Si ta ngasësh makinën pa rrezikuar
Si ta ngasësh makinën pa rrezikuar
NDONËSE të ngasësh makinën sot shihet si domosdoshmëri nga miliona njerëz, kjo gjë e ka një çmim. Është llogaritur se më shumë se 1.200.000 njerëz humbin jetën në aksidentet rrugore çdo vit anembanë botës. Pra, a nuk ia vlen të mësojmë si ta ngasim makinën pa rrezikuar? Le të shohim disa masa praktike që mund të marrim.
✔Kontrollo gjendjen tënde
Një artikull në botimin Australian Journal of Social Issues thoshte se ndër masat më të rëndësishme që mund të marrë shoferi për të ulur rrezikun e fatkeqësive është të ketë më shumë kujdes kur është në timon. Prandaj, para se të niset për rrugë, shoferi bën mirë ta pyesë veten: «A jam në gjendjen e duhur fizike dhe emocionale për të ngarë makinën?» Rraskapitja mund ta mpijë trurin dhe të ngadalësojë reagimin. Zyra e Transportit Rrugor në Filipine rendit zemërimin, ankthin, dhe euforinë si ndjenja që ndikojnë kur nget makinën dhe që mund të çojnë në vendime
të pamençura, madje të bëjnë t’i japësh makinës si i tërbuar.Duhet marrë parasysh edhe gjendja fizike, pasi disa sëmundje a dëmtime e pengojnë personin të ngasë pa rrezikuar. Shoferi që ka respekt për jetën e të tjerëve nuk guxon të dalë në rrugë kur aftësitë e tij janë turbulluar nga alkooli. Edhe disa droga a ilaçe mund të ndikojnë te reagimet e shoferit. Në disa raste do të ishte e mençur të mos bëhej udhëtimi ose makinën ta ngiste dikush tjetër.
✔Kontrollo aftësitë e tua
Sidomos në vendet në zhvillim, me rritjen e numrit të automjeteve, po rritet edhe numri i shoferëve pa përvojë. Prandaj është mirë të shqyrtojmë dy gjëra të rëndësishme që mund të bëjë çdo shofer për të shmangur aksidentet.
Mbrohu! Ji vigjilent dhe hap sytë për ndonjë rrezik përpara a prapa dhe mundohu të parashikosh lëvizjet e shoferëve të tjerë, qoftë edhe ato të gabuara. Meqë një përqindje e madhe e përplasjeve vijnë kur dy makina ecin tepër afër, njëra pas tjetrës, një shofer i mençur mban një distancë sigurie mes makinës së vet dhe të tjerave.
Ki kujdes vendet që nuk i kap pasqyra dhe shpërqendrimet. Ktheje kokën të shohësh ç’ndodh përreth dhe mos u bazo vetëm te pasqyrat. Ruhu nga shpërqendrimet kur nget makinën. Mos bëj disa gjëra njëherësh: është shpërqendruese të flasësh në telefon, të merresh me ndonjë aparaturë e të tjera si këto.
Nëse nget një motoçikletë: Disa burime thonë se për çdo kilometër një motoçiklist rrezikon 37 herë më shumë të vdesë në ndonjë përplasje, sesa dikush që është në makinë. Ç’masa mbrojtëse mund të marrësh? Të dyja sugjerimet e mësipërme vlejnë edhe për motoçiklistin. Veç kësaj, Fondacioni për Sigurinë e Motoçikletave në Shtetet e Bashkuara thotë: «Ji i dukshëm.» Sigurohu që të tjerët të të shohin. Mbaji ndezur dritat e parme. Largohu nga vendet ku shoferët nuk të shohin dot nga pasqyra. «Mbaj veshje mbrojtëse.» Mbaj kaskë dhe vish rroba mbrojtëse të trasha dhe të shndritshme. «Bëj shumë kujdes.» Zëre se të tjerët nuk mund të të shohin dhe mbaje parasysh këtë kur nget motoçikletën.
✔Kontrollo makinën
Shoferi duhet ta ketë shumë kujdes sigurinë dhe makina e tij duhet të jetë në gjendje të mirë. Frenat duhet të jenë në gjendje të shkëlqyer, si të gjitha pjesët e tjera funksionale. Gomat duhet të kenë brazda mjaftueshëm që makina të mos rrëshqasë. Gomat e fryra sa duhet bëjnë që makinën ta mbash më lehtë nën kontroll dhe përmirësojnë frenimin. Sot shumica e automjeteve kanë rripa sigurimi. Këta nuk vlejnë nëse nuk përdoren.
Jepi makinës sipas rrethanave. Rrugët e lagura, sidomos ato me akull a borë, ndikojnë te distanca e frenimit dhe te kontrolli mbi automjetin. Kur udhëton natën, dritat e parme duhen mbajtur në gjendje të mirë dhe zakonisht duhet ulur shpejtësia. Meqë jeta është dhuratë nga Perëndia, është më se e përshtatshme të bëjmë gjithë sa mundemi për ta mbrojtur; kjo përfshin edhe të mësojmë ta ngasim makinën pa rrezikuar.
[Kutia dhe figura në faqen 13]
SI TË KURSESH KARBURANT?
▪ Jepi makinës shtruar: Përshpejtimi dhe frenimi i shpeshtë shpërdoron karburant.
▪ Mos e mbaj ndezur motorin: Sot makinat në përgjithësi nuk kanë nevojë të ngrohen para se të nisen. Nëse do të rrish më shumë se gjysmë minute pa lëvizur, fike motorin.
▪ Mbaji gomat të fryra sa duhet: Gomat e fryra sa duhet rrotullohen më lehtë, dhe kjo e ul ndjeshëm harxhimin e karburantit.
▪ Mos ec me shpejtësi: Është e rrezikshme dhe harxhon më shumë kur i jep makinës me shpejtësi.
[Diagrami dhe figura në faqen 11]
❏ Ji vigjilent
❏ Vër rripin e sigurimit
❏ Mos bëj disa gjëra njëherësh
❏ Mos u shpërqendro
[Diagrami dhe figura në faqen 12]
❏ Kujdes vendet që nuk i kap pasqyra
❏ Frenat në gjendje të shkëlqyer
❏ Gomat e fryra sa duhet
❏ Gomat të kenë brazda mjaftueshëm
❏ Mbaj distancën e sigurisë
[Diagrami dhe figura në faqen 13]
❏ «Veshje mbrojtëse»
❏ «Ji i dukshëm»
[Diagrami dhe figura në faqen 13]
❏ Kontrollo dritat e parme