Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të sjellë feja ndonjëherë paqe?

A do të sjellë feja ndonjëherë paqe?

A do të sjellë feja ndonjëherë paqe?

«LE TA bëjmë botën një vend më të mirë. Le ta heqim qafe fenë.» Këtë këshillë jep filozofi holandez Floris van den Berg në leksionin e tij të botuar me titull «Si ta heqim qafe fenë dhe pse?» Anembanë botës, ekspertët në fusha të ndryshme të dijes po kështu po nxitin ndalimin e fesë.

«Bota ka nevojë të zgjohet nga makthi i gjatë i besimit te feja»,—deklaron fizikani dhe fituesi i çmimit Nobel Stiven Uinberg. Ideja se ligësitë e kësaj bote mund të pakësohen ndjeshëm me eliminimin e fesë, është trumbetuar mjaft këto vitet e fundit. Librat kundër fesë po shtohen dhe janë mjaft të suksesshëm.

Kokat e shkencës janë mbledhur për të diskutuar atë që konsiderojnë si nevojë urgjente, domethënë çrrënjosjen e fesë. Një valë e re ateistësh po përmbytin mediat me urrejtjen e tyre pa doreza ndaj fesë. A janë këta mendimtarë të respektuar në rrugën e duhur?

A ka një fe të vërtetë?

Nëse të gjitha fetë do të ishin të rreme dhe nëse nuk do të kishte Perëndi, atëherë eliminimi i fesë mund të duket zgjidhje e arsyeshme. Po nëse ka një Perëndi? Po sikur të ketë mbi tokë një grup njerëzish që e përfaqëson siç duhet Perëndinë, domethënë një fe të vërtetë?

Një studim i kujdesshëm i historisë së fesë të çon te një formë adhurimi që dallon si mjaft e ndryshme nga të tjerat. Është një formë adhurimi që praktikohet nga relativisht pak njerëz sot. Kjo fe u themelua nga Jezu Krishti dhe apostujt e tij. Por kjo fe nuk përfaqësohet nga ajo që ka praktikuar për shekuj me radhë i ashtuquajturi krishterim.

Si ndryshon krishterimi i rremë nga feja e vërtetë e themeluar nga Jezu Krishti? Në shumë mënyra. Le të shohim njërën prej tyre.

«Nuk është pjesë e kësaj bote»

Të krishterët e parë nuk mbajtën anë në çështjet politike. Kjo është në harmoni me qëndrimin asnjanës që kishte vetë Jezui. Bibla tregon të paktën dy raste kur Jezui refuzoi me vendosmëri dy oferta për t’u bërë sundimtar politik. (Mateu 4:8-10; Gjoni 6:15) Madje Jezui i qortoi dishepujt që donin të përdornin mjete dhune për të ndaluar arrestimin e tij.—Mateu 26:51, 52; Luka 22:49-51; Gjoni 18:10, 11.

Kur guvernatori romak i Judesë i bëri pyetje specifike për ambiciet politike të supozuara, Jezui vuri pikat mbi i duke thënë: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është nga kjo botë.» (Gjoni 18:36) Është e qartë se Jezui nuk do të përzihej me strukturat politike dhe ushtarake të asaj kohe.

Dishepujt e Jezuit ndoqën të njëjtin model. Në një studim për rolin e fesë në luftë, skuadra e studiuesve që kemi përmendur më parë në këtë seri, thoshte: «Të krishterët e hershëm ishin kundër dhunës. . . . Shumë të krishterë nuk pranonin të futeshin në radhët e ushtrisë dhe të luftonin.» Mësimet e Jezuit dhe të apostujve theksonin dashurinë për të afërmin, madje edhe për të panjohurit e për ata që i përkitnin racave e prejardhjeve etnike të ndryshme. (Veprat 10:34, 35; Jakovi 3:17) Kjo fe i kontribuonte vërtet paqes.

Me kalimin e kohës, konceptet fillestare të krishterimit u infektuan nga forcat përçarëse të filozofisë, traditës dhe të nacionalizmit. Shqyrtimi historik mbi rolin e fesë në konfliktet e armatosura, që u përmend më parë, thotë: «Kur Kostandini [perandori romak] u bë i krishterë, ai e militarizoi lëvizjen e krishterë, e cila nuk drejtohej më nga mësimet dashamirëse të Krishtit, por drejtohej nga qëllimet e perandorit për pushtime politike dhe gjeografike. Të krishterët, përfshirë perandorin, ishin të detyruar të gjenin pretekste fetare për të luftuar.» Kështu lindi një version fallso i krishterimit.

Një grup që ‘dallon’

A ka humbur përfundimisht krishterimi i vërtetë? Sigurisht që jo. Sot ekziston një grup fetar që meriton të shqyrtohet në veçanti. Dëshmitarët e Jehovait imitojnë të krishterët e parë si asnjë popull tjetër fetar. Ata nuk kanë lidhje me asnjë fe të krishterimit të rremë. Një enciklopedi thotë se ata «dallojnë» nga të tjerët, sepse i mbështetin të gjitha bindjet e tyre fetare në «autoritetin e Biblës, e cila zëvendëson plotësisht traditën».​—The Encyclopedia of Religion.

