Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Libri i Ditës së Gjykimit​—Një regjistrim i jashtëzakonshëm

Libri i Ditës së Gjykimit​—Një regjistrim i jashtëzakonshëm

Libri i Ditës së Gjykimit​—Një regjistrim i jashtëzakonshëm

Uilliami, duka i Normandisë (një krahinë në Francë), pushtoi Anglinë në vitin 1066. Nëntëmbëdhjetë vjet më vonë, ai dha urdhër që të bëhej një sondazh në mbretërinë e tij të re. Regjistrimi i këtij sondazhi mori emrin libri Domesday. Ai është ende një nga dokumentimet më të rëndësishme historike të Anglisë. Përse?

UILLIAMI zbarkoi afër Hastingsit, Angli, në shtator të vitit 1066. Po këtu, më 14 tetor, ai mundi ushtrinë angleze të mbretit Harold, i cili u vra. Ditën e Krishtlindjeve të po atij viti, Uilliami, që më vonë mori emrin Pushtuesi, u kurorëzua në Abacinë e Uestminsterit në Londër. Si do t’ia bënin anglezët nën sundimin e këtij mbreti të ri?

Sondazhi i madh

Mbreti Uilliam I bëri kërdinë në veri të vendit dhe shpopulloi territore të mëdha. «Edhe duke pasur parasysh standardin mjaft mizor të asaj kohe,—shkruan Trevër Rouli, ish-kujdestari i trupit mësimor të Universitetit të Oksfordit,—‘shkretimi i veriut’ (1068-70) mund të cilësohet si barbar.» Në kohën e Uilliamit kishte kryengritje të vazhdueshme dhe ushtria e tij, që numëronte dhjetë mijë a më pak, jetonte në mes të një popullsie armiqësore prej ndoshta dy milionësh. Pak nga pak, normanët ndërtuan mbi 500 fortifikata në mbarë vendin, nga të cilat më e famshmja është Kulla e Londrës.

Në dhjetor të vitit 1085, 19 vjet pas pushtimit të tij, Uilliami qëndroi pesë ditë me zyrtarët e oborrit në Gloster të Anglisë duke planifikuar një sondazh në mbarë vendin, me përjashtim të Londrës dhe të Uinçesterit. Në fillim të vitit pasues, të ngarkuarit e oborrit u dërguan njëkohësisht në secilën prej shtatë krahinave për të pyetur përfaqësuesit e krahinave dhe për të vlerësuar pasurinë e vendit.

Mbretit i duhej të mblidhte fondet për të mbajtur ushtrinë e vet. Gjithashtu duhej të zgjidhte edhe mosmarrëveshjet për pronësinë e tokave. Përmbushja e këtyre synimeve, do të krijonte mundësi që banorë nga Normandia dhe pjesë të tjera të Francës të shpërnguleshin në Angli dhe kështu të ruhej epërsia e normanëve.

«Dita e gjykimit»

Shumë shpejt pas fitores së tij mbi Anglinë, mbreti Uilliam ua kaloi baronëve normanë pronat e fisnikëve anglezë. Sondazhi që Uilliami bëri në Angli, zbuloi se gjysma e pasurisë së të gjithë vendit në ato kohë ishte në duart e më pak se 200 burrave, vetëm 2 prej të cilëve ishin anglezë. Shumë prej pak a shumë 6.000 nënqiramarrësve anglezë, nuk kishin nga t’ia mbanin veçse të paguanin që të mund të banonin në tokat që me të drejtë i kishin të tyret para vitit 1066. Kurse të varfrit dhe të shpronësuarit rropateshin për bukën e gojës.

Ky regjistrim vulosi si të ligjshme marrjen e pronave nga normanët. Gjithashtu, për të vendosur taksa, ai bëri të mundur rivlerësimin e tokave dhe të shtëpive të marra hua, si edhe të pyjeve e të lëndinave. Sikur edhe vetëm një kafshë të kishin, një ka, një lopë ose një derr, ajo do të regjistrohej. Anglezët e shtypur ishin të shqetësuar për këtë regjistrim pasi nuk kishin të drejtën të ngrinin zërin. Ata e krahasuan këtë sondazh të madh me «Ditën e Gjykimit» ose siç thuhet në anglisht Domesday. Prandaj, më vonë ai mori emrin sondazhi i librit Domesday.

Libri Domesday përbëhet nga dy vëllime dhe është shkruar latinisht në pergamenë. Libri i madh Domesday, me format më të madh, ka 413 fletë; kurse libri i vogël Domesday ka 475 fletë me format më të vogël. * Ai mbeti i papërfunduar kur Uilliami vdiq në vitin 1087. Si u arrit të bëhej e gjithë kjo brenda një viti?

Normanët trashëguan nga anglezët disa hollësi të dokumentuara zyrtarisht të pronarëve dhe qiramarrësve, si edhe regjistrime fiskale dhe taksore. Mbi këto baza, normanët pastaj bënë vlerësime të reja taksash duke dërguar zyrtarë në çdo krahinë për të bërë një pyetësor publik.

Libri sot

Gjatë mesjetës, libri Domesday shpesh udhëtonte bashkë me familjen mbretërore. Në fillim përdorej kryesisht për të vendosur mbi pronësinë e tokave. Megjithatë, në shekullin e 18-të, sër Uilliam Bllekstouni, juristi i shquar anglez, e përdorte për të vendosur mbi të drejtën e disa qiramarrësve për të votuar. Është ruajtur në vende të ndryshme, por tani gjendet në Arkivin Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar.

Me rastin e 900 vjetorit të tij në vitin 1986, u bë përsëri lidhja e tij në pesë vëllime. Një përkthim i rishikuar në anglisht, është i disponueshëm për studiuesit dhe historianët. BBC-ja e quaji «dokumenti bazë i arkivit kombëtar dhe . . . ende i vlefshëm si provë e të drejtës së pronësisë së tokës». Në vitin 1958, u përdor për të vërtetuar të drejtën e një qyteti të lashtë për të pasur pazarin e tij.

Arkeologët vazhdojnë t’i referohen librit Domesday për të gjetur ku ndodheshin vendbanimet angleze dhe normane. Ai mbetet një burim informacioni me vlerë unike që hodhi bazën për zhvillimin e kombit anglez.

[Shënimi]

^ par. 11 Libri i madh Domesday përmbante lista të shkurtuara të pronave të taksueshme, kurse listat e librit të vogël Domesday mbetën të pashkurtuara dhe nuk u përfshinë në vëllimin e madh.

[Kutia dhe figura në faqen 23]

KRYQËZATA E UILLIAMIT

Uilliami sugjeroi që papa ta deklaronte pushtimin e tij si kryqëzatë, duke i premtuar në këmbim papës më shumë kontroll mbi kishën angleze të pabindur ndaj papës. Ai pranoi me gatishmëri. Siç shkruan profesor Dejvid Ç. Dagllasi, ky ishte «një triumf diplomacie» për Uilliamin. Një historian tjetër i shquar, Xhorxh M. Treveljani, në librin e tij History of England, arrin në përfundimin se «flamuri dhe bekimi papnor ishin një pasuri e leverdisshme në një sipërmarrje që përndryshe do të dukej më tepër si grabitje e armatosur sesa një kryqëzatë».

[Burimi]

© The Bridgeman Art Library

[Harta në faqen 22]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

ANGLI

LONDËR

Hastings

Ngushtica La Mansh

NORMANDI

[Burimi i figurës në faqen 22]

Libri: Mary Evans/​Arkivi Kombëtar, Londër, Angli