Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Hyra në garën më të mirë të jetës sime

Hyra në garën më të mirë të jetës sime

Hyra në garën më të mirë të jetës sime

Treguar nga Karl-Erik Bergmani

Vrapi i shpejtë më jepte një ndjesi fantastike. Kisha talent, prandaj vrapimi u bë gjëja kryesore në jetën time.

NË VITIN 1972, kur isha 17 vjeç, u futa në një klub sportiv. Shpejt e kuptova se sa punë kisha përpara nëse doja të bëja pjesë në elitën e atletëve. E dija se nuk mjafton vetëm talenti për t’u bërë një sprinter kampion, por isha gati t’i futesha punës.

Në moshën 22-vjeçare, më morën në skuadrën kombëtare të Finlandës. Vitin pasues kisha mesataren më të mirë nga të gjithë atletët e Finlandës në 100-metërsh. Por u dëmtova në tendinin e Akilit e në tendinet e kofshës dhe kështu nuk e arrita maksimumin tim. Megjithatë isha kaq i apasionuar pas vrapimit sa fillova të stërvitja atletët e ardhshëm. Në vitin 1982, vendosa të shkoja në Kaliforni, Shtetet e Bashkuara, për të studiuar në një universitet dhe për të bërë karrierë në fushën e sportit në atë vend me klimë më të favorshme. Madje bleva edhe biletën e avionit.

Jeta ime ndryshoi

Një mbrëmje, pak para se të nisesha për në Kaliforni, dikush i ra ziles së shtëpisë. Kur hapa derën përballë meje qëndronin dy Dëshmitare të Jehovait. Ishin mjaft të qeta dhe të matura, cilësi të dëshirueshme te një atlet. I ftova brenda dhe u ulëm për të biseduar. Pas një bisede ndriçuese për mua, ato më lanë librin me titull Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. * Fillova ta lexoja. Kur isha në gjysmë të tij, e kuptova se ajo që thuhej aty ishte e vërteta. Dëshmitaret erdhën përsëri dhe i pyeta si mund të bëhesha një Dëshmitar i Jehovait. Ato m’u përgjigjën që së pari ishte e nevojshme të bëja një studim biblik.

Jo vetëm pranova një studim biblik, por edhe fillova të ndiqja mbledhjet e Dëshmitarëve në Sallën e Mbretërisë në Vantë, ku edhe jetoja. Pashë se ajo që mësohej aty, bazohej në Bibël. Në fakt, të vërtetat biblike që po mësoja pak nga pak filluan të më ndryshonin pikëpamjen për atë që ishte vërtet e rëndësishme në jetë. Kështu që shkova te agjencia e udhëtimit dhe anulova biletën. Një pjesë të parave të biletës i përdora për të blerë një kostum për në mbledhje dhe një çantë për Biblën dhe literaturën biblike. U pagëzova si Dëshmitar i Jehovait në kongresin e vitit 1983 në Helsinki.

Atletë të tjerë fillojnë studim biblik

Ndërsa mësoja të vërtetat biblike, ua tregoja me entuziazëm edhe shokëve. Në fillim, për ta ishte e pabesueshme që kisha interes për Biblën. Në fakt, qarkullonin fjalë që kisha luajtur mendsh. Shokët filluan të më shmangnin njëri pas tjetrit. Pas pagëzimit, kur isha në pistë takoja atletë të tjerë, pasi vazhdoja të vrapoja për të qëndruar në formë. Bisedat që bëja me ta i ndihmuan të kuptonin që, edhe pse kisha ndryshuar, nuk kisha luajtur mendsh.

Me kalimin e kohës, disa prej këtyre atletëve filluan të kuptonin se ato që u thosha, ishin të arsyeshme dhe ia vlente t’i shqyrtonin. Panë që i kisha hequr fjalët e pista dhe sjelljen e dhunshme. Disa donin të mësonin më shumë për Biblën. Më pëlqente t’u tregoja të tjerëve se Bibla e krahason jetën e një të krishteri me garën e atletëve. Veçse ne jemi në garë për çmimin e jetës së përhershme.2 Timoteut 2:5; 4:7, 8.

E vërteta është se, lumturia dhe domethënia e vërtetë e jetës nuk gjendet kur fiton një garë atletike, por kur bën atë që i pëlqen Krijuesit tonë. Bisedat e mia me atletët i bënë shumë prej tyre të mendonin edhe njëherë për synimet që kishin në jetë dhe disa përqafuan të vërtetat biblike që mua më kishin ndryshuar jetën. Jam i lumtur që shumë prej tyre kanë treguar në shërbim të Perëndisë të njëjtin zell që kishin edhe në sport.

