Beteja për fshehtësi të përfshin edhe ty!
Beteja për fshehtësi të përfshin edhe ty!
A ke zgjidhur ndonjëherë një anagram? A ke blerë ndonjëherë nëpërmjet Internetit ose ke përdorur një kompjuter për të parë të dhënat e tua bankare? Nëse po, atëherë ke hyrë në një botë kodesh, shifrash të fshehta, enkriptimesh dhe dekriptimesh.
DERI para pak kohësh, kodet e fshehta i përdornin zakonisht qeveritë, ambasadorët, spiunët dhe ushtritë. Por kohët kanë ndryshuar. Me shpikjen e kompjuterit dhe të Internetit, shpesh të dhënat e vlefshme mbahen të fshehta nga një numër elementesh, ndër të cilat janë fjalëkalimet, që verifikohen sa herë përdoruesi hyn për të parë të dhënat e tij. Vërtet, kurrë më parë fshehtësia nuk ka luajtur rol kaq të rëndësishëm në jetën e përditshme.
Prandaj, me të drejtë mund të pyesim veten: sa të sigurta janë të dhënat e mia konfidenciale? Ç’mund të bëj për të rritur sigurinë? Para se të shqyrtosh këto pyetje, mendo pak për betejën e gjatë mes atyre që shpiknin kodet dhe atyre që i zbërthenin ato, një konflikt që është pothuajse aq i vjetër sa edhe shkrimi.
Shkrimet e fshehta
Një formë e shkrimit të fshehtë, që ka një histori të gjatë, quhet steganografi ose «shkrim i mbuluar». Synimi i saj është të fshehë vetë ekzistencën e mesazhit. Historiani i lashtë Herodoti shkroi për një grek të dëbuar nga vendi, që pa se Persia po përgatitej të sulmonte atdheun e tij. Duke dashur të paralajmëronte popullin e tij, ai shkroi mesazhe në pllaka druri dhe i leu me dyll për ta fshehur tekstin, një marifet që e përdornin edhe romakët e lashtë. Sipas Herodotit, për shkak të hiles së thjeshtë të atij
greku, sulmi i mbretit pers Kserksit nuk ishte i befasishëm e, si rrjedhojë, ushtria e tij u shpartallua.Ndër format e sotme të steganografisë futet përdorimi i mikrofotografisë dhe i letrës e figurave me filigran për të mbrojtur të drejtën e autorit. Gjatë Luftës II Botërore, u përdorën fotografitë e minimizuara në përmasat e një pike. Marrësit thjesht i duhej të zmadhonte pikën. Sot, një koncept të ngjashëm e përdorin edhe ata që bëjnë kontrabandë me materiale pornografike. Me ndihmën e programeve kompjuterike, ata fshehin fotografi nëpër dokumente dixhitale me imazhe, tekste ose tinguj, që përndryshe do të ishin të padëmshme.
Ngaqë vetë ekzistenca e mesazhit mbahet e fshehtë, steganografia nuk e tërheq vëmendjen as ndaj dërguesit, as ndaj marrësit. Në anën tjetër, nëse mesazhi zbulohet, mund të lexohet, përveçse kur është edhe i enkriptuar ose i koduar.
Fshehja e kuptimit
Kriptologjia ose «fjalë e fshehtë» është shkenca e mbajtjes konfidenciale të informacioneve duke fshehur jo vetë mesazhin, por kuptimin e tij. Procesi përfshin ngatërrimin dhe zbërthimin e të dhënave sipas një sistemi rregullash të paracaktuar. Kështu, vetëm ata që kanë çelësin e deshifrimit, kanë mundësi ta deshifrojnë mesazhin.
