A bie në kundërshtim besimi te Perëndia me arsyen?
Pikëpamja e Biblës
A bie në kundërshtim besimi te Perëndia me arsyen?
«TË BESOSH te Perëndia do të thotë të mohosh arsyen»,—shkruan filozofi britanik E. K. Greiling. Këto fjalë përcjellin edhe mendimin e shkrimtarëve dhe filozofëve të panumërt, të cilët gjatë shekujve janë shprehur se besimi te Perëndia bie në kundërshtim me arsyen.
Disa bindje fetare shkojnë përtej çdo logjike. Por të mos harrojmë se edhe shumë bindje të forta shkencore kanë dalë të gabuara. Por a do të thotë kjo se të gjitha bindjet shkencore pa përjashtim janë të gabuara ose jashtë logjike? E njëjta gjë vlen edhe për bindjet fetare. Në fakt, besimi për të cilin flet Bibla nuk mund të ekzistojë pa njohurinë, por bazohet fort në njohuri dhe në një arsye të shëndoshë. Ndërsa shihni hapat që duhen bërë para se të arrihet te besimi, shihni se si lidhet besimi i vërtetë me arsyen.
Çfarë është besimi i vërtetë?
Për shembull, Bibla thotë se, nëse do që adhurimi yt të jetë ‘i pranueshëm për Perëndinë’, atëherë duhet të jetë ‘një shërbim i shenjtë me fuqinë tënde për të arsyetuar’. Me fjalë të tjera, duhet ta adhuroni Perëndinë «në një mënyrë që të jetë në lartësinë e qenieve me aftësi për të menduar». (Romakëve 12:1; The Jerusalem Bible) Prandaj, besimi për të cilin flitet në Bibël nuk është i paarsyeshëm ose një besim i verbër, siç e kanë quajtur disa. Dhe nuk është as naivitet. Përkundrazi, është diçka e menduar me kujdes që sjell si rezultat besimin te Perëndia dhe te Fjala e tij, besim që bazohet në një logjikë të fortë.
Sigurisht, për të arsyetuar si duhet, ke nevojë për informacione të sakta. Edhe programet kompjuterike më të fuqishme të bazuara në parime të forta logjike, do të nxjerrin përfundime mjaft të çuditshme nëse u futim të dhëna jo të sakta. Po kështu, cilësia e besimit tuaj varet shumë nga ajo që dëgjon ose nga sa i besueshëm është informacioni që ti fut në mendje. Jo më kot Bibla thotë se «besimi vjen pasi dikush ka dëgjuar».—Romakëve 10:17.
Besimi duhet ndërtuar mbi bazën e ‘një njohurie të saktë të së vërtetës’. (1 Timoteut 2:4) Vetëm «e vërteta», thotë Bibla, «do t’ju lirojë» nga bindjet e gabuara, qofshin shkencore apo fetare. (Gjoni 8:32) Bibla paralajmëron që të mos i besosh «çdo fjale». (Proverbat 14:15) Madje ajo thotë se ‘duhet të sigurohesh për të gjitha gjërat’—ose të peshosh ato që dëgjon para se t’i besosh. (1 Selanikasve 5:21) Pse duhet të bësh kërkime dhe të peshosh bindjet e tua? Sepse besimi i bazuar në gënjeshtër nuk është veçse iluzion. Disa me mendje fisnike nga qyteti i lashtë i Beresë lanë një shembull të mirë në mënyrën si ndërtuan besimin e duhur. Edhe pse ata donin vërtet të besonin tek ajo që u mësonin misionarët e krishterë, vunë si synim që ‘çdo ditë të shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra ishin ashtu’.—Veprat 17:11.
Si të ndërtojmë besimin te Bibla?
Po nëse nuk je i sigurt për besueshmërinë e Biblës? Si mund të krijosh besimin se ajo është një burim njohurie të saktë? Po besimin te njerëzit si e krijojmë? Sigurisht duke i njohur, duke parë sjelljen e tyre gjatë një periudhe *
dhe rezultatet e udhës së tyre. Pse nuk vepron po kështu edhe me Biblën?Bibla e përkufizon besimin e vërtetë si «pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara». (Hebrenjve 11:1) Është e qartë se njeriu me besim të vërtetë nuk është naiv, por i bazon bindjet e tij në një shqyrtim të kujdesshëm të të dhënave që ka në dispozicion. Arsyetimi mbi këto të dhëna sjell si rezultat bindjen se, megjithëse disa gjëra nuk arrijmë t’i shohim, ato ekzistojnë.
Po nëse ajo që mëson duket se bie në kundërshtim me disa nga bindjet e tua të forta fetare? A duhet ta anashkalosh? Sigurisht që jo. Mund të ketë raste kur është më se e arsyeshme të shqyrtosh prova të fuqishme që duket se bien në kundërshtim me atë që beson. Në Bibël, Perëndia premton se do t’i bekojë ata që e kërkojnë me sinqeritet të vërtetën duke u dhënë njohuri, aftësi dalluese dhe aftësi për të menduar.—Proverbat 2:1-12.
Besimi i ndërtuar mbi mësimet e Biblës nuk bie në kundërshtim me arsyen. Ç’lloj besimi ke ti? Shumë njerëz i kanë «trashëguar» nga prindërit bindjet fetare dhe kurrë nuk i kanë shqyrtuar në dritën e arsyes. Por nuk tregon mungesë respekti nëse shqyrton atë që beson, me qëllim që ‘të vërtetosh’ se mënyra si mendon ti është në harmoni me fjalën e Perëndisë. (Romakëve 12:2) Bibla na këshillon që ‘shprehjet e frymëzuara t’i vëmë në provë për të parë nëse vijnë nga Perëndia’. (1 Gjonit 4:1) Nëse vepron kështu, do të jesh në gjendje që, edhe kur të tjerët të vënë në dyshim bindjet e tua, ‘të mbrohesh para kujtdo që të kërkon arsye për shpresën tënde’.—1 Pjetrit 3:15.
[Shënimi]
^ par. 10 Nëse ke nevojë për ndihmë për të gjetur informacione të besueshme për Biblën, shkruaju botuesve të kësaj reviste.
A DONI TË DINI?
● A thotë Bibla që duhet të besojmë verbërisht pa arsyetuar?—Romakëve 12:1, 2.
● Ç’lloj njohurie është tepër e rëndësishme që të ndërtosh besimin e vërtetë?—1 Timoteut 2:4.
● Ç’mund të mësojmë nga përkufizimi që i bën Bibla besimit?—Hebrenjve 11:1.
[Diçitura në faqen 29]
Perëndia e bekon atë që e kërkon me sinqeritet të vërtetën