Ashtu si të krishterët e parë, Dëshmitarët e Jehovait janë asnjanës në konfliktet politike. Një gazetë e botuar nga Akademia Kombëtare e Shkencave të Ukrainës, pohon se Dëshmitarët e Jehovait kanë për qëllim të kapërcejnë «dallimet raciale, kombëtare, fetare, shoqërore dhe ekonomike». Gazeta shpjegon se Dëshmitarët e Jehovait nuk përfshihen në «veprimtari kundër shtetit» dhe janë «nënshtetas që i binden ligjeve të vendit të tyre».

Profesori Vojçek Moxhelevski, nga Universiteti i Varshavës në Poloni, shkroi në librin e tij Pacifizmi dhe fqinjësia: «Dëshmitarët e Jehovait sot formojnë komunitetin më të madh në botë që është kundër luftës.» Ngaqë ndjekin me kujdes modelin e të krishterëve të shekullit të parë, mund të thuhet se Dëshmitarët e Jehovait kanë arritur të rivendosin formën e adhurimit që u themelua nga Krishti dhe apostujt. Ky është lloji i krishterimit që i kontribuon vërtet paqes.​—Shih kutinë në faqen tjetër.

Një e ardhme e ndritur

Kuptohet, mjaft adhurues të sinqertë​—e madje shumë krerë fetarë​—janë të tronditur nga hipokrizia e fesë së tyre. Janë për t’u lavdëruar shumë njerëz fetarë që i janë përkushtuar paqes dhe harmonisë në botë.

Megjithatë, sado të sinqertë qofshin, njerëzit nuk kanë aq fuqi sa të zgjidhin problemet botërore. Profeti i lashtësisë, Jeremia, shkroi: «Nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.»​—Jeremia 10:23.

Por e ardhmja është premtuese. Nga Fjala e Perëndisë mësojmë se në tokë do të vendoset një shoqëri njerëzore paqësore. Kjo shoqëri e re do të jetë një vëllazëri e vërtetë. Të gjitha racat do të jetojnë në harmoni dhe njerëzimi nuk do të përçahet nga kufijtë territorialë, urrejtjet etnike ose ideologjitë fetare. I vetmi element që do të na bashkojë, do të jetë adhurimi i pastër i Perëndisë Jehova.

Bibla parathotë edhe rënien e fesë që çnderon Perëndinë. Jezui tha: «Çdo mbretëri e përçarë, përfundon në shkretim dhe çdo qytet apo shtëpi e përçarë, nuk qëndron.» (Mateu 12:25) Së shpejti, Perëndia do të sigurohet që këto fjalë kundër fesë së rreme të përmbushen.

Kohë më parë Bibla paratha se Perëndia «do të gjykojë mes kombeve dhe do t’i ndreqë gjërat». Kjo profeci thotë edhe se njerëzit «do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.» (Isaia 2:4) Kjo profeci po përmbushet në ditët e sotme. Feja e vërtetë, e praktikuar nga Dëshmitarët e Jehovait, tashmë po i kontribuon paqes.

[Diçitura në faqen 8]

Dëshmitarët e Jehovait i bashkon dashuria

[Kutia në faqen 9]

Çfarë i bën të ndryshëm Dëshmitarët e Jehovait?

Shumë njerëz habiten kur mësojnë se sa ndryshojnë Dëshmitarët e Jehovait nga gjithë fetë e tjera që thonë se ndjekin Krishtin. Më poshtë renditen disa nga gjërat që i bëjnë Dëshmitarët e Jehovait të veçantë.

STRUKTURA

● Nuk kanë një klasë kleri.

● Ata që marrin drejtimin, mësuesit dhe misionarët nuk marrin rrogë.

● As nuk kërkojnë të dhjetën dhe as nuk mbledhin para në vendet e adhurimit, që njihen si Salla Mbretërie.

● Të gjitha veprimtaritë e tyre mbështeten nga kontribute anonime.

● Janë asnjanës në lidhje me politikën.

● Përkrahin paqen dhe nuk marrin pjesë në luftëra.

● Janë në unitet në të gjithë botën për sa i përket besimit dhe bindjeve të bazuara në Bibël.

● Janë plotësisht të bashkuar, pa dallime shoqërore, etnike, raciale ose klasore.

● Nuk kanë lidhje me asnjë fe tjetër, si për shembull me fenë katolike, ortodokse ose protestante.

DOKTRINA

● Ata besojnë se ka vetëm një Perëndi të vërtetë, emri i të cilit është Jehova.

● Nuk besojnë se Jezu Krishti është Perëndi i Plotfuqishëm dhe nuk besojnë te doktrina e Trinitetit.

● Ndjekin mësimet e Jezuit dhe e nderojnë si Birin e Perëndisë.

● Nuk adhurojnë kryqin e nuk përdorin shëmbëlltyra në adhurimin e tyre.

● Nuk besojnë se ekziston ferri i zjarrtë ku shkojnë gjithë të këqijtë pas vdekjes.

● Besojnë se Perëndia do t’i bekojë njerëzit e bindur me jetë të përhershme në një parajsë tokësore.

Dëshmitarët e Jehovait besojnë se kanë arritur të rivendosin krishterimin e shekullit të parë, pikërisht atë formë krishterimi që praktikonin dishepujt e Jezuit.

[Figura në faqen 8]

Një serb, një boshnjak dhe një kroat