«E vërteta do t’ju lirojë»
«E vërteta do t’ju lirojë»
KJO thënie e Jezu Krishtit, që gjendet në Bibël te Gjoni 8:32, është një e vërtetë absolute. Ajo na çliron nga besëtytnitë dhe zakonet që nuk i pëlqejnë Perëndisë dhe që na dëmtojnë. Rastet në vijim tregojnë se si e vërteta biblike ka liruar njerëz të vendeve të ndryshme nga disa zakone mbytëse që lidhen me Krishtlindjet.
E vërteta biblike i liroi
Argjentinë «Familja jonë ka shpëtuar nga problemet që vijnë nga të ngrënët e të pirët me tepri dhe nga dhuratat që nuk i përballonim dot financiarisht»,—thotë Oskari.
Mario u lehtësua jashtë mase kur i treguan për «gënjeshtrën e Krishtlindjeve», siç e quan ai. «Tani kënaqem kur ua shpreh vlerësimin të
tjerëve me anë të dhuratave në çfarëdo periudhe të vitit dhe kur ma mban xhepi»,—thotë ai.Kanada «Më pëlqen shumë të jap e të marr dhurata,—shkruan Elfi.—Por nuk më pëlqen kur bëhen me detyrim. Kur familja jonë vendosi të mos i festonte Krishtlindjet, ishte sikur morëm pushimet.»
Uli, një nga vajzat e Elfit, sjell ndër mend: «Pasi prindërit vendosën të mos festonin Krishtlindjet, na bënin surpriza me dhurata dhe aktivitete zbavitëse gjatë gjithë vitit, dhe kjo na pëlqente shumë. Kur shokët e klasës na pyetnin se me ç’rast na i bënin, me krenari u thoshim: ‘Kot, për qejf.’ Megjithatë, për prindërit nuk ishte e lehtë të ndryshonin mënyrën e jetesës sipas të vërtetës biblike, pasi kjo nënkuptonte kundërshtime dhe presione nga të afërmit. Por nuk u lëkundën. Fakti që ishin aq të vendosur për ta adhuruar siç duhej Perëndinë Jehova, ndikoi shumë tek unë.»
Për Silvian, mosfestimi i Krishtlindjeve «ishte një lehtësim». Ajo thotë: «Ndihesha kaq mirë nga ky ndryshim! E dija që po i pëlqeja Perëndisë Jehova dhe kjo më bënte më të lumtur se një mijë festa Krishtlindjesh bashkë.»
Kenia Piteri shkruan: «Kur festoja Krishtlindjet, hyja në borxh deri në grykë për dhuratat dhe drekat e darkat e kushtueshme. Sigurisht, kjo do të thoshte se duhej të punoja jashtë orarit, gjë që më pengonte të rrija me familjen. Ndjeva një kënaqësi të vërtetë kur u lehtësova nga e gjithë kjo!»
«Jap e marr dhurata me familjarët e miqtë në çdo kohë»,—thotë Karolina.—Besoj se dhurata të tilla surprizë, të bëra nga zemra, janë dhuratat më të mira.»
Japoni «Fëmijët tanë,—shkruajnë Hiroshi dhe Ria,—nuk i pretendojnë dhuratat dhe nuk i marrin për të mirëqena. Nuk kanë rënë në këtë kurth. Si prindër, jemi të lumtur kur shohim se e kanë kuptuar që dhënia duhet të vijë nga zemra.»
Keikoja sjell ndër mend: «Familja jonë e kishte zakon t’i festonte Krishtlindjet. Pasi siguroheshim që djalin e kishte zënë gjumi, burri dhe unë i vinim një dhuratë në anë të krevatit. Të nesërmen në mëngjes i thoshim: ‘Ngaqë ke qenë djalë i mirë, Plaku i Krishtlindjeve të ka sjellë një dhuratë.’ Kur mësova të vërtetën për Krishtlindjet dhe ia tregova djalit atë që kisha mësuar, ai filloi të qante ngaqë kuptoi se e kishin gënjyer. Në atë çast, e kuptova vërtet që Krishtlindjet nuk janë aq të bukura siç i paraqesin. Përkundrazi, janë një gënjeshtër dhe duke ushqyer këtë gënjeshtër, ndihesha sikur kisha tradhtuar djalin tim.»
Filipine Dejvi thotë: «Është e vështirë ta përshkruash me fjalë gëzimin që na jep Jehovai me anë të të vërtetave të kulluara që gjenden në Bibël. Kur familja jonë u bën dhurata të tjerëve, nuk presim ndonjë gjë në këmbim. Përveç kësaj, ne japim nga zemra.»
Njerëzit që u cituan më sipër, janë vetëm disa nga miliona veta që kanë mësuar nga përvoja se e vërteta biblike të liron. Ç’është më e rëndësishme, kur jetojmë në përputhje me këtë të vërtetë, gëzojmë zemrën e Perëndisë. (Proverbat 27:11) Jezu Krishti tha: «Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë, sepse Ati po kërkon adhurues të tillë.» (Gjoni 4:23) Kur Perëndia shqyrton zemrën tënde, a sheh dikë që e dëshiron me zjarr të vërtetën? Shpresojmë që përgjigja të jetë një po e fortë!
[Figura në faqen 9]
Të krishterët japin nga dashuria dhe në çdo periudhë të vitit