Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vdekja: A është fundi i gjithçkaje?

Vdekja: A është fundi i gjithçkaje?

NË SHKURT të vitit 1987, një burrë 85-vjeçar vendosi të mos e vazhdonte më dializën e rregullt të veshkave, që e kishte mbajtur gjallë. Pas dy javësh ai vdiq qetësisht në shtëpi me djalin e vetëm pranë.

Gjatë atyre ditëve të fundit që kaluan së bashku, patën mundësi që të dy të meditonin rreth një teme që e kishin diskutuar edhe më parë: a mund të jetojë sërish njeriu? Babai, me arsim të lartë, ishte njeri mosbesues. Ai ishte ndikuar nga mësimi i evolucionit dhe kishte neveri për hipokrizinë e fesë. E quante veten agnosticist, pra besonte se është e pamundur të dihet nëse ekziston Perëndia.

I biri, duke dashur t’i jepte ngushëllim dhe shpresë, i tregoi babait pse është e mundur që njeriu të jetojë sërish. Ndërsa i afrohej vdekja, babai e pranoi se do t’i pëlqente të jetonte përsëri, të gëzonte një jetë me forca të reja dhe shëndet të përtërirë.

Ngushëllim përballë vdekjes

Shumica e njerëzve, në mos të gjithë, do të donin të jetonin sërish po ta gëzonin atë jetë me shëndet dhe forca të përtërira në një botë ku mbretëron paqja. Njerëzit janë ndryshe nga kafshët, për të cilat Bibla thotë se «nuk arsyetojnë» ose janë «krijesa që ndjekin instinktin». (2 Pjetrit 2:12; New International Version) Ne njerëzit i varrosim të vdekurit. Mendojmë për të ardhmen. Nuk duam të plakemi, të sëmuremi dhe të vdesim. Por këto janë pjesë e jetës së njeriut.

Kur afrohet vdekja, qoftë jona, qoftë e një njeriu të dashur, zhytemi në mendime dhe trishtohemi. Megjithatë Bibla na nxit ta përballojmë vdekjen me kurajë dhe thotë: «Është më mirë të shkosh në një shtëpi ku mbahet zi, se në një shtëpi ku ka gosti.» Ajo shton: «I gjalli duhet ta ketë parasysh këtë.» (Eklisiastiu 7:2) Pse duhet ta kemi parasysh vdekjen ose të mendojmë seriozisht për të?

Një arsye është se kemi një dëshirë të lindur për të jetuar e për ta gëzuar jetën në paqe dhe siguri. Prej natyre nuk e duam vdekjen, pra mosekzistencën. E kemi të vështirë, gati të pamundur ta pranojmë. Bibla shpjegon përse: «[Perëndia] ka vënë edhe përjetësinë në zemrën» ose «në mendjen e njerëzve». (Eklisiastiu 3:11; Revised Standard Version) Ne duam të jetojmë, jo të vdesim. Mendoni për këtë: a do të ishte kaq e fortë kjo dëshirë, nëse Krijuesi ynë, kur na bëri, nuk do të kishte si qëllim të jetonim përgjithmonë? A është e mundur që dikush të jetojë sërish me shëndet dhe lumturi të përhershme?

Arsye për të besuar

Vitin e kaluar, AARP The Magazine, një revistë e botuar nga Shoqata Amerikane e Pensionistëve, nxori artikullin «Jeta pas vdekjes». U intervistuan shumë njerëz mbi 50 vjeç dhe doli se «gati tre të katërtat (73 për qind) janë dakord me pohimin: ‘Besoj se ka jetë pas vdekjes.’» Nga ana tjetër, në revistë thuhej se gati një e katërta pajtohej me pohimin: «Besoj se vdekja i jep fund gjithçkaje.» Por, a duan vërtet njerëzit ta besojnë këtë?

Në po atë artikull citoheshin fjalët e Tomit, një katoliku nga Nju-Jorku: «Predikohet se paska jetë pas vdekjes. Por çfarë s’predikohet sot, them me vete. Ama secili e vendos vetë çfarë do të besojë. Unë për vete shkoj në meshë. Dhe, po të shohësh si jetoj, mund të duket sikur besoj që ka jetë pas vdekjes, por në fakt s’e besoj hiç. Edhe sikur të jetë ashtu, le të jetë, qar e kam.»

Ashtu si Tomi, shumë janë mosbesues, siç ishte edhe babai i përmendur në hyrje të artikullit. Ai i thoshte shpesh të birit: «Besimi te feja është i mirë për ata që s’e përballojnë dot realitetin e vdekjes.» Gjithsesi, atij dhe të tjerëve që janë mosbesues, u është dashur të pranojnë se besimi te një Krijues i plotfuqishëm shpjegon disa procese të mrekullueshme që përndryshe s’do t’i kuptonim dot.

Për shembull, vetëm tri javë pas ngjizjes, në embrion nisin të formohen qelizat e trurit. Këto qeliza shtohen vrullshëm, ndonjëherë çerek milioni në minutë. Pas nëntë muajsh lind një foshnjë që ka një tru me aftësi të mrekullueshme për të mësuar. Specialisti i biologjisë molekulare, Xhejms Uotson, e quajti trurin e njeriut «gjëja më e ndërlikuar që kemi zbuluar deri tani në universin tonë».

Kur mendojnë për mrekulli të tilla, shumë njerëz mahniten. Po ju? A ju ka ndihmuar meditimi për këto gjëra të gjeni një përgjigje për pyetjen që ngriti shumë kohë më parë një burrë: «Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë?» Ai njeri iu përgjigj Perëndisë me bindje: «Ti do të më thërrisje, e unë do të të përgjigjesha. Do të kishe mall për veprën e duarve të tua.»​—Jobi 14:14, 15.

Sigurisht bëjmë mirë të shqyrtojmë provat që kemi për të besuar se është e mundur që njerëzit të jetojnë sërish, ndonëse vdesin.