Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Bekime më të mëdha se pasuria (Mars 2009) Në këtë artikull citoheshin fjalët e Kostës, i cili thoshte: «Perëndia nuk dëshiron që ne të jepemi pas luksit.» Mendoja se Jehovai nuk ka vënë një kufi se sa duhet të ketë nga ana materiale një shërbëtor i tij, për aq kohë sa vë Atë në radhë të parë. A është e gabuar të bësh një jetë luksoze, ndërsa i shërben me besnikëri Jehovait?
XH. D., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Bibla nuk e dënon pasurinë. Në fakt, shumë nga shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën ishin të pasur. (Zanafilla 25:5; 26:12-16; Jobi 1:1-3) Megjithatë, ata që janë të pasur bëjnë mirë të kenë parasysh se «kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale, nuk vjen nga Ati, por nga bota». (1 Gjonit 2:16) Për më tepër, apostulli Pavël tha: «Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme.» Ai theksoi se duke sakrifikuar pasurinë frymore nga dëshira për të qenë të pasur, «disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje». (1 Timoteut 6:10) Sigurisht, Fjala e Perëndisë nuk thotë se ata që janë të pasur duhet të ndihen në faj ngaqë kanë më shumë se të tjerët. Të krishterët inkurajohen «të jenë dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët» sado pak ose shumë të kenë nga ana materiale.—1 Timoteut 6:18.
Një zë i heshtur flet (Tetor 2008) Më dha vërtet zemër artikulli për Hilarin, që vuante nga sindroma e Retit. Nipi im 5-vjeçar nuk mund të shohë, të dëgjojë, të ecë, të flasë ose të rrijë ulur. Tani kam shpresë se, kur i këndoj, i lexoj, i flas, e përkëdhel ose i bëj masazhe, diçka ndodh në trurin e tij. Qava kur lexova fjalët e mamasë së Hilarit: «Ndonëse unë nuk e dëgjoj dot atë që dëshiron të thotë, Jehovai e dëgjon.» Më ndihmoi të kuptoja se, megjithëse nipi im nuk flet dot, Jehovai arrin t’ia dëgjojë zërin e zemrës.
M. A., Japoni
Vajza ime tani është 43 vjeçe, e megjithatë s’kam lexuar asnjë artikull tjetër që hedh vërtet dritë mbi gjendjen e saj dhe arsyet e kufizimeve të saj. Më vjen vërtet keq për Hilarin, motrën dhe mamanë e saj. Edhe pse jetoj mijëra kilometra larg tyre, kemi të njëjtin hall dhe e vlerësoj shembullin e tyre të besimit, të dashurisë dhe të qëndrueshmërisë.
T. J., Ganë
Aborti s’është rrugëdalje pa telashe (Qershor 2009) Faleminderit për serinë e artikujve për abortin. Kur isha te të 20-at, vendosa të abortoja, por jam penduar thellë për këtë që bëra. Po të mos e njihja të vërtetën tani, do të ndihesha e pashpresë. Jam kaq mirënjohëse që kam një shpresë dhe që e di se Jehovai fal.
Anonime, Shtetet e Bashkuara
Të rinjtë pyesin . . . Si ta përballoj vdekjen e prindit? (Gusht 2009) Jam vetëm 22 vjeçe dhe vdekja e babait ishte kaq e shpejtë dhe e papritur, sa më ra si bombë. Ashtu siç thuhej edhe në artikull, ai do të më mungojë në momentet më të rëndësishme të jetës sime. Kanë kaluar tre vjet, e prapëseprapë e kam të vështirë ta rifilloj jetën nga e para. Përpos kësaj, artikulli më ngushëlloi jashtë mase. Pashë se sugjerimet që jepeshin aty, megjithëse të vështira për t’u zbatuar, më kanë ndihmuar vërtet. Ju falënderoj për punën e shkëlqyer që po bëni!
N. P., Francë