Çfarë kanë thënë njerëzit?
Francë: «Dëshmitarët e Jehovait janë qytetarë që respektojnë ligjet e Republikës. . . . Ata nuk përbëjnë rrezik për rendin publik. Punojnë, paguajnë taksat, marrin pjesë në zhvillimet ekonomike të vendit tonë dhe bëjnë bamirësi. Është kënaqësi kur sheh njerëz nga të gjitha racat e prejardhjet, të mbledhur në paqe. . . . Nëse të gjithë do të ishin Dëshmitarë, ne policët do të ngelnim pa punë.»—Zëdhënësi i një sindikate për policët në Francë.
Ukrainë: «Dëshmitarët e Jehovait u ngulitin fëmijëve të tyre parime të larta morale. U mësojnë të shmangin sjellje, veprime dhe madje qëndrime që, [ndonëse] në ditët e sotme konsiderohen si normale, mund t’u bëjnë keq atyre dhe të tjerëve. Kështu i paralajmërojnë fëmijët për drogën, duhanin dhe abuzimin me alkoolin. Ata e dinë rëndësinë e ndershmërisë dhe të punës së palodhur. . . . Dëshmitarët e Jehovait u mësojnë fëmijëve të kenë cilësi morale, të respektojnë autoritetet, të tjerët dhe pronën e tyre, si dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve.»—Libri Historia e fesë në Ukrainë, nga profesor Petro Jarotski.
Itali: «Tridhjetë mijë veta në Stadiumin Olimpik dëgjonin në qetësi. . . . Asnjë mbeturinë, asnjë zhurmë, asnjë e bërtitur. Kjo ishte atmosfera e Stadiumit Olimpik dje. . . . Asnjë gjest i papërshtatshëm, asnjë cigare, asnjë kanaçe e hedhur. Vetëm Bibla të hapura, njerëz që mbanin shënime dhe fëmijë që rrinin ulur pa bërë zë.»—Një artikull në gazetën L’Unità që fliste për një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait në Romë.
«Dëshmitarët e Jehovait u mësojnë fëmijëve të kenë cilësi morale . . . dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve»
Britani: «Kryedhjaku i Çeltnamit tha se [Kisha e Anglisë] ka nevojë për grupe njerëzish të kushtuar që të dalin për të predikuar shtëpi më shtëpi si Dëshmitarët e Jehovait.»—The Gazette, Dioqeza e Glosterit.
Holandë: Banorët afër Sallës së Mbretërisë (vendi ku mblidhen Dëshmitarët e Jehovait) në qytetin e Lavardenit u dërguan Dëshmitarëve atje një letër që thoshte: «Duam t’ju përgëzojmë që na zbukuroni Nordervekun [rrugën Norder]. Jeni gjithmonë të veshur mirë dhe keni një sjellje të paqortueshme. Fëmijët janë të sjellshëm, të rriturit nuk i parkojnë kurrë makinat aty ku nuk lejohet, nuk hedhin mbeturina në rrugë dhe ambienti përreth Sallës së Mbretërisë është gjithmonë i pastër dhe i rregullt. Shpresojmë që të jeni fqinjët tanë për një kohë të gjatë, sepse jemi shumë të kënaqur që ju kemi këtu.»
Meksikë: Eljo Masferreri, profesor dhe studiues në Shkollën Kombëtare të Antropologjisë dhe Historisë, tha se Dëshmitarët ndihmonin njerëzit që ‘kishin kaluar probleme të mëdha familjare, si: përdhunim, abuzim në familje, alkoolizëm dhe varësi nga droga’. Ai tha se mësimet e Dëshmitarëve «u japin dinjitet njerëzve që kanë pasur ndjenja inferioriteti» dhe i ndihmojnë «t’i kursejnë vetes telashe të mëdha ngaqë jetojnë siç i pëlqen Perëndisë».—Gazeta Excélsior.
Brazil: Një gazetë shkruante: «Organizata e Dëshmitarëve të Jehovait të bën vërtet përshtypje. Vendet ku mblidhen janë gjithmonë të pastra. Çdo gjë është e organizuar më së miri. . . . Pas një organizimi e lënë vendin më pastër se ç’e gjetën. Gjatë fjalimeve mbajnë qetësi absolute. Nuk sheh asnjë që shtyn ose godet të tjerët. Mbizotëron sjellja e mirë. . . . Është vërtet një fe e rregullt. E dinë se ç’do të thotë të adhurosh Perëndinë.»—Gazeta Comércio da Franca.
Dëshmitarët e Jehovait janë të bindur se Krijuesi i di më mirë se kushdo parimet që duhet të ndjekin krijesat e tij. (Isaia 48:17, 18) Prandaj, ata ia japin atij meritën kur marrin lavdërime për sjelljen e mirë. Jezui tha: «Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.»—Mateu 5:16.