Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Hepatiti B​—Vrasës i heshtur

Hepatiti B​—Vrasës i heshtur

Hepatiti B​—Vrasës i heshtur

«Isha 27 vjeç, i martuar prej pak kohësh dhe dukesha e ndihesha mirë me shëndet. Mbaja peshën e një pune mjaft stresuese ndërsa kujdesesha edhe për shumë përgjegjësi në kongregacionin ku shkoja si Dëshmitar i Jehovait. As që ma merrte mendja se hepatiti B kishte filluar të më shkatërronte mëlçinë.»—Dak Juni.

MËLÇIA pastron gjakun nga helmet dhe kryen të paktën 500 funksione të tjera të rëndësishme. Ja pse hepatiti—infeksioni i mëlçisë—mund të ketë pasoja shkatërrimtare për shëndetin e njeriut. Ai mund të vijë nga konsumimi i tepërt i alkoolit ose ekspozimi ndaj lëndëve helmuese. Por më shpesh shkaktarët kryesorë janë viruset. Shkencëtarët kanë zbuluar pesë viruse të këtij lloji dhe besojnë se ka të paktën edhe tre të tjerë.—Shih kutinë më poshtë.

Vetëm një nga pesë viruset—virusi i hepatitit B (HBV)—vret të paktën 600.000 njerëz në vit, pak a shumë aq sa malaria. Më se dy miliardë njerëz, gati një e treta e popullsisë botërore, janë infektuar me HBV dhe shumica janë shëruar brenda pak muajsh. Por, rreth 350 milionë prej këtyre, u kthehet në sëmundje kronike. Gjatë gjithë jetës—u shfaqen apo jo simptoma—këta mund të infektojnë të tjerë. *

Kujdesi i duhur mjekësor në fazat e para, mund t’i ndihmojë disa që u është kthyer në kronike sëmundja, që të mos u dëmtohet rëndë mëlçia. Por shumica nuk e kuptojnë se janë të infektuar me këtë virus, pasi ai diagnostikohet vetëm me një analizë të veçantë gjaku. Edhe nëse bëhen analizat e zakonshme të mëlçisë, ato mund të dalin mirë. Kështu, HBV-ja mund të jetë një vrasës i heshtur që të godet pa dhënë shenja. Mund të japë simptoma edhe dekada pasi merret virusi. Në këtë kohë mund të jetë zhvilluar ose cirrozë, ose kanceri i mëlçisë. Këto sëmundje vrasin 1 në 4 bartës të HBV-së.

«Si e mora virusin e HBV-së?»

«Simptomat e para i pata kur isha 30 vjeç,—thotë Dak Juni.—Kisha diarre, prandaj u vizitova te një mjek i mjekësisë perëndimore, por ai më kuroi vetëm simptomat. Atëherë shkova te një mjek i mjekësisë tradicionale aziatike, i cili më dha ilaçe për zorrët dhe stomakun. Asnjë nga doktorët nuk më kontrolloi për hepatit. Ngaqë diarreja nuk më ndalonte, u ktheva te mjeku i parë. * Ai më goditi lehtë në anën e djathtë të barkut ku më dhembi. Bëra një analizë që vërtetoi dyshimin e tij: kisha virusin e hepatitit B. U trondita. Nuk kisha bërë kurrë transfuzion gjaku e as kisha pasur jetë seksuale të shthurur.»

Pasi Dak Juni mësoi se kishte virusin e HBV-së, gruaja, prindërit, motrat e vëllai i tij bënë analizat e gjakut dhe panë se të gjithë kishin antitrupa ndaj HBV-së. Megjithatë, në rastin e tyre sistemi imunitar e kishte luftuar virusin. Mos vallë Dak Junit ia kishte ngjitur virusin ndonjëri prej tyre? Apo të gjithë e kishin marrë nga i njëjti burim? Askush nuk mund ta thotë me siguri. Në fakt, në 35 për qind të rasteve, shkaktari mbetet mister. Por ajo që dihet me siguri është se hepatiti B nuk është i trashëgueshëm dhe thuajse asnjëherë nuk merret kur takojmë të tjerët ose nga ushqimi. HBV-ja ngjitet kur gjaku ose lëngje të tjera të trupit, si sperma, sekrecionet vaginale ose pështyma e të infektuarit hyn në gjakun e dikujt tjetër nëpërmjet të çarave në lëkurë ose mukozës.