Një prej tyre ishte Ivona, një vrapuese e talentuar e 800-metërshit. Për këtë distancë ajo ishte vrapuesja më e shpejtë në gjithë Skandinavinë dhe mbante rekordin kombëtar në Finlandë. Ajo e kishte përfaqësuar denjësisht Finlandën në garat atletike në Evropë. Nga bisedat tona, Ivona filloi të kuptonte kotësinë e përpjekjeve për të arritur famën në botën e sotme. Ajo mësoi nga Bibla se kjo botë po kalon dhe po i hap rrugën një bote të re të drejtuar nga Perëndia.—1 Gjonit 2:17.

Shumë shpejt Ivona pranoi një studim biblik. Në atë periudhë ajo ishte lidhur me Joukon, i cili bënte pjesë në ekipin kombëtar të atletikës. Në fakt, ai kishte përfaqësuar Finlandën në kampionate evropiane dhe botërore. Pas ca kohësh, Ivona dhe Joukoja shkuan për të jetuar në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar karrierën atletike.

Atje, Ivona vazhdoi të studionte Biblën dhe Joukoja u bashkua me të në studim. Këtë e bëri që të gjente ndonjë gjë të gabuar dhe ta sillte në vete Ivonën. Por, pak nga pak, të vërtetat biblike i hynë edhe atij në zemër. Ivona dhe Joukoja u martuan dhe më vonë ia kushtuan jetën Perëndisë duke e simbolizuar me pagëzimin në ujë. Sot, të dy janë pionierë, pra shërbejnë në kohë të plotë si Dëshmitarë të Jehovait.

Fillova një studim biblik me Barbrunë, e cila ishte kampione e Finlandës në 400-metërshin për femra. Kohët e fundit ajo kishte përfaqësuar Finlandën në garat atletike të Evropës. Barbruja dhe burri i saj, Jarmoja, që kishte qenë atlet në kërcimin së larti, më vonë u transferuan në Suedi. Atje Barbruja vazhdoi studimin e Biblës dhe Jarmoja filloi të studionte Biblën gjithashtu. Të dy kishin kërkuar një qëllim në jetë dhe pasi kishin mësuar të vërtetat biblike, u pagëzuan të dy në Suedi. Pas ca kohësh, Jarmoja u bë fizioterapist, dhe të dy si çift kanë qenë shumë të zellshëm në shërbim. Jarmoja shërben si plak në kongregacionin e krishterë.

Përveç këtyre ishte edhe Hajdi, një atlete po kështu e talentuar, që sapo kishte hyrë në adoleshencë. Si trajner i saj, vija re se i interesonin gjërat fetare. Prandaj, një ditë i fola për atë që mësonte Bibla rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe bekimet që do të sjellë në tokë. E pyeta: «A beson se mund të bëhen realitet këto bekime që premtohen?»—Psalmi 37:11, 29; Mateu 6:9, 10.

«Po»,—u përgjigj ajo. Donte të studionte Biblën. Prandaj fola me një motër të krishterë që ta ndihmonte me studimin e Biblës. Pas disa vjetësh, edhe Hajdi iu kushtua Perëndisë dhe u pagëzua. Kur u rrit, u bë një vajzë e bukur dhe e pjekur frymësisht e më pas u bë gruaja ime. Ajo ka qenë një shoqe e shkëlqyer, gjithmonë e vendosur për t’i shërbyer Perëndisë—një vendosmëri që, nëse do ta kishte treguar në sport, pas një pune të gjatë, do të kishte arritur majat e atletikës.

Vëllai im i vogël, Piteri, që po kështu merrej me sport, në fillim reagoi shumë keq kur unë fillova të studioja Biblën. Pastaj i dhashë një kopje të librit Ti mund të jetosh. Më vonë, m’u afrua dhe më tha: «Kam filluar të lexoj këtë libër, por nuk kuptoj çdo gjë. A mund të më ndihmosh?» Mora masat që një Dëshmitar tjetër të studionte me të dhe pas katër muajsh studimi, u pagëzua. Më vonë, u martua dhe gruaja e tij shërben si pioniere.

