Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Prindër drejtojini fëmijët

Prindër drejtojini fëmijët

Prindër drejtojini fëmijët

«Dje meraku i vetëm ishte se mos [fëmijët] rrinin shumë para televizorit. Sot kemi videolojëra, kompjuterë dhe celularë. Këto u zënë frymën fëmijëve të vegjël dhe u krijojnë në sjellje veçori të ngjashme me ato të varësisë. . . . Truri i tyre mësohet me një breshëri stimujsh që përcillen nëpërmjet dëgjimit dhe shikimit, e, në mungesë të këtyre stimujve, nuk dinë me çfarë të merren.»—Mali Mani, mjeke.

JETOJMË në një botë të lidhur gjithnjë e më shumë me Internetin, falë përparimeve në teknologji dhe në Internet. Shumë të rinj nuk dalin dot nga shtëpia pa mp3-shin, celularin a ndonjë aparat tjetër. E meqë këto pajisje dhe të tjera bëhen më të fuqishme, me më shumë përdorime e më të lira, vërshimi i sotëm i teknologjisë së komunikimit pritet që veç të bëhet më i vrullshëm. Kjo do t’ua vështirësonte më tej prindërve mbikëqyrjen, stërvitjen dhe disiplinimin e fëmijëve.

Këto vështirësi mund të kapërcehen kur prindërit bëjnë dy gjëra të rëndësishme. Së pari: të pranojnë se ky pohim që gjendet në Bibël te Proverbat 22:15 është i vërtetë: «Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.» (Diodati i Ri) Së dyti: të kuptojnë fuqinë që ka teknologjia për të ndikuar qoftë për mirë, qoftë për keq te fëmijët, dhe të përpiqen që ajo të ndikojë për mirë.

Filloni në moshë të njomë

Në shumë familje, televizori është kontakti i parë i fëmijës me teknologjinë. Ç’është e vërteta, shpesh televizori bëhet dadoja. Megjithatë, disa specialistë në fushën e shëndetit mendor mendojnë se shikimi i parakohshëm dhe i tepruar i televizorit mund t’ia topitë fëmijës dëshirën për aktivitetet fizike, mund t’i shkaktojë pështjellim midis realitetit dhe fantazisë, probleme emocionale dhe më vonë, kur të shkojë në shkollë, edhe mungesë përqendrimi. Madje, sipas mjekes Mali Mani, disa fëmijë mund «të diagnostikohen gabimisht me çrregullimin e mungesës së përqendrimit ose me çrregullimin e hiperaktivitetit dhe të mungesës së përqendrimit, madje të etiketohen me çrregullimin bipolar». Prandaj, disa autoritete kompetente këshillojnë që fëmijët nën moshën dy vjeç të mos shohin televizor.

«Gjëja më e rëndësishme që ndodh dy vitet e para të jetës së fëmijës është lidhja e ngushtë që krijojnë me prindërit»,—thotë zëdhënësi i Akademisë Amerikane të Pediatrisë, dr. Kenet Ginzburgu. Kjo lidhje ushqehet kur prindërit flasin e luajnë me vogëlushët dhe u lexojnë diçka. Veç kësaj, siç e dinë mjaft prindër, fëmijët të cilëve u lexohet rregullisht, zhvillojnë dashuri për leximin, dhe kjo është një e mirë tjetër me vlerë.

Sigurisht, për miliona fëmijë është e rëndësishme, madje e domosdoshme, të kenë njëfarë njohurie për kompjuterët dhe për pajisjet teknologjike të ngjashme me ta. Por, nëse pikasni se fëmijët po jepen më shumë se ç’duhet pas kompjuterëve, lojërave kompjuterike, Internetit, e të tjera si këto, është mirë t’ua zgjeroni interesat. Si? Përse të mos i nxitni të mësojnë ndonjë mjeshtëri interesante ose një vegël muzikore? Pra, të merren me diçka të dobishme, që është e veçantë, tërheqëse dhe stimuluese.

Një aktivitet i zgjedhur me kujdes mund të jetë jo vetëm një argëtim freskues, por edhe e ndihmon fëmijën të kultivojë durimin, këmbënguljen, vetëkontrollin dhe të zhvillojë fantazinë. Këto cilësi janë të domosdoshme për t’i bërë ballë jetës, pasi problemet e saj nuk zgjidhen gjithnjë me një klikim të mausit.