Shumë veta vazhdojnë të infektohen nga transfuzionet me gjak të infektuar, sidomos në ato vende ku diagnostikimi i HBV-së është i kufizuar ose nuk ekziston. Me HBV infektohesh 100 herë më kollaj se me virusin e HIV-it, i cili shkakton SIDA-n. Edhe një sasi e vogël gjaku të infektuar, si për shembull ajo që mbetet në një brisk, mund të të ngjitë HBV-në, dhe një njollë gjaku e tharë mund ta ruajë infeksionin për një javë a më shumë. *

Nevojitet kuptueshmëri

«Kur kompania ku punoja mori vesh se kisha HBV-në, më vunë në një zyrë të vogël larg shumicës së kolegëve»,—kujton Dak Juni. Kjo sjellje nuk është e pazakontë dhe vjen kur njerëzit nuk e kuptojnë si përhapet virusi. Madje edhe ata që janë të mirinformuar mund ta ngatërrojnë hepatitin B me hepatitin A, që përhapet më kollaj, por është më pak i rrezikshëm për jetën. Për më tepër, ngaqë HBV-ja mund të transmetohet seksualisht, edhe të infektuarit që kanë jetë të pastër morale ndonjëherë mund të shihen me dyshim.

Keqkuptimet dhe dyshimet mund të sjellin probleme serioze. Për shembull, në mjaft vende bartësit e HBV-së i izolojnë pa qenë nevoja, të rinj a të moshuar qofshin. Fqinjët nuk i lënë fëmijët të luajnë me ta, shkollat nuk i pranojnë dhe punëdhënësit nuk i marrin në punë. Nga ana tjetër, frika nga diskriminimi i pengon njerëzit të bëjnë analizat për HBV-në ose t’u thonë të tjerëve se janë me hepatit. Disa madje e kanë më mirë të rrezikojnë shëndetin e tyre dhe të familjarëve, sesa të zbulojnë të vërtetën. Kështu cikli vdekjeprurës i sëmundjes mund të vazhdojë për breza të tërë.

Nevojitet pushim

«Megjithëse mjeku më rekomandoi pushim absolut, pas dy muajsh u ktheva në punë,—tregon Dak Juni.—Analizat e gjakut dhe skanerët TK treguan se nuk kisha shenja cirroze, kështu që mendova se isha mirë.» Pas tri vjetësh, Dak Junin e transferuan me punë në një qytet të madh ku jeta u bë më stresuese për të. Duhej të punonte që të paguante faturat dhe të mbante familjen.

Brenda pak muajsh, përqendrimi i virusit në gjakun e Dak Junit u rrit shumë dhe ai filloi të ndihej i këputur. «M’u desh ta lija punën,—thotë ai,—dhe tani jam penduar që punova aq shumë. Nëse do të isha treguar i arsyeshëm kohë më parë, ndoshta nuk do isha kaq rëndë duke e dëmtuar më shumë mëlçinë.» Dak Juni nxori një mësim të rëndësishëm. Që nga ai moment punonte dhe shpenzonte më pak. Për më tepër, e gjithë familja e tij bashkëpunoi, madje e shoqja filloi një punë të vogël për të ndihmuar me pagesën e faturave.

Bashkëjetesa me hepatitin B

Shëndeti i Dak Junit u normalizua, por mëlçia e tij arrinte gjithnjë e më pak të përballonte sasinë e gjakut që kalonte në të, duke i ngritur tensionin e gjakut. Pas 11 vjetësh i plasi një venë në ezofag dhe gjaku i vërshoi nga gryka. Përfundoi menjëherë në spital ku qëndroi një javë. Katër vjet më vonë, ai pësoi pështjellim mendor. Në tru i ishte mbledhur një sasi amoniaku që mëlçia nuk kishte arritur ta filtronte. Megjithatë, me anë të trajtimit mjekësor, u shërua brenda disa ditësh.

