Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shihni emrin e Perëndisë në Danimarkë

Shihni emrin e Perëndisë në Danimarkë

Shihni emrin e Perëndisë në Danimarkë

ÇDO vit, shumë prej mijëra turistëve që vizitojnë Kopenhagën habiten kur shohin emrin e Perëndisë, Jehova, ose ekuivalentin e tij në hebraisht יהוה, të shkruar në kështjella dhe ndërtesa të tjera brenda dhe përqark kryeqytetit. * Për shembull, në qendër të qytetit, Kisha e Kantierit Detar (Holmens Kirke) ka një portë ku spikat emri i Perëndisë me germa të mëdha e të praruara. Emri shfaqet edhe brenda portës, në një pllakë përkujtimore të vitit 1661.

Afër Kishës së Kantierit Detar gjendet një ndërtesë e quajtur Kulla e Rrumbullakët (Rundetårn). Në murin e jashtëm, emri hyjnor shfaqet me shkronja të mëdha hebraike si pjesë e një tabele në latinisht. Aty thuhet: «Jehovai vëntë në zemrën e mbretit të kurorëzuar Kristianit të Katërt doktrinën e drejtë dhe drejtësinë!» Si u bë kaq i njohur në Danimarkë emri i Perëndisë?

Reforma protestante dhe përkthimi i Biblës

Faktor i rëndësishëm për përhapjen e emrit të Perëndisë ishte Reforma Protestante. Reformatorët evropianë, si Martin Luteri, Xhon Kalvini dhe Huldrih Cvingli i hynë studimit të zellshëm të Biblës dhe gjuhëve që u shkrua ajo: hebraishtes, aramaishtes dhe greqishtes koine ose të thjeshtë. Si rrjedhojë, ata njohën emrin e Perëndisë. «Ky emër Jehova . . . i përket vetëm Perëndisë së vërtetë»,—tha Martin Luteri gjatë një predikimi.

Megjithatë, kur Luteri e përktheu Biblën në gjermanisht, ndoqi traditën jobiblike sipas së cilës emri hyjnor përkthehej «Zot» ose «Perëndi», pra përdoreshin titujt, jo emri i Perëndisë. Më vonë, Luteri i kërkoi bashkëpunëtorit të tij, Joanes Bugenhagenit, të përgatiste një version të kësaj Bible, në gjermanishten e veriut, gjuha që flitet në Gjermaninë Veriore dhe në Danimarkën Jugore. Në parathënien e tij, në botimin e vitit 1541 (botimi i parë doli në vitin 1533), Bugenhageni e përdori disa herë emrin hyjnor, përfshirë edhe pohimin: «Jehova është emri i shenjtë i Perëndisë.»

Në vitin 1604, teologu Hans-Poulzen Rezeni foli me mbretin Kristian IV për disa gabime në përkthimin danisht të Biblës së Luterit. Rezeni kërkoi leje të përgatiste një përkthim të ri, bazuar në tekstet origjinale në hebraisht dhe greqisht. Leja u dha. Në një shënim për Zanafillën 2:4, Rezeni shkroi se «Jehovai» është «Qenia më e lartë, i vetmi Zot». *

Ndërsa emri i Perëndisë bëhej i njohur, filloi të shfaqej në vende publike. Për shembull, në vitin 1624, kur Hans-Poulzen Rezeni ishte caktuar peshkop, urdhëroi që një pllakë të vihej në Kishën e Brons’hojit. Në krye të pllakës, me shkronja të praruara, është emri i Perëndisë në danisht, Jehova. Gjithashtu, në shumë nga shkrimet e tij si peshkop, bashkë me nënshkrimin e tij, Rezeni shkruante edhe fjalët «Jehovai sheh».

Nga fundi i shekullit të 18-të, u botua në danisht përkthimi i Biblës në gjermanisht nga Joan-David Mihaelisi. Edhe kjo Bibël e ka emrin e Perëndisë në shumë vende. Po kështu, në shekullin e 19-të, përkthyes të Biblës, si Kristian Kalkari e të tjerë, e vunë emrin hyjnor në shumicën e vendeve ku shfaqet në tekstin origjinal. Në vitin 1985, Dëshmitarët e Jehovait botuan Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në danisht. Ata që e duan Biblën u drithëruan kur panë emrin Jehova, që me besnikëri ishte përkthyer mbi 7.000 herë.

Jezu Krishti tha në një lutje drejtuar Perëndisë: «Unë ua kam shfaqur emrin tënd njerëzve.» (Gjoni 17:6) Edhe në lutjen model, që nganjëherë quhet lutja «Ati ynë», Jezui tha: «U shenjtëroftë [u bëftë i shenjtë] emri yt.» (Mateu 6:9) Siç tregon historia fetare e Danimarkës, shumë njerëz i kanë marrë me seriozitet këto fjalë.

[Shënimet]

^ par. 2 Këto katër shkronja, të quajtura Tetragrami, janë bashkëtingëllore dhe lexohen nga e djathta në të majtë. Zakonisht transliterohen YHWH ose JHVH. Në lashtësi lexuesi i vinte vetë zanoret që mungonin, siç ndodh rëndom sot kur lexohen shkurtimet.

^ par. 7 Te Zanafilla 2:4 del për herë të parë emri i Perëndisë në tekstin origjinal të Biblës së Shenjtë. Ky emër shfaqet rreth 7.000 herë në tekstin origjinal dhe do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Kështu emri e identifikon Jehovain si Ai, qëllimi i të cilit plotësohet gjithnjë. Gjithçka që thotë ai, realizohet.

[Kutia dhe figura në faqen 25]

TIO BRAE DHE EMRI I PERËNDISË

Në vitin 1597, astronomi danez Tio Brae, e la atdheun e tij pas konflikteve me fisnikërinë daneze dhe mbretin Kristian IV. Në një poemë lamtumire drejtuar Danimarkës, Brae shkroi në latinisht: «Të huajt do të tregojnë dashamirësi me mua: ky është vullneti i Jehovait.»

[Figura në faqet 24, 25]

Porta e Kishës së Kantierit Detar

[Figura në faqet 24, 25]

Kulla e Rrumbullakët

[Figura në faqen 25]

Hans-Poulzen Rezeni

[Figura në faqen 25]

Joanes Bugenhageni përdori emrin e Perëndisë në parathënien e Biblës së Luterit në gjermanishten veriore, 1541

[Burimi i figurës në faqen 25]

Hans-Poulzen Rezeni dhe Tio Brae: Kobberstiksamlingen, Det Kongelige Bibliotek, København