Spartanët e lashtë i enkriptonin mesazhet me anë të një pajisjeje të thjeshtë mekanike, të quajtur skitali (shkop). Ai që shkruante kodin, merrte një shirit lëkure ose pergameni, e mbështillte fort në formë spiraleje rreth një shkopi, pastaj shkruante mesazhin në gjatësinë e shkopit. Kur çmbështillej, shiriti i lëkurës dukej sikur kishte vetëm shkronja të pakuptimta. Po kur marrësi e mbështillte prapë shiritin rreth një shkopi me të njëjtin diametër si origjinali, mund ta lexonte tekstin. Nganjëherë mbartësi i mesazhit, me njëfarë steganografie, e maskonte shiritin si rrip mesi dhe shkronjat i vendoste nga brenda.
Thuhet se Jul Cezari i fshihte mesazhet që dërgonte nga fusha e betejës me anë të shifrimit të thjeshtë me zëvendësim, domethënë çdo shkronjë e zëvendësonte me një tjetër që ishte, për shembull, tri vende më pas në alfabet. Kështu, a-në e shkruante ç, b-në d, e kështu me radhë.
Rilindja evropiane solli përparime më të sofistikuara në kriptografi. Një nga njerëzit që e zhvilluan më tej këtë fushë, ishte Blez dë Vigëneri, një diplomat francez i lindur më 1523. Vigëneri propozoi një metodë shifrimi, të shpikur më herët, që përfshinte kalimin nëpër një alfabet të shumëfishuar gjatë shifrimit. Metoda e tij, që mendohej e pathyeshme, u mbiquajt «shifrimi i padeshifrueshëm» (le chiffre indéchiffrable). Megjithatë, përparimi në shpikjen e kodeve solli edhe përparim në zbërthimin e tyre. *
Për shembull, kur studiuesit islamikë analizuan Kuranin, të shkruar në arabisht, vunë re se disa shkronja haseshin më shpesh, tipar ky i zakonshëm edhe në gjuhë të tjera. Kjo çoi në zhvillimin e një metode të rëndësishme kriptografike të quajtur analiza e shpeshtësisë, ku identiteti i fshehur i disa shkronjave dhe grupeve të shkronjave në një tekst të shifruar mund të zbulohet duke numëruar sa herë hasen ato.
Kur hyri shekulli i 15-të, kriptografia po bëhej mjet i zakonshëm për diplomatët evropianë. Por jo gjithnjë garantonte sigurinë. Për shembull, francezi Fransua Viet arriti të zbërthente kodet e oborrit mbretëror spanjoll. Aq i zoti ishte saqë, i shkurajuar, mbreti Filipi II tha se Vieti kishte bërë marrëveshje me Djallin dhe propozoi ta gjykonte një gjykatë katolike.
Hyn në valle teknologjia
Shekulli i 20-të e sidomos dy luftërat botërore, e çuan kriptografinë në nivele të reja të sofistikuara, duke përdorur makina të ndërlikuara koduese si «Enigma» gjermane, që ngjante me një makinë shkrimi. Kur operatori shtypte tekstin normal, disa rotorë të lidhur në mënyrë elektronike e enkriptonin mesazhin. Teksti i enkriptuar dërgohej pastaj me kod mors dhe dekriptohej nga një makinë tjetër «Enigma». Gjithsesi, gabimet dhe pakujdesia e operatorëve të tejlodhur u jepnin të dhëna të rëndësishme atyre që zbërthenin kodet, duke u bërë të mundur të dekriptonin mesazhet.
Në botën e sotme dixhitale, aktivitetet bankare, transfertat e parave dhe pagesat e ndryshme, si dhe të dhënat mjekësore, të korporatave dhe të qeverive, sigurohen me enkriptime të ndërlikuara. Më pas, tekstin e enkriptuar e lexojnë ata që kanë çelësin e dekriptimit që duhet për t’i rikthyer të dhënat në formën origjinale.
