Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Ministria e Çështjeve Fetare në Serbi, ka pranuar kërkesën për regjistrim të entit ligjor që përfaqëson Dëshmitarët e Jehovait. Sipas të dhënave zyrtare, Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë aktivë në atë vend të paktën që nga viti 1930.
Është llogaritur se në vitin 2009, në të gjithë botën, 95 për qind e shkarkimeve të muzikës nga interneti janë bërë në mënyrë të paligjshme.—TIME, SHBA.
Tërmetet—«Katastrofat më vdekjeprurëse»
«Tërmetet shkaktuan katastrofat më vdekjeprurëse gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar»,—thuhet në një raport nga Strategjia Ndërkombëtare për Pakësimin e Katastrofave e Kombeve të Bashkuara, me qendër në Gjenevë, Zvicër. Ndër ata që vdiqën për shkak të katastrofave gjatë kësaj periudhe, afërsisht 60 për qind e tyre vdiqën si pasojë e tërmeteve. Ky «fenomen natyror i rrezikshëm» vazhdon të jetë një kërcënim serioz, duke pasur parasysh se 8 nga 10 qytetet më të populluara të botës ndodhen në zona të rrezikuara nga tërmeti mbi vijat e shkarjes së tokës. Dhjetë vitet e fundit kanë vdekur më shumë se 780.000 njerëz në 3.852 raste që janë konsideruar si katastrofa.
Profesion i rrezikshëm
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, me qendër në Vjenë, Austri, raporton se «gjatë vitit 2009, janë vrarë gjithsej 110 gazetarë për shkak të punës së tyre, duke bërë që në dhjetëvjeçarin e kaluar ky vit të ishte më vdekjeprurësi» për ata që kanë këtë profesion. Në zonat me konflikte, të tilla si Afganistani, Iraku, Pakistani dhe Somalia, raporti thotë se këto vitet e fundit «gazetarët janë vënë në shënjestër qëllimisht». Kjo ka sjellë si rezultat më pak informacione dhe «një mungesë kuptueshmërie . . . për ngjarjet e ndërlikuara» në këto zona. Iraku ishte vendi më i rrezikshëm për gazetarët gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, i ndjekur nga Filipinet, Kolumbia, Meksika dhe Rusia.
Importi i lirë pakëson vjedhjet
Duke cituar fjalët e Xhejms Treduellit, pedagog i kriminologjisë në Universitetin e Leiçesterit në Angli, Agjencia e Lajmeve Rojters në Londër raporton se «importimi me shumicë i artikujve elektronikë me çmim të lirë» mund t’i lërë pa punë hajdutët britanikë. Për shembull, çmimi i ulët i aparateve të reja të DVD-ve, bën që fitimi i tyre kur shiten përsëri të jetë pothuajse zero. «Thjesht nuk ja vlen t’i vjedhësh»,—thotë Treduelli. Megjithatë, ulja e çmimeve nuk i ka dhënë fund krimit. Madje, tani hajdutët ua kanë vënë syrin artikujve më të shtrenjtë e më të kërkuar në treg, ‘të tillë si celularë dhe iPod-ë, të cilët njerëzit i mbajnë me vete kudo që shkojnë’. Kështu ish-hajdutët e shtëpive u janë futur krimeve të tjera, si për shembull grabitjeve në rrugë.