Dak Juni tani është 54 vjeç. Nëse sëmundja i rëndohet, nuk ka shumë alternativa për ta mbajtur nën kontroll. Kurat antivirale nuk mund t’ia heqin krejtësisht virusin dhe mund të kenë efekte anësore të rënda. Mundësia e fundit është transplantimi i mëlçisë, por lista e atyre që presin një transplantim është më e gjatë se ajo e dhuruesve. «Jam një bombë me sahat,—thotë Dak Juni.—Por nuk ia vlen ta vrasësh mendjen. Rëndësi ka që jam akoma gjallë, kam një vend ku të fle dhe një familje të shkëlqyer. Në fakt, në njëfarë kuptimi, situata e tanishme është kthyer në një bekim që nuk ma merrte mendja. Kam më shumë kohë për të ndenjur me familjen dhe për të studiuar Biblën. Kjo më lehtëson nga frika e vdekjes së parakohshme dhe më ndihmon të pres me padurim një jetë pa sëmundje.» *

Pikëpamja pozitive e Dak Junit ka ndihmuar që familja e tij të bëjë një jetë të lumtur. Bashkë me gruan e tre fëmijët, predikojnë në kohë të plotë si të krishterë.

[Shënimet]

^ par. 4 Sëmundja konsiderohet kronike nëse sistemi imunitar nuk e eliminon virusin brenda gjashtë muajsh.

^ par. 7 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë trajtim të veçantë mjekësor.

^ par. 9 Gjaku i një personi të infektuar duhet pastruar mirë dhe në çast duke përdorur doreza dhe një solucion të sapopërgatitur me klor e ujë (sasia e klorit duhet të jetë sa një e dhjeta e sasisë së ujit).

^ par. 18 Në lidhje me shpresën biblike për një kohë kur nuk do të ketë më sëmundje, shih Zbulesën 21:3, 4 dhe librin Çfarë mëson vërtet Bibla?

[Diçitura në faqen 13]

Kujdesi mjekësor në fazat e para mund të parandalojë sëmundjen

[Diçitura në faqen 14]

Frika nga diskriminimi i pengon shumë veta të bëjnë analizat për HBV-në ose t’u thonë të tjerëve se janë me hepatit

[Kutia në faqet 12, 13]

Ç’LLOJ HEPATITI ËSHTË?

Njihen pesë viruse që shkaktojnë hepatitin, nga të cilët tre më të zakonshmit janë viruset A, B dhe C. Dyshohet edhe për viruse të tjera. Simptomat e të gjitha formave të hepatitit mund të jenë të ngjashme me ato të gripit dhe mund ose mund të mos përfshijnë verdhëzën. Shumë veta, sidomos fëmijët, nuk kanë fare simptoma. Kur dikush ka hepatitin B ose C, në kohën që i fillojnë simptomat, mëlçia mund t’i jetë dëmtuar rëndë.

VIRUSI I HEPATITIT A (HAV)

Virusi HAV gjendet në feçet e një njeriu të infektuar. Ai mund të mbijetojë në ujë të kripur ose të ëmbël, si dhe në copa akulli. Ky virus mund të merret me anë të mënyrave të mëposhtme:

Nëse hamë fruta deti të gjalla të kapura në ujë të ndotur nga jashtëqitjet njerëzore ose kur pimë ujë të ndotur

Nëse fizikisht qëndrojmë shumë afër me një të infektuar ose hamë nga ushqimi i tij, pimë nga pijet e tij ose përdorim enët e tij të gatimit

Nëse nuk i lajmë mirë duart pasi mbarojmë punë në banjë, pasi ndërrojmë rrobat e një foshnje të infektuar ose para se të përgatitim ushqimin