Çelësi i zakonshëm prej metali ka disa dhëmbëzime, kurse çelësi dixhital përbëhet nga një varg zerosh dhe njëshash (secili quhet një bit), në kombinime të ndryshme. Çelësat më të gjatë kanë më tepër kombinime, prandaj janë më të vështirë për t’u zbërthyer. Për shembull, çelësi me tetë bite ka 256 kombinime të mundshme ose permutacione, kurse çelësi me 56 bite ka mbi 72.000 bilionë kombinime të mundshme. Standardi aktual për lundrimin e kodifikuar në Internet janë çelësat me 128 bite, që kanë 4.700 kuatrilionë herë më tepër kombinime se çelësat me 56 bite! *
Gjithsesi, ende ka thyerje të sigurisë. Për shembull, në vitin 2008, prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara akuzuan 11 burra për atë që mendohet se është çështja më e madhe e vjedhjes së identitetit. Sipas akuzave, grupi përdorte kompjuterë portativë, teknologji që punon me anë të valëve dhe programe të veçanta kompjuteri për të kapur numra nga kartat e kreditit e të debitit që përdoreshin për pagesat në kasë.
A janë të sigurta të dhënat e tua konfidenciale?
S’diskutohet se enkriptimet që mbrojnë llogarinë tënde bankare dhe veprimet e shitblerjes në Internet, janë tej mase të vështira për t’u zbërthyer. Megjithatë, shumë varet edhe nga ti. Bibla thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.» (Proverbat 22:3) Prandaj, tregohu mendjehollë dhe ‘fshihu’ nga mashtrimet dhe vjedhjet, duke bërë të paktën sa vijon:
▪ Përdor në kompjuterin tënd programe antivirusi.
▪ Përdor një program që dikton programet spyware (të cilat spiunojnë aktivitetin në kompjuter).
▪ Instalo një firewall (mur mbrojtës midis kompjuterit tënd dhe Internetit).
▪ Përditësoji vazhdimisht të gjitha programet e mësipërme dhe instalo përditësime për sigurinë e programeve që përdor dhe të sistemit operativ.
▪ Ruhu nga lidhjet me adresa të tjera ose fotot dhe dokumentet e bashkëngjitura që të vijnë me postë elektronike ose mesazhe, sidomos nëse nuk i ke kërkuar këto mesazhe dhe të kërkojnë të dhëna private ose të verifikosh fjalëkalimin.
▪ Kur të japësh të dhëna me rëndësi, si të dhënat e kartës së kreditit, përdor site të enkriptuara, dhe dil nga siti pasi të kesh mbaruar punë. *
▪ Zgjidh fjalëkalime të vështira për t’i gjetur me hamendje dhe mbroji ato.
▪ Mos kopjo e mos puno me programe që vijnë nga burime të panjohura.
▪ Rregullisht bëju nga një kopje dokumenteve të tua dhe ruaji kopjet në vend të sigurt.
Nëse ndjek këto masa paraprake elementare dhe zbaton të tjera që mund të këshillohen tani ose në të ardhmen, të paktën do të kesh më shumë mundësi të fitosh betejën për ruajtjen e fshehtësisë dhe të sigurisë.
[Shënimet]
^ par. 13 Sipas termave teknikë, shifrimi ndryshon nga kodimi. Gjatë shifrimit, çdo shkronjë zëvendësohet me shkronja të tjera ose me numra, kurse kodimi përfshin zëvendësimin e fjalëve ose frazave me fjalë e fraza të tjera ose me numra. Megjithatë, mund të kenë edhe ngjashmëri.
^ par. 19 Bilioni është 1 me 12 zero pas. Kuatrilioni është 1 me 18 zero pas.
^ par. 28 Faqet Web të koduara në programet me anë të të cilave hyn në Internet, kanë në shiritin e adresës simbole për veprime të sigurta, siç është simboli i çelësit ose «https://»; s-ja do të thotë «i sigurt».
[Figura në faqen 26]
Skitali i lashtë spartan
[Figura në faqen 26]
Makina gjermane «Enigma» e shekullit të 20-të
[Figura në faqen 26]
Të dhënat private sot mbrohen me enkriptime të ndërlikuara