Fëmijët kanë nevojë për ‘mençuri dhe aftësi për të menduar’

Në Bibël, të rritur dhe fëmijë inkurajohen të zhvillojnë «fuqinë për të arsyetuar» ose aftësinë për të menduar. (Romakëve 12:1; Proverbat 1:8, 9; 3:21) Kjo na aftëson jo vetëm që të dallojmë të drejtën nga e gabuara, por edhe të dallojmë një veprim të mençur nga një veprim i pamend. Për shembull, nuk është e paligjshme të kalosh orë të tëra duke luajtur në kompjuter ose para televizorit, por, a është e mençur? Nuk është e paligjshme të blesh pajisje elektronike a programe kompjuterike që janë fjala e fundit e teknikës, por përsëri, a është e mençur? Pra, si t’i ndihmoni fëmijët që të bëhen të mençur në lidhje me përdorimin e teknologjisë?

Shpjegojuni rreziqet. Kur vjen puna për teknologjinë dhe Internetin, fëmijët janë të kapshëm, por ngaqë u mungon mençuria dhe përvoja, shpesh tregohen naivë. Pra, tregojuni rreziqet që duhet të shmangin dhe si t’i shmangin. Për shembull, të marrim sitet e rrjeteve shoqërore. Vërtet këto rrjete u mundësojnë fëmijëve të shprehin personalitetin e tyre dhe të njohin të rinj të tjerë, por këto site janë edhe «treg psonisjeje» ku gjuajnë maniakët seksualë dhe njerëzit me synime të liga. * (1 Korintasve 15:33) Prandaj prindërit e kujdesshëm i këshillojnë fëmijët të mos zbulojnë në Internet të dhëna personale të hollësishme. *

Natyrisht, fëmijët kanë të drejtë për njëfarë privaciteti në përputhje me nivelin e tyre të pjekurisë. Por si prind, ke edhe autoritetin që të ka dhënë Perëndia, edhe përgjegjësinë për t’i stërvitur e për t’i mbikëqyrur fëmijët. (Proverbat 22:6; Efesianëve 6:4) Urojmë që ata të mos e marrin interesimin tënd sikur po fut hundët më kot në punët e tyre, por si shprehje të dashurisë për ta.

«Por,—mund të thuash,—si t’i ndihmoj fëmijët kur nuk i njoh pajisjet që përdorin?» Atëherë, përse të mos mësosh të paktën gjërat bazë? Melba, që i ka kaluar të 90-at, nuk kishte prekur kurrë kompjuter deri pas moshës 80-vjeçare. Ajo thotë: «Kur e provova për herë të parë, doja ta flakja nga dritarja. Pas pak muajsh ia mora dorën dhe tani e kam fare kollaj të përdor e-mail dhe të bëj gjëja të tjera.»

Vërini fëmijës kufijtë e duhur për përdorimin e teknologjisë. Ndoshta fëmija veçohet për orë e orë duke u ngulur para televizorit, duke lundruar në Internet ose duke u marrë me lojëra elektronike. Nëse ndodh kështu, përse të mos përcaktoni një orar si dhe vendet në shtëpi ku nuk lejohet përdorimi i teknologjisë? Kjo mund ta ndihmojë djalin ose vajzën të mësojë vlerën e parimit biblik: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.» Kjo do të thotë se ka një kohë për familjen, një kohë për miqtë, për detyrat e shtëpisë, për të ngrënë, për të bërë ca fizkulturë etj. (Eklisiastiu 3:1) Rregullat e arsyeshme—respektimi i të cilave kërkohet vazhdimisht—bëjnë që jeta familjare të ketë një strukturë dhe i ndihmojnë fëmijët të bëhen të edukuar, të marrin parasysh të tjerët dhe të jenë të shoqërueshëm.

Në artikullin e fundit të kësaj serie do të shohim disa parime që mund të na ndihmojnë të gjithëve, qofshim të rritur a fëmijë, që jo vetëm të respektojmë të tjerët kur përdorim teknologjinë, por edhe të tregohemi nikoqirë.

[Shënimet]

^ par. 12 Për prindërit do të jetë një ndihmë po të lexojnë artikullin «Fëmijët dhe Interneti: Çfarë duhet të dinë prindërit» në revistën Zgjohuni! të tetorit 2008. Në revistat e marsit dhedhjetorit 2007, si edhe të janarit 2008 do të gjeni artikuj të dobishëm rreth pornografisë, videolojërave dhe Internetit.

^ par. 12 Disa adoleshentë përdorin edhe celularët për t’u dërguar shokëve fotografi të turpshme ku kanë dalë vetë. Kjo praktikë nuk është vetëm poshtëruese për dërguesin, por edhe marrëzi, sepse, pavarësisht nga qëllimi i tij, shpesh fotografitë u kalojnë edhe të tjerëve.

[Figura në faqen 7]

Fëmijët kanë nevojë për një larmi aktivitetesh që zgjerojnë horizontin e kultivojnë durimin dhe këmbënguljen