Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Guaska e molusqeve

Guaska e molusqeve

A është projektuar?

Guaska e molusqeve

▪ Guaskat e detit duken të brishta, por zakonisht mezi thyhen. «Disa prej tyre, i goditja me çekiç për t’u hequr ndonjë copë»,—thotë inxhinieri Kenet Vekjo teksa kujton fëmijërinë. Një tipar i jashtëzakonshëm i guaskave të molusqeve është fortësia e tyre. *

Shqyrtoni faktet: Shtresa e brendshme e guaskës së molusqeve (e quajtur sedef) ka luspa mikroskopike që janë vetëm disa nanometra ose të miliardat e metrit larg njëra-tjetrës. «Struktura e ndërlikuar që kemi vërejtur te sedefi në nivelin e nanometrit është magjepsëse dhe duket se është faktor i rëndësishëm për përcaktimin e fortësisë së materialit»,—thotë Kristina Ortisi, asistente profesoreshë e departamentit të shkencës dhe inxhinierisë materiale, në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, SHBA.

Çarls Petiti, që shkruan për shkencën, thotë se në pamjen e zmadhuar të sedefit vërehet «një rregullsi mahnitëse». Ai shpjegon: «Prerja tërthore në mikroskop duket si mur tulle, me pllakëza të sheshta gjashtëkëndore të një minerali të tejdukshëm prej karbonatit të kalciumit, të vendosura në shtresa të rregullta. Si llaç midis tyre shërben një lloj rrëshire elastike e pasur në proteinë, që e sekreton molusku.»

Shkencëtarët besojnë se sekretet e guaskës së molusqeve mund të gjejnë zbatim të gjerë për të bërë sisteme armaturash mbrojtëse, kabina makinash dhe krahë avionësh më të fortë, sa për të përmendur disa. Ortisi thotë: «Natyra përdor parimet e ndërtimit strukturor në nivelin e nanometrit për të prodhuar materiale me veti mekanike më të larta. Në shumë aspekte, inxhinierët njerëzorë ende s’e kanë zhvilluar këtë aftësi.»

Si mendoni? A erdhi rastësisht në ekzistencë guaska e molusqeve me fortësinë e saj mahnitëse, apo është projektuar?

[Shënimi]

^ par. 3 Molusqet ose butakët janë kafshë të vogla me trup të butë e pa skelet. Molusqet e detit përfshijnë midhjet, gocat e detit, zhivadhet freskore, oktapodët dhe kallamarët.

[Figura në faqen 25]

Prerje tërthore e zmadhuar e shtresës së brendshme të guaskës së një molusku

[Burimi]

Fotografia e vogël: © Eye of Science/​Photo Researchers, Inc.