Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta largoj trishtimin?

Si ta largoj trishtimin?

Të rinjtë pyesin

Si ta largoj trishtimin?

«Sa herë miqtë e mi kanë probleme, unë jam pranë tyre për t’i ndihmuar dhe për t’i bërë që të ndihen më mirë. Por pastaj—dhe kjo është pjesa që nuk e sheh njeri —shkoj në shtëpi, mbyllem në dhomë dhe ia plas të qarit.»—Kela. *

«Kur ndihem përtokë, veçohem nga të tjerët. Nëse më ftojnë në ndonjë vend, nxjerr ndonjë justifikim për të mos shkuar. Jam «ekspert» për t’ia fshehur familjes trishtimin tim. Ata mendojnë se jam mirë.»—Riku.

A JE ndier ndonjëherë si Kela ose Riku? Nëse po, mos u nxito për të nxjerrë përfundimin se ka diçka që nuk shkon me ty. Fakti është se çdokënd e kap trishtimi herë pas here. Kjo u ndodhte edhe grave e burrave besnikë në Bibël.

Në disa raste, mund ta dish se përse je i trishtuar, kurse në disa raste jo. «Nuk është e thënë të kesh ndonjë hall të madh që të trishtohesh,—thotë Ana 19-vjeçare.—Mund të ndodhë në çdo kohë, edhe nëse nuk ke asnjë problem. Është e çuditshme, por ndodh.»

Pavarësisht nga arsyeja—ose edhe nëse nuk duket se ka arsye—ç’mund të bësh kur trishtimi të mbërthen në kthetrat e tij ?

Këshilla nr. 1: Fol me dikë. Bibla thotë: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17.

Kela: «Lehtësimi që ndiej pasi kam folur me dikë është i mahnitshëm. Tani dikush e di çfarë po kaloj. Kështu që mund të më hedhë litarin, të më nxjerrë nga pusi ku kam rënë e më në fund të më shpëtojë.»

Sugjerim: Poshtë shkruaj emrin e një ‘shoku të vërtetë’ të cilit mund t’i besosh kur të pushton trishtimi.

․․․․․

Këshilla nr. 2: Shkruaj si ndihesh. Kur trishtimi të mjegullon pikëpamjen për jetën, ndoshta është mirë të përpiqesh t’i hedhësh mendimet e tua në letër. Në psalmet e frymëzuara, Davidi ndonjëherë shprehte trishtimin e thellë. (Psalmi 6:6) Kur shkruan për mënyrën si ndihesh, të ndihmon që ‘të ruash mençurinë dhe aftësinë për të menduar’.—Proverbat 3:21.

Edra: «Të shkruarit më ndihmon të organizoj rrëmujën që më është mbledhur në kokë nga trishtimi. Kur i shpreh ndjenjat dhe kupton pse ndihesh ashtu, trishtimi lehtësohet.»

Sugjerim: Disa vendosin të mbajnë ditar. Nëse të pëlqen kjo ide, çfarë mund të shkruash në të? Kur je i trishtuar, përshkruaj si ndihesh dhe cila mendon se është rrënja e trishtimit tënd. Një muaj më vonë, lexoje atë që ke shkruar. A ndihesh më mirë? Nëse po, shkruaj se çfarë të ndihmoi.

Këshilla nr. 3: Lutu. Bibla thotë se, nëse lutesh për atë që të shqetëson, ‘paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë e tua mendore’.—Filipianëve 4:7.

Estera: «Po përpiqesha të kuptoja pse ndihesha aq keq, por ishte e pamundur. I kërkova Jehovait të më ndihmonte të isha e lumtur. Isha shumë e lodhur nga trishtimi pa arsye. Më në fund gjeta forcën ta mposhtja trishtimin. Mos e nënvlerëso kurrë forcën e lutjes!»

Sugjerim: Përdor Psalmin 139:23, 24 si model për lutjet që i bën Jehovait. Hapja zemrën dhe kërkoji të të ndihmojë që të gjesh se cila është rrënja e trishtimit tënd.

Përveç sugjerimeve të mësipërme, Fjala e Perëndisë mund të jetë një ndihmë tjetër me vlerë. (Psalmi 119:105) Kur e mbushim mendjen me mendime inkurajuese nga tregimet biblike, kjo mund të ndikojë për mirë në mendimet, ndjenjat dhe veprimet e tua. (Psalmi 1:1-3) Në librin biblik të Veprave mund të gjesh tregime nxitëse dhe emocionuese. Sugjerime të mëtejshme për një lexim inkurajues të Biblës mund të gjenden duke shqyrtuar nëntë pjesët me titull «Ja një model» në librin Të rinjtë pyesin . . . përgjigje praktike, vëllimi 2, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Në këto faqe janë shqyrtuar tregimet biblike të Jozefit, Hezekisë, Lidias dhe Davidit. Në faqen 227, do të shohësh se si apostulli Pavël i përballoi me sukses ndjenjat negative që kishte ndonjëherë për shkak të papërsosmërisë.

Po nëse, me gjithë përpjekjet, trishtimi nuk largohet?

Kur trishtimi nuk largohet

«Disa herë në mëngjes,—thotë Rajani,—më duket sikur e kam më të lehtë të mos dal nga krevati, sesa të jetoj një ditë tjetër pa asnjë qëllim.» Rajani vuan nga depresioni dhe nuk është i vetmi. Studimet tregojnë se rreth 1 në 4 të rinj vuajnë nga ndonjë formë depresioni gjatë rritjes.

Si mund të kuptosh nëse vuan nga depresioni? Disa shenja janë: ndryshim i theksuar në humor dhe sjellje, veçim nga shoqëria, rënie interesi pothuajse për çdo gjë, ndryshim i dukshëm në zakonet e të ngrënit e të gjumit dhe ndjenja të theksuara pavlefshmërie e ndjenja të pajustifikueshme faji.

Sigurisht, thuajse të gjithë mund të kenë ndonjëherë një ose disa nga këto simptoma. Por nëse simptomat vazhdojnë për më shumë se dy javë, pse nuk flet me prindërit për t’u vizituar te një mjek? Mjeku mund të të ndihmojë të kuptosh nëse trishtimi yt ka një shkak mjekësor. *

Nëse vuan nga depresioni, nuk ka asgjë për të ardhur turp. Me mjekime, shumë janë bërë më mirë—ndoshta më mirë se ç’ishin ndjerë prej kohësh. Prandaj, pavarësisht nëse trishtimi yt vjen nga depresioni ose jo, mos harro fjalët ngushëlluese të Psalmit 34:18: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.

^ par. 23 Kur trishtimi zgjat, disa të rinj mendojnë t’i japin fund jetës. Nëse edhe ti ke menduar për një gjë të tillë, fol pa vonuar me një të rritur tek i cili ke besim.—Shih revistën Zgjohuni!, maj 2008, faqet 26-28.

PËR TË MENDUAR

A të ndihmon e qara?

«Nuk kam qenë kurrë nga ato që qajnë kollaj, por kur jam e trishtuar e kam të nevojshme. Një e qarë e mirë të ndihmon të rigjesh ekuilibrin emocional. Pastaj filloj të jem më e kthjellët dhe shoh një të ardhme të bukur në horizont.» —Liana.

Si mund të të ndihmojnë të tjerët ta përballosh trishtimin?

«Kur jam e trishtuar, nuk duhet të veçohem nga të tjerët. Po, mund të kem nevojë të rri vetëm që të qartësoj idetë dhe ndoshta t’i fus një të qarë të mirë. Por, pas kësaj, e di se është më mirë të shoqërohem me të tjerë që të heq mendjen nga ajo që më trishtonte.»—Kristina.

[Kutia dhe figurat në faqen 21]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«Zakonisht trishtimi më kap kur përqendrohem shumë te vetja. Por sa herë ndihmoj të tjerët, përqendrohem tek ata dhe kështu rigjej gëzimin.»

«Kur bëj rregullisht fizkulturë, më ndodh më rrallë të jem me humor të keq sepse ajo më ndihmon të ndihem mirë me veten. Dhe kur ushtrimet më kanë marrë gjithë energjinë, jam tepër e lodhur për t’u mërzitur.»

[Figurat]

Drenela

Rebeka

[Figura në faqen 22]

Me ndihmë dhe përpjekje, mund të dalësh nga pusi i trishtimit