Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

▪ «100 milionë veta vdiqën nga duhani në shekullin e 20-të.»—ORGANIZATA BOTËRORE E SHËNDETËSISË, ZVICËR.

▪ «Gjatë viteve 1996-2003, gati 9.000 pacientëve që kishin bërë operacione në zemër në [Mbretërinë e Bashkuar], transfuzioni me rruaza të kuqe ua shtoi tri herë rrezikun që të vdisnin brenda një viti pas operacionit dhe gati 6 herë rrezikun që të vdisnin brenda 30 ditëve, në krahasim me ata që s’kishin bërë transfuzion.»—NEW SCIENTIST, BRITANI.

Kohë paqeje?

Në një revistë suedeze për prindërit Vi Föräldrar thuhet se «Krishtlindjet janë një nga festat më të mëdha», por edhe «kohë konfliktesh». Në periudhën e Krishtlindjeve, në familje «ka sherr e grindje më shumë se në çdo periudhë tjetër të vitit». Revista pyeti më shumë se 1.100 prindër me fëmijë të vegjël si ia kalonin gjatë periudhës së festës. Rreth 88 për qind u përgjigjën se familja grindet «si dhe ku t’i festojë Krishtlindjet». Shumë acarohen ngaqë gjyshërit i llastojnë nipërit me ëmbëlsira dhe dhurata të panevojshme.

Kush jep është më i lumtur

«Paraja të bën të lumtur, por nëse ua jep të tjerëve»,—thotë një titull kryesor në gazetën The Globe and Mail të Kanadasë. Ndonëse shumica e njerëzve të anketuar mendonin se po të harxhonin para për vete do të ishin më të lumtur, ata që i përdornin paratë për të ndihmuar të tjerët—pavarësisht nga shuma—ishin më të lumtur. Gazeta thotë: «Studime të tëra kanë treguar se pasuria nuk është garanci për lumturinë. Nëse njerëzit kanë mjaft para për të plotësuar nevojat bazë, çfarëdo shume plus nuk ua shton lumturinë.

Mund t’i blesh në Internet

Sipas revistës New Scientist, autoritetet qeveritare të Shteteve të Bashkuara vendosën të kontrollonin nëse kishte të ngjarë që ndonjë armik i mundshëm «të siguronte pajisje ushtarake sekrete» nëpërmjet Internetit. «U befasuan kur panë sa kollaj ishte.» Nëpërmjet siteve të njohura tregtare, ata nuk e patën të vështirë të blinin «pjesë të armaturës ushtarake të SHBA-së», «një veshje të përdorur mbrojtëse bërthamore-biologjike-kimike», pjesë për aeroplanët luftarakë dhe «pajisje të tjera sekrete». Nuk dihet se si shitësit i siguruan këto pajisje, por, sipas revistës, disa prej tyre «tani i presin hetimet për krime».

Superngjitës i lashtë

Në antikitet, përdornin një ngjitës shumë të fortë për të ngjitur gjethe dafine prej argjendi si zbukurim te helmetat e paradës së oficerëve romakë. Këtë e zbuloi rastësisht Frank Vileri, kryerestaurues në muzeun e krahinës së Renit në Bon të Gjermanisë. Duke përdorur një sharrë të imët, ai po hiqte një copë të vogël metali nga një helmetë hekuri e shekullit të parë p.e.s., e cila kishte ndenjur të paktën 1.500 vjet në shtratin e lumit Ren. «Nxehtësia e veglës bëri që gjethet prej argjendi të dafinës të shqiteshin nga helmeta, duke lënë gjurmët si fije të ngjitësit»,—shpjegon ai. Analizat zbuluan se superngjitësi përbëhej nga bitumi, rrëshira dhe dhjami i gjedhëve.