Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Arra makadamia: Fruta e shijshme e Australisë

Arra makadamia: Fruta e shijshme e Australisë

Arra makadamia: Fruta e shijshme e Australisë

BOTANISTI Valter Hill po e shihte i tmerruar ndihmësin e tij të ri në moshë. Djaloshi sapo kishte ngrënë arra nga një lloj peme, që e kishin zbuluar para pak kohësh e që rritej në pyjet subtropikale të shiut në juglindje të Kuinslandit, Australi. Hilli kishte dëgjuar se këto arra ishin helmuese. Por djali as u sëmur e as vdiq. Madje, i pëlqeu shumë shija e tyre. Prandaj, Hilli provoi edhe vetë një arrë dhe pa se djaloshi kishte të drejtë. Pa kaluar shumë kohë, ai filloi t’u dërgonte fidanë të arrave makadamia miqve dhe botanistëve anembanë botës. *

Sot, rreth 150 vjet më vonë, arrat makadamia njihen në të gjithë botën, dhe jo më kot. Gazeta Chronica Horticulturae shpjegon: «Makadamia konsiderohet një nga arrat më të kërkuara në botë pasi ka shije delikate dhe unike, është krokante e me ngjyrë kremi.» Nuk habitemi që arra makadamia është një prej prodhimeve vendëse më të suksesshme të Australisë.

E vështirë për t’u çarë

Pemët e makadamias blerojnë gjithë vitin përgjatë bregut lindor subtropikal të Australisë. Dy nga nëntë llojet e kësaj peme prodhojnë fruta të ngrënshme, që përbëhen nga mbuloja e jashtme fijezore, lëvozhga e rrumbullakët me ngjyrë kafe dhe thelbi ngjyrë kremi sa një lajthi.

Megjithatë, lëvozhga e fortë është e vështirë për t’u çarë. * Aborigjenët përdornin gurë për t’i çarë. Një ndër pemëtarët e parë, Xhon Uolldroni, përdori çekiç dhe kudhër. Në fakt, për 50 vjet, me këto mjete të thjeshta ai çau rreth tetë milionë arra. A mund ta bënin makineritë këtë punë? Makineritë e hershme ishin të padobishme, sepse shpesh dëmtonin thelbin. Gjithsesi, me kalimin e kohës, u ndërtuan makineri më të efektshme.

Një problem tjetër kishte të bënte me shtimin e pemëve të makadamias. Arrat që merreshin nga pemë të buta, kur mbilleshin, shpesh dilnin pemë të egra. Dhe përpjekjet për t’i shartuar, dështonin. Përballë këtyre vështirësive, kultivimi për qëllime tregtare u ndal, derisa çështjen e morën në dorë banorët e Havait të cilët arritën të gjenin zgjidhjen e duhur. Si rezultat, shumë shpejt ishin në gjendje të mbulonin 90 për qind të tregut të arrave makadamia në të gjithë botën. Ja përse filluan të quheshin arrat havajane.

Më vonë, në vitet 60 të shekullit të 20-të, australianët «e morën seriozisht kultivimin e makadamias për qëllime tregtare», duke zbatuar ato mësime që kishin marrë në Havai. Si rezultat, kjo lloj industrie lulëzoi deri në atë pikë sa sot Australia prodhon rreth 50 për qind të arrave makadamia në botë. Ato rriten edhe në Afrikë, Azi dhe Amerikën Qendrore.

Vizitë në një fermë australiane

Shkrimtari i këtij artikulli vizitoi Andrean, i cili ka një fermë me arra makadamia pranë qytetit të Lizmorit, në Uellsin e Ri Jugor. «Ne mbjellim varietete të ndryshme të makadamias në çdo pak rreshta për të mundësuar pjalmimin e kryqëzuar»,​—shpjegon Andrea. Zgjohuni! mësoi se rreth 80 për qind e miliona pemëve të mbjella në Australi, janë varietete të mira që i kanë zgjedhur kultivuesit havajanë. Megjithatë, sot kultivuesit australianë po përdorin materiale gjenetike të makadamiave të egra për të prodhuar varietete vendase më të mira.