HAV-i shkakton sëmundje akute, por në përgjithësi jokronike. Thuajse në të gjitha rastet, trupi çlirohet vetë nga virusi brenda pak javësh a muajsh. Nuk ekziston një trajtim mjekësor i përcaktuar përveç pushimit dhe ushqimit të përshtatshëm. Alkooli, si edhe ilaçet që e rëndojnë mëlçinë, si paracetamoli, nuk duhen marrë derisa mjeku të përcaktojë se mëlçia është shëruar plotësisht. Nëse dikush e ka kaluar HAV-in, ka të ngjarë të mos preket më me të, por me ndonjë lloj tjetër hepatiti. Hepatiti A mund të parandalohet me anë të vaksinimit.

VIRUSI I HEPATITIT B (HBV)

Ky virus gjendet në gjak, në spermë dhe në sekrecionet vaginale të të infektuarve. Ai përhapet kur këto hyjnë në trupin e dikujt që nuk ka imunitet kundrejt tij. Virusi mund të transmetohet me anë të:

Lindjes (nga nëna te fëmija)

Pajisjeve mjekësore, dentare, ato për tatuazhe ose për piercing (shpime në trup) që nuk janë sterilizuar siç duhet

Gjilpërave, brisqeve, limave e prerëseve të thonjve, furçave të dhëmbëve dhe çdo gjëje tjetër që e përdorim me të infektuarin e që mund të përçojë një njollë të vockël gjaku nëpërmjet të çarave të lëkurës

Marrëdhënieve seksuale

Autoritetet në fushën e shëndetësisë besojnë se HBV-ja nuk përhapet nga insektet ose nga kolla, prekja e duarve, përqafimi, puthjet në faqe, qumështi i gjirit, nga ngrënia në të njëjtën pjatë, përdorimi i të njëjtëve shkopinj kinezë ose i mjeteve të tjera të kuzhinës. Shumica e të rriturve shërohen nga HBV-ja akute dhe fitojnë imunitet ndaj tij. Fëmijët e vegjël rrezikojnë mjaft të marrin infeksion kronik. Nëse nuk kurohet, hepatiti B mund të çojë në mosfunksionim të mëlçisë dhe në vdekje. Ai mund të parandalohet me anë të vaksinimit.

VIRUSI I HEPATITIT C (HCV)

HCV-ja transmetohet pak a shumë si HBV-ja, por më tepër me anë të gjilpërave të infektuara. Për këtë lloj hepatiti nuk ka vaksinë. *

[Shënimi]

^ par. 46 Organizata Botërore e Shëndetësisë siguron në disa gjuhë informacione të mëtejshme për hepatitin, në adresën e Internetit www.who.int.

[Kutia në faqen 14]

SI TË NDËRPRITET CIKLI I HBV-së?

Ndonëse HBV-ja prek njerëz në të gjithë botën, rreth 78 për qind e atyre me hepatitin B kronik jetojnë në Azi dhe në ishujt e Paqësorit. Në pjesën më të madhe të kësaj zone, 1 në 10 veta është bartës i virusit. Shumica e tyre e trashëgojnë virusin nga nëna ose, kur janë të vegjël, nga gjaku i fëmijëve të infektuar. Një vaksinë e efektshme për të sapolindurit dhe të tjerët që rrezikojnë, po ndihmon për të ndërprerë ciklin e përhapjes së HBV-së. * Aty ku është bërë vaksinimi, numri i të prekurve ka rënë ndjeshëm.

[Shënimi]

^ par. 51 Në disa vende vaksina e hepatitit mund të përgatitet nga fraksione të gjakut. Të interesuarit mund të lexojnë pjesën «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 qershorit 2000 dhe të 1 shkurtit 1995. Informacione mund të gjenden edhe në faqen 215 të librit ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 15]

Dak Juni me gruan dhe tre fëmijët

[Burimi i figurës në faqen 12]

© Sebastian Kaulitzki/Alamy