Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’do të thotë të kthesh faqen tjetër?

Ç’do të thotë të kthesh faqen tjetër?

Pikëpamja e Biblës

Ç’do të thotë të kthesh faqen tjetër?

NË PREDIKIMIN në Mal, për të cilin është folur kaq shumë, Jezu Krishti tha: «Mos kundërvepro ndaj njeriut të lig, por atij që të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën.»—Mateu 5:39.

Çfarë donte të thoshte me këto fjalë? A po i nxiste të krishterët të ishin viktima që nuk duhet të ngrenë as gishtin për t’u mbrojtur? A duhet ta durojnë të krishterët abuzimin në heshtje pa kërkuar mbrojtje ligjore?

Çfarë donte të thoshte Jezui?

Për të kuptuar këtë, duhet të kemi parasysh kontekstin e këtyre fjalëve që tha ai dhe kujt po i drejtohej. Para se të jepte këtë këshillë, Jezui kishte folur për gjëra që dëgjuesit tashmë i dinin nga Shkrimet e Shenjta. Ai tha: «Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Sy për sy e dhëmb për dhëmb.’»—Mateu 5:38.

Jezui po i citonte këto fjalë nga Dalja 21:24 dhe Levitiku 24:20. Vlen të përmendim se në përputhje me Ligjin e Perëndisë, ndëshkimi «sy për sy» që përmendet te këto shkrime, zbatohej siç duhej vetëm pasi i akuzuari kishte dalë para priftërinjve e gjykatësve që shqyrtonin çështjen dhe kuptonin nëse shkelja ishte bërë me qëllim.—Ligji i përtërirë 19:15-21.

Me kalimin e kohës, judenjtë e shtrembëruan zbatimin e këtij ligji. Një komentues biblik i shekullit të 19-të, Adam Klarku, thotë: «Duket sikur judenjtë e përdornin këtë ligj [sy për sy, dhëmb për dhëmb] si bazë për të justifikuar mëritë personale dhe gjithë shkeljet që kryenin nga fryma e hakmarrjes. Hakmarrësi shpesh shkonte në ekstrem dhe dëmi që bënte ishte më i madh se dëmi që kishte pësuar.» Megjithatë, në Shkrime nuk lejohej hakmarrja personale.

Mësimi i Jezuit në Predikimin në Mal ‘për të kthyer faqen tjetër’, pasqyron frymën e duhur të Ligjit të Perëndisë në Izrael. Jezui nuk donte të thoshte se, nëse dishepujt i godasin në njërën faqe, duhet të dridhen para atij që i godet dhe t’i drejtojnë faqen tjetër. Në kohët biblike, siç ndodh shpesh edhe sot, një shuplakë nuk jepej me qëllim që të dëmtonte fizikisht dikë, por ishte një fyerje për të provokuar një reagim, një grindje.

Pra, me sa duket Jezui donte të thoshte se, nëse dikush përpiqej të provokonte dikë për të filluar një grindje duke e gjuajtur me shuplakë—ose duke përdorur sarkazëm thumbuese—atëherë ky i dyti nuk duhej të kundërpërgjigjej. Përkundrazi, duhej të përpiqej të shmangte atë që mund të kthehej në një rreth vicioz hakmarrjesh duke ia kthyer të keqen me të keqe.—Romakëve 12:17.

Fjalët e Jezuit ishin mjaft të ngjashme me ato të mbretit Solomon: «Mos thuaj: ‘Si ma bëri, ashtu do t’ia bëj. Do t’ia kthej secilit sipas veprave të veta.’» (Proverbat 24:29) Një dishepull i Jezui do të kthente faqen tjetër në kuptimin që nuk do t’i lejonte të tjerët ta detyronin, si të thuash, «të luftojë».—2 Timoteut 2:24.

Ç’të themi për vetëmbrojtjen?

Të kthesh faqen tjetër nuk do të thotë që një i krishterë nuk duhet të vetëmbrohet kundër sulmuesve të dhunshëm. Jezui nuk po thoshte se nuk duhet të mbrohemi kurrë, por se nuk duhet të sulmojmë, domethënë nuk duhet të biem pre e provokimit dhe të marrim hak. Megjithëse është e mençur të tërhiqemi kur është e mundur që të shmangim një grindje, është e përshtatshme të marrim masa për t’u mbrojtur dhe të kërkojmë ndihmën e policisë nëse jemi viktimë e një krimi.

Dishepujt e hershëm të Jezuit në mënyrë të përshtatshme zbatonin të njëjtin parim kur mbronin të drejtat e tyre ligjore. Për shembull, apostulli Pavël përfitoi nga sistemi ligjor i asaj kohe, që të mbronte të drejtën e tij për të përmbushur urdhrin që u kishte dhënë Jezui dishepujve për të predikuar. (Mateu 28:19, 20) Gjatë një udhëtimi predikimi në qytetin e Filipisë, Pavli dhe shoku i tij misionar, Sila, u arrestuan nga autoritetet civile dhe u akuzuan për shkelje ligji.

Pastaj të dy i rrahën me thupër në sy të shumë njerëzve dhe i futën në burg pa u bërë gjyq. Kur iu dha rasti, Pavli përdori të drejtat e tij si qytetar romak. Kur mësuan se Pavli ishte qytetar romak, autoritetet patën frikë nga pasojat dhe iu përgjëruan Pavlit dhe Silës të iknin pa hapur telashe. Kështu, ‘duke mbrojtur dhe duke themeluar ligjërisht lajmin e mirë’ Pavli vendosi një model për t’u ndjekur.—Veprat 16:19-24, 35-40; Filipianëve 1:7.

Ashtu si Pavli, Dëshmitarët e Jehovait vazhdimisht kanë qenë të detyruar të përfshihen në beteja ligjore në gjykata që të mbrojnë të drejtën e tyre për t’i shërbyer Perëndisë. Kjo ka ndodhur edhe në ato vende ku normalisht pretendohet se ka liri fetare. Gjithashtu, kur bëhet fjalë për krime dhe sigurinë personale, nuk pritet që Dëshmitarët e Jehovait të kthejnë faqen tjetër, domethënë të pranojnë abuzimin pa mbrojtur veten. Ata ndërmarrin hapat ligjorë për t’u mbrojtur.

Pra, si të krishterë, Dëshmitarët me të drejtë bëjnë atë që është e nevojshme për të vendosur disa të drejta ligjore, megjithëse e dinë se rezultati i masave që marrin shpesh është i kufizuar. Prandaj, ashtu si Jezui, në fund ata i lënë gjërat në dorë të Jehovait, me besim se ai do të veprojë duke i njohur mirë faktet dhe se çdo ndëshkim prej tij do të pasqyrojë drejtësi të përsosur. (Mateu 26:51-53; Juda 9) Të krishterët e vërtetë nuk harrojnë se hakmarrja i përket Jehovait.—Romakëve 12:17-19.

A DONI TË DINI?

● Çfarë nuk duhet të bëjnë të krishterët?​—Romakëve 12:17.

● A e ndalon Bibla që t’u drejtohemi organeve ligjore për t’u mbrojtur?​—Filipianëve 1:7.

● Çfarë besimi kishte Jezui tek Ati i tij?​—Mateu 26:51-53.