Gara vazhdon

Që para se të pagëzohesha, kisha vendosur të bëhesha misionar. Pak pas pagëzimit, fillova të shërbeja si pionier. E kuptova se, nëse je në garën e jetës, duhet të bësh gjithçka ke mundësi. Bashkë me gruan, Hajdin, bëmë kërkesë për në Galaad, shkolla misionare e Dëshmitarëve të Jehovait që ndodhet në Nju-Jork, dhe në vitin 1994 u pranuam. Pas diplomimit u caktuam për të predikuar në Letoni, ku në përgjithësi flitet rusisht.

Njerëzit kishin mbetur të zhgënjyer nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Më parë, nuk kishin pasur besim te Bibla, madje ishte e ndaluar, por pamë se shumë donin të dinin se çfarë thoshte ajo. Mësimi i rusishtes ka qenë një nga gjërat më të vështira në jetën time. Por, pas gjashtë vjetësh si misionar në Letoni, mora si caktim të vizitoja dhe të inkurajoja kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait si mbikëqyrës udhëtues. Këtë vazhdoj të bëj edhe tani, i shoqëruar nga gruaja ime besnike.

Gjatë viteve, kam pasur mundësinë të stërvis shumë në garën për jetën, «jetën e vërtetë» në botën e re të Perëndisë. (1 Timoteut 6:19) T’i stërvitësh atletët që të japin maksimumin, do të thotë t’i kuptosh. Trajneri duhet t’i ndihmojë të forcojnë pikat e forta dhe të minimizojnë pikat e dobëta. Duhet t’i inkurajojë të vazhdojnë dhe t’i shfrytëzojnë sa më shumë aftësitë që kanë.

Më habit sa shumë ngjashmëri ka një i krishterë me një atlet, ashtu siç theksoi apostulli Pavël në letrën e tij të parë drejtuar korintasve. Një atlet i suksesshëm përqendrohet te stërvitja dhe nuk është se vetëm thur ëndrra për fitoren. Ai vendos qëllime realiste dhe punon sistematikisht për t’i arritur. Nëse shpërqendrohet dhe nuk përpiqet më, e gjithë puna që ka bërë, shkon dëm. Po kështu, edhe i krishteri i vërtetë duhet të vazhdojë të jetë i përqendruar.

Gjithashtu, një atlet i suksesshëm mban regjim, duke iu përmbajtur dietës së tij. Kështu është edhe me një të krishterë të vërtetë. Ai nuk ushqehet me mësime imorale, duke marrë pjesë «në tryezën e demonëve», siç tha apostulli Pavël. Përkundrazi, ai ushqehet me gjëra të pasura frymore që siguron Perëndia në Fjalën e tij, Biblën. (1 Korintasve 10:21) Për më tepër, kur lindin vështirësi, atleti i suksesshëm qëndron pozitiv. Pranon gabimet e tij dhe ndreqet. «Mënyra se si vrapoj nuk është e pasigurt . . . Përkundrazi, e rrah me grushte trupin tim»,—tha Pavli dhe këtë e bënte që të mos skualifikohej.—1 Korintasve 9:24-27.

Bashkë me gruan përpiqemi të jemi fizikisht në formë duke shkuar rregullisht në palestër. Megjithatë, nuk lejojmë që të na pengojë në shërbimin që i bëjmë Jehovait, që e ka krijuar njeriun në mënyrë të mrekullueshme. (Psalmi 139:14) Së bashku jemi përqendruar për të marrë çmimin e ‘jetës së vërtetë’—asaj që «do të vijë» në botën e re të Perëndisë.—1 Timoteut 4:8.

Pasi përshkroi ‘renë e madhe të dëshmitarëve’ në kohët para krishterimit, apostulli Pavël dha nxitjen: «Le të flakim edhe ne çdo peshë dhe mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht, e të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.» (Hebrenjve 12:1) Nuk ka asgjë më me vlerë sesa kjo garë. Sepse përfundimi i saj me sukses do t’u sjellë të gjithë vrapuesve bekime të përhershme.—2 Timoteut 4:7, 8.

[Shënimi]

^ par. 7 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

[Figura në faqen 14]

Aty nga mesi i viteve 80: Hajdi dhe unë; Ivona sipër dhe Joukoja me vajzën e tyre poshtë

[Figura në faqen 15]

Me Hajdin në shërbim në ditët e sotme

[Figura në faqen 15]

Në kongresin e Dëshmitarëve të Jehovait të vitit 2009 në Helsinki. Ivona me Joukon në të majtën tonë dhe Jarmoja me Barbrunë në të djathtë

[Burimi i figurës në faqen 12]

Botuar në gazetën Aamulehti më 21.8.1979