Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Një anketim i zhvilluar nga BBC-ja me 13.000 njerëz në 26 vende, tregoi se «korrupsioni është problemi për të cilin flitet më tepër në botë». Megjithatë, varfëria konsiderohej problemi më i madh në botë.—BBC NEWS, BRITANI.
«Në mbarë Shtetet e Bashkuara, kishat po vënë pajisje gjurmuese GPS në statujat e foshnjës Jezu. Vitet e fundit, ka pasur një mori vjedhjesh të këtyre statujave në mbarë kombin.»—THE WEEK, SHBA.
«Një komitet konsultativ i Entit [të SHBA-së] për Ushqimin dhe Ilaçet, po rekomandon që njerëzit me sindromën e rraskapitjes kronike të mos lejohen të dhurojnë gjak. Një ndër arsyet është se kjo sëmundje mund të ketë lidhje me një retrovirus.»—THE WALL STREET JOURNAL, SHBA.
Drita vret supermikrobet
Në Universitetin e Strethklajdit në Glasgou të Skocisë, është shpikur një risi në teknologji, që përdor dritën e