Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Eja të shohësh një treg afrikan

Eja të shohësh një treg afrikan

Eja të shohësh një treg afrikan

NJË nga mënyrat më të mira për të eksploruar kulturën, zakonet dhe kuzhinën e një vendi, është të shkosh në një treg të tij. Atje mund të vëresh vendësit, të shijosh ushqimin e tyre dhe të blesh gjërat që shesin. Gjithashtu, do të takosh tregtarë interesantë që do të bëjnë çmos të komunikojnë me ty, pavarësisht se çfarë gjuhe flet.

Tregje më magjepsëse se ato të Afrikës, vështirë të gjesh. Ato janë plot e përplot me njerëz e produkte të çdo lloji që mund të mendosh. Aty mund të ndiesh pulsin e Afrikës. Eja me mua për të parë një treg tipik këtu në Dualë të Kamerunit.

Të shkosh në treg sipas mënyrës afrikane

Në shumë qytete të mëdha afrikane, mënyra më e lirë dhe më e shpejtë për të shkuar në treg është me motoçikletë. Pothuajse në çdo cep rruge gjen motoçiklistë që ofrojnë shërbimin e tyre. Nëse ke guxim, mund t’i kërkosh njërit prej tyre të të çojë. Në Kamerun, ky sistem transporti i përhapur s’e ka shokun qoftë për nga çmimi, qoftë për nga shpejtësia.

Për ata që nuk duan kaq shumë aventurë, ka me bollëk edhe taksi normale. Shpesh, në të njëjtën taksi ngjeshen disa pasagjerë, që të ndajnë çmimin.

Qindra tezga

Ai që vjen për herë të parë në këtë treg, mund të shtanget nga numri i madh i njerëzve dhe tezgave nëpër rrugë. Një mizëri njerëzish, ndër të cilët edhe fëmijë, i mbajnë mallrat mbi kokë. Po të shohësh më nga afër, në koshat e tyre ka ndër të tjera pula të gjalla, portokalle të qëruara dhe lloje të ndryshme ilaçesh.

Me qindra tezga druri janë mbushur plot me perime, si lakra, karota, kastraveca, patëllxhanë, kunguj, mashurka, patate të ëmbla, domate, jams dhe lloje të ndryshme sallate. Vizitorët nga një kontinent tjetër mund të mos i njohin të gjitha produktet, pasi disa perime që pëlqehen në vend, nuk njihen jashtë Afrikës. Ndoshta tezgat më të larmishme janë ato ku shiten speca të kuqe e të verdha, kaq të freskëta sa vezullojnë në diellin e mëngjesit. Në shumë tezga ka avokado, banane, qitro, pjepra, ananasë, portokalle e limonë. Duken kaq të shijshme dhe çmimet janë vërtet tunduese! Ka me bollëk edhe jams, kasava dhe oriz, që janë baza e produkteve vendëse, si dhe qepë e hudhra të importuara.

Në një nga tregjet e Dualës, shumica e pronarëve të tezgave janë të etnive hausa dhe fula. Këta tregtarë dallohen për shkak të rrobave të gjata tipike blu, të bardha ose të verdha, që quhen gandura ose bubu, dhe për shkak të përshëndetjes së tyre miqësore në gjuhën fulfulde. Në treg të gjithë e marrin me nge. Këtë herë, pronari i një tezge, Ibrahimi, zgjedh tre qepë të mëdha e m’i jep dhuratë. «Thuaji gruas t’i mbushë me oriz e me erëza pikante dhe t’i gatuajë në zjarr të ulët»,—më rekomandon.

Pak më tutje, shitet mish i sapotherur, kryesisht viçi e dhie. Burra të fortë mbajnë në sup kafshë të mëdha të therura e i hedhin mbi tavolina. Kasapët, duke vringëllirë me shkathtësi thikat e tyre të gjata, ftojnë klientët të zgjedhin pjesën që duan. Shiten edhe dhi të gjalla, pula e derra, për klientët që preferojnë t’i therin vetë.

Eja të hamë në një gjellëtore

Nuk mund të mendohet një treg pa një vend ku të hash. Në Kamerun, tezgat me ushqim njihen si gjellëtore të lira. Në disa prej tyre vënë muzikë me zë të lartë për të tërhequr klientët, kurse të tjerat janë të qeta e mund të porositësh një pjatë tipike afrikane e të takosh vendësit. Ka shumë të ngjarë që menuja të jetë e shkruar në një dërrasë të zezë dhe, ata që nuk i njohin gjellët vendëse, mund të kenë nevojë për ndihmë që t’i përkthejnë.

Dy përbërës bazë janë orizi dhe fufuja, një përzierje e shtypur në havan, e bërë me maniokë, një lloj bananeje ose jams. Do të gjesh edhe mish, biftek e pulë në skarë, të shërbyera me salcë të bërë nga bamjet, gjalpi i kikirikut ose domatet. Në gjellëtore, ritmi është i shtruar dhe ke shumë mundësi të bësh muhabet.

Dy kameriere vijnë të na shërbejnë. Njëra ka një tabaka të madhe me pjata metalike plot me oriz që nxjerr avull, fasule dhe fufu. Këto pjata kryesore janë përgatitur me salcë bamjesh dhe si garniturë kanë shishqebap mishi e peshku. Ka edhe një kanë të vogël me salcë me speca djegëse për ata që e pëlqejnë ushqimin pikant. Kamerierja e dytë ka një peshqir e një legen me ujë që të lajmë duart. Kjo është e domosdoshme, sepse pjatat vendëse zakonisht hahen me duar. Nuk është e pazakontë që një klient të lutet para se të hajë dhe pastaj të dëgjojë klientët e tavolinës ngjitur të thonë «Amin».

Flasim për lajmin e mirë në treg

Prej kohësh, tregjet ose pazaret kanë luajtur një rol të rëndësishëm shoqëror në shumë komunitete. Ato janë ideale jo vetëm për të shitur e për të blerë, por edhe për të shpërndarë lajme, për të takuar miq e madje edhe për të gjetur punë. Bibla thotë se Jezui vizitoi tregje, ku u mësoi njerëzve për Perëndinë dhe bëri shërime. Edhe apostulli Pavël arsyetoi «në sheshin e pazarit me ata që qëllonin atje». (Veprat 17:16, 17; Marku 6:56) Edhe sot, për Dëshmitarët e Jehovait në Kamerun, tregu është një vend i shkëlqyer për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë.—Nga një bashkëpunëtor.

[Figura në faqen 24]

Speca me ngjyra të gjalla