Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i kontribuon feja paqes?

A i kontribuon feja paqes?

A i kontribuon feja paqes?

E CILËSUAR nga disa si kisha më e shenjtë e krishterimit, Kisha e Varrit të Shenjtë në Jerusalem është bërë simbol i konflikteve dhe i armiqësisë fetare. Nga sa thuhet, kjo kishë ndodhet në vendin «ku Jezui mendohet të ketë vdekur dhe të jetë ngritur nga të vdekurit». Megjithatë, ky vend i nderuar nga shumë njerëz, ka qenë edhe skena e mjaft përplasjeve të dhunshme. Murgj dhe priftërinj nga gjashtë grupe fetare «të krishtere», kanë sulmuar njëri-tjetrin duke debatuar për të drejtën e përdorimit të kësaj kishe. Rivaliteti është shtuar vitet e fundit. Është dashur të ndërhyjnë me armë në dorë forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe ta marrin kishën përkohësisht nën kontroll.

Një histori dhune

Ajo që ndodhi në Kishën e Varrit të Shenjtë, është pjesë e një historie të gjatë plot gjakderdhje dhe masakra që lidhen me ndjenjat e zjarrta fetare. Duke bërë një përmbledhje të konflikteve më të fundit në pjesë të ndryshme të botës, libri Dhunë në emër të Perëndisë (anglisht), thotë: «Nga Indonezia në Irlandën e Veriut, nga Lindja e Mesme në Kashmir, nga India në Nigeri, nga Ballkani në Sri-Lankë, të krishterët, budistët, judenjtë, hinduistët, myslimanët dhe sikistët e justifikojnë dhunën me pretekstin se mbrojnë identitetin dhe interesat e tyre fetare.»

E megjithatë, shumica e feve kanë paqen dhe harmoninë si doktrina qendrore. Gjatë kohëve, parimet altruiste, si dashuria për të afërmin dhe shenjtëria e jetës njerëzore janë përkrahur me entuziazëm nga feja. Atëherë, a nuk duhet të ushtrojë feja ndikimin e saj të jashtëzakonshëm në dobi të paqes? Ata që janë adhurues të sinqertë, bëjnë mirë të shqyrtojnë këtë pyetje.