Duke vëzhguar pemët, shohim qindra kokrra arrash që varen si toptha të vegjël mes gjetheve të dendura. Arrat piqen për më shumë se gjashtë muaj dhe pastaj bien në tokë. Vërejmë se disa nga këto arra që kanë rënë, kanë vrima. «Minjtë,​—tha Andrea,​—mund ta brejnë një lëvozhgë për tetë sekonda. Edhe derrat e egër vdesin për arrat makadamia.» Më tutje përgjatë rreshtit, Andrea ndalon e gjuan me këmbë një arrë gjysmë të zhytur në dhé për ta nxjerrë që andej. «Kursyem tre cent»,​—thotë ai duke buzëqeshur. Shumë fermerë i mbledhin arrat me anë të një makinerie të posaçme që ka një pajisje cilindrike dhe gishta të shkurtër kauçuku që marrin arrat e rëna. Pastaj, në fermë arrave u heqin mbulojat dhe i seleksionojnë. Më pas çohen në një fabrikë për t’u qëruar, kategorizohen sipas cilësisë dhe transportohen për te blerësit.

Të shijshme dhe të shëndetshme

Në fund të vizitës, marrim një grusht me arra për t’i ngrënë. Shija e tyre e kënaqshme si krem na bën të lëpijmë buzët. Por a janë të shëndetshme arrat makadamia? Sipas një raporti të qeverisë për kultivimin e arrës makadamia, përmbajtja e tyre vajore (që përbëhet kryesisht nga yndyrnat mono-të-pangopura ose yndyra e mirë) «zakonisht e kalon 72%-shin, dhe kjo është përqindja më e lartë nga të gjitha arrat me përmbajtje vajore». Sipas studimeve të fundit, konsumimi me karar i tyre, mund të pakësojë kolesterolin e dëmshëm me dendësi të ulët, trigliceridet dhe mund të ulë edhe tensionin e lartë të gjakut.

Disa njerëzve u pëlqejnë arrat makadamia në çokollatë, biskota ose akullore. Të tjerë i hanë të pjekura, me kripë ose thjesht siç i nxjerrin nga lëvozhga. Cilatdo qofshin preferencat, shumica e njerëzve nuk kanë të ngopur me to.

[Shënimet]

^ par. 2 Vite më parë, eksploruesit Kaningam (1828) dhe Likhart (1843) mblodhën arra makadamia, por këta ekzemplarë u vendosën në depo dhe nuk u emërtuan. Në 1857, një koleg i Hillit, Ferdinand fon Muellëri, botanist në Melburn, e quajti arrën e kësaj gjinie makadamia sipas emrit të mikut të tij dr. Xhon Makadamit.

^ par. 6 Lëvozhga e thërrmuar e arrës makadamia është aq e ashpër sa mund të përdoret mjaft mirë në industri si lëndë smerile.

[Kutia në faqen 23]

LËVOZHGAT PRODHOJNË ENERGJI

Lëvozhgat e forta si gur të makadamiave kanë vlera kalorike ose djegëse të përafërta me ato të qymyrit me ngjyrë kafe të errët. Prandaj një central energjie në Australi, po përdor lëvozhgat për të prodhuar elektricitet si për fabrikën ku përpunohen arrat ashtu edhe për konsumatorë të tjerë. Kjo është përpjekja e parë për të kthyer mbeturinat në energji dhe sasia e energjisë që prodhohet do të rritet jashtë mase ndërsa më shumë kultivues sigurojnë këtë lëndë djegëse.

[Figura në faqen 23]

Kultivuesit australianë mbjellin çdo vit mijëra rrënjë pemësh

[Burimi i figurës në faqen 23]

Fotografitë në faqet 22 dhe 23: Shoqëria Australiane e Makadamias