Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vetmia​—Cilat janë shkaqet?

Vetmia​—Cilat janë shkaqet?

Vetmia​—Cilat janë shkaqet?

NJË gjë është të ndihesh i vetmuar dhe një gjë tjetër të jesh vetëm. Sipas një fjalori, vetmia «më shpesh nënkupton veçim që pasohet nga një dëshirë e fortë për shoqëri». Po i njëjti fjalor shpjegon se «vetëm» mund të quhet «ai që me dëshirë . . . shkëput kontaktet me të tjerët».

Në disa rrethana, njeriu mund të ketë dëshirë të qëndrojë vetëm. Shumë kërkojnë të rrinë vetëm për t’u lutur ose për të medituar, siç bënte Jezu Krishti. (Mateu 14:13; Luka 4:42; 5:16; 6:12) Vetmia nga ana tjetër, është një ndjenjë e dhembshme. Cilat mund të jenë shkaqet e ndjenjave të vetmisë?

Veçimi shoqëror në qytetet e mbipopulluara

Në qytetet e mëdha mijëra njerëz, madje miliona, jetojnë afër e afër. E megjithatë, është kontradiktore të mendosh se kjo dyndje njerëzish shton edhe më shumë vetminë. Ngutja dhe rrëmuja e jetës në qytet nuk i lë shumë njerëz të njohin as fqinjët e vet. Ja pse, banorët në qytete jetojnë mes të panjohurve. Mosbesimi kaq i zakonshëm ndaj të panjohurve dhe dëshira për të mbrojtur privacitetin, mund të bëjë që gjithnjë e më shumë njerëz në qytetet e mëdha të ndihen të vetmuar.

Trajtimi i keq në punë

Mënyra se si drejtohen mjaft biznese dhe industri të mëdha, ka bërë që punonjësit e të gjitha niveleve të ndihen të vetmuar dhe të paaftë. Në shumë raste punonjësit janë nën presion dhe stres të vazhdueshëm.

Përveç këtyre, brenda kompanive të mëdha, transferimi sistematik i punonjësve krijon tek ata ndjenja pasigurie, veçim dhe vetmi. Duke folur për numrin e madh të vetëvrasjeve në radhët e personelit të disa kompanive franceze, gazeta International Herald Tribune tha se shumë punonjës francezë «nuk mund ta përballojnë më ritmin e ndryshimeve ekonomike».

Komunikimi i ftohtë

Në Japoni, profesor Tetsuro Saitoja tha: «Aftësia për të komunikuar do të bjerë, ndërsa celularët dhe mjetet e tjera të komunikimit po hyjnë gjithë e më shumë midis njerëzve.» Në Australi, gazeta The Sunday Telegraph shkruante: «Teknologjia . . . po i bën njerëzit më të veçuar. Njerëzit . . . preferojnë më shumë t’i dërgojnë njëri-tjetrit mesazhe në Internet a celularë, sesa të bisedojnë.»

Duke përmendur një arsye pse ndihej e vetmuar, Rejçëlli 21-vjeçare, që jeton në Francë, thotë: «Më duket sikur njerëzit përpiqen më pak për të të takuar, pasi mendojnë se mjafton të të dërgojnë një mesazh me celular ose të të shkruajnë a të komunikojnë nëpërmjet Internetit. Por këto më bëjnë të ndihem më e vetmuar.»

Transferimi

Kriza ekonomike i ka shtyrë njerëzit të transferohen shpesh për të mos e humbur punën ose për të gjetur punë. Ndërrimi i shtëpisë i largon njerëzit nga fqinjët, miqtë, shkolla e madje ndonjëherë edhe nga familja e tyre. Ata që zhvendosen, ndihen si një lule që i kanë ndërruar vendin, po rrënjët ia kanë lënë mbrapa.

Fransisi sjell ndër mend ditën kur shkoi nga Gana në Francë. Ai shpjegon: «Barrikada e gjuhës, mungesa e miqve dhe klima e ftohtë më bënin të ndihesha shumë i vetmuar.»

Duke kujtuar fillimin kur shkoi si emigrante në Angli, Bejata tregon: «E kisha të vështirë të përshtatesha me kulturën e vendit. Kisha disa të njohur, por jo miq të vërtetë ose pjesëtarë të familjes me të cilët mund të bisedoja dhe të hapesha.»

Humbja e një të afërmi

Vdekja e bashkëshortit krijon një boshllëk të madh te bashkëshorti tjetër. Kjo ndodh sidomos pasi është kujdesur për shëndetin e tij për një kohë të gjatë. Mund të ndihet tërësisht bosh.

Fernanda, një vejushë që jeton në Paris, shpjegon: «Gjëja më e vështirë për mua është se nuk mund të hapem më me shokun tim më të mirë, burrin.» Eni thotë se e ndien shumë mungesën e të shoqit, ‘sidomos kur i duhet të marrë vendime në lidhje me problemet e shëndetit ose me çështje të tjera’.

Divorci, ndarja dhe beqaria

Divorci ose ndarja shpesh shkakton ndjenja vetmie dhe dështimi. Fëmijët janë zakonisht ata që vuajnë më shumë, madje më shumë seç mendohej më parë. Disa ekspertë besojnë se fëmijët me prindër të divorcuar janë më të prirur të ndihen të vetmuar kur rriten.

Ata që nuk janë martuar ngaqë nuk mund të gjejnë një bashkëshort të përshtatshëm, zakonisht kalojnë periudha vetmie. Ajo mund të theksohet më shumë kur të tjerët flasin pa takt, si për shembull: «A nuk do të ishe më i lumtur po të martoheshe?»

Edhe prindërit e vetëm ndihen të vetmuar. Të qenët prind sjell jo vetëm gëzime, por edhe probleme që duhet t’i zgjidhin vetëm, pa ndihmën e një bashkëshorti.

Mosha e thyer dhe mungesa e përvojës në rini

Të moshuarit shpesh mund të ndihen të vetmuar, edhe nëse familjarët nuk i kanë lënë pas dore. Në disa raste të afërmit ose miqtë mund t’u shkojnë për vizitë. Po si ndihen në rastet e tjera, ndoshta në ditët ose javët që nuk u shkon askush?

Edhe të rinjtë zakonisht vuajnë nga vetmia. Shumë prej tyre bëhen robër të disa zbavitjeve që i veçojnë nga të tjerët, si për shembull shikimi i televizorit, videolojërat dhe qëndrimi për orë të tëra para kompjuterit.

A mund të gjendet një zgjidhje për këtë prirje gjithnjë e në rritje? Çfarë mund t’ju ndihmojë kur ndiheni të vetmuar?

[Diçitura në faqen 5]

«Barrikada e gjuhës, mungesa e miqve dhe klima e ftohtë më bënin të ndihesha shumë i vetmuar»