Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
«Më shumë se gjysma e rusëve mendojnë se rruga më e mirë ‘për të zgjidhur problemet’ është t’u japësh ryshfet nëpunësve.»—AGJENCIA E LAJMEVE ROJTERS, RUSI.
«Një sondazh tregoi se 17,5 për qind e kinezëve të rritur vuajnë nga çrregullime mendore. . . . Gratë preken më tepër sesa burrat nga çrregullimet e humorit dhe të ankthit.»—CHINA DAILY, KINË.
«Sipas statistikave të reja nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë, të paktën 28% e gjithë karamboleve me makina në SHBA—ose 1,6 milionë karambole në vit—shkaktohen nga shoferët që përdorin celularët ose dërgojnë / lexojnë mesazhe.»—UC BERKELEY WELLNESS LETTER, SHBA.
‘Histori e sikletshme’
«Raporti i Komisionit për Hetimin e Abuzimit me Fëmijët nxjerr në shesh historinë e sikletshme të Irlandës»,—thuhet në gazetën The Irish Times. Sipas gazetës, ky raport zhvarros një histori të njollosur nga abuzimi sistematik me fëmijët në institucionet fetare katolike, i cili shkon nga «rrahja e fëmijëve, krimi i vetëm i të cilëve ishte që kishin zënë morra» e deri tek abuzimi i vazhdueshëm seksual. Siç thuhet në gazetë, nga besnikëria e pavend ndaj «autoritetit absolut të Kishës Katolike» u mbyllën sytë para këtij abuzimi. Titulli i një artikulli në Times ishte: «Qeveri dhe Kishë: turp t’ju vijë!», duke cituar kështu fjalët e dikujt që u qante hallin viktimave.
Ujë në Hënë
Pasi lëshuan një raketë që u përplas në sipërfaqen e Hënës, disa shkencëtarë thanë se diktuan ujë në shtëllungën e pluhurit që u ngrit. Reja e pluhurit u vëzhgua me spektrometra—instrumente që analizojnë përbërjen e materialeve duke veçuar gjatësitë e valëve të dritës që thithin ose lëshojnë. «Po zbulojmë misteret e fqinjit tonë më të afërt e, për pasojë, edhe të sistemit diellor»,—tha Majkëll Uargoja, i cili drejton ekipin e shkencëtarëve që studiojnë Hënën në qendrën e NASA-s, në Uashington D.C. Më pas, një sondë e dërguar në Hënë zbuloi se në polin verior të saj ka miliona tonë ujë.
Shufra ari nga shpërndarësi automatik
Në disa vende përreth botës, listës së gjatë të produkteve që disponohen në shpërndarësit automatikë po i shtohen tani edhe shufrat e arit. Për shembull, një hotel në Abu-Dabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka instaluar një makineri që shpërndan 320 artikuj të ndryshëm, ndër të cilët edhe shufra ari me peshë deri në 10 g dhe monedha ari sipas kërkesave. Çmimet e arit përditësohen çdo dhjetë minuta me anë të një lidhjeje kompjuterike me tregjet ndërkombëtare. Në fillim, makineria pranonte vetëm monedhën vendëse, por tani është planifikuar të pranojë edhe karta krediti. Sipas një artikulli të agjencisë Rojters, u vendos që iniciativa të niste tamam atje «për shkak të kërkesës së madhe për ar në atë rajon»