen me kujdesin e njeriut, shpesh e kanë të vështirë t’ia dalin mbanë vetë. Përsëri rrezikojnë të përfundojnë në ndonjë tryezë. Disa vende afrikane janë marrë vesh të krijojnë zona të mbrojtura që i kapërcejnë kufijtë kombëtarë dhe të përmirësojnë punën në zonat ekzistuese. Shpresohet që këto masa t’ia lehtësojnë kthimin në gjendje të lirë kafshëve jetime dhe të ndihmojnë jo vetëm në ruajtjen e llojeve të majmunëve, por edhe të gjithë botës së gjallë në rajon.

Ndërkohë, gjithçka tregon se faktorët e dëmshëm, si: lakmia, varfëria, rritja e shpejtë e popullsisë së botës dhe shpyllëzimi, do të vazhdojnë t’u marrin jetën majmunëve dhe kafshëve të tjera. Nëse nuk merren menjëherë masa për një mbrojtje më të mirë, siç thotë Feliks Lankasteri, drejtues i projektit në Qendrën e Limit për Botën Bimore dhe Shtazore, «ka shumë të ngjarë që popullatat e llojeve në natyrë të pësojnë rënie fatale». Ai vazhdon: «Pasoja . . . mund të jetë që në natyrë do të zhduken pikërisht ato krijesa për të cilat po kujdesemi.»

Ç’tragjedi! Por tragjedia më e madhe është të shohësh njerëzit që vuajnë nga kequshqyerja e sëmundjet dhe të shohësh fëmijë me bark të fryrë e sytë me lot, që vdesin urie. Është e qartë se problemi i Piçusë nxjerr në pah gjendjen e vajtueshme të botës në tërësi, sidomos pabarazinë dhe padrejtësinë.

Sa mirë që Krijuesi nuk është indiferent ndaj situatës në tokë! Së shpejti ai do të fshijë shkaqet e mizorisë, të vuajtjes e të zhdukjes së gjallesave dhe do të vendosë një harmoni të përhershme midis gjithë krijesave.​—Isaia 11:6-9.

[Shënimi]

^ par. 6 Specialistët e shëndetit paralajmërojnë se prekja dhe ngrënia e mishit të kafshëve të savanave, mund të përhapë nga kafshët te njerëzit edhe sëmundje vdekjeprurëse, si antraksi, Ebola dhe viruse të ngjashme me HIV-in.

[Figurat në faqet 22, 23]

Piçuja para dhe pas shërimit

[Figura në faqen 23]

Majmuni guenon me veshë të kuq

[Figura në faqen 23]

Një mandril që kujdeset për të voglin

[Figura në faqen 24]

Hyrja në qendrën e Limit

[Figura në faqen 24]

Kujdesen për Bolon, një gorillë jetime

[Burimi i figurës në faqen 24]

Të dyja fotografitë: Qendra e Limit për Botën Bimore dhe Shtazore, Kamerun

[Burimi i figurës në faqen 23]

Të gjitha fotografitë e faqeve 22 dhe 23: Qendra e Limit për Botën Bimore dhe Shtazore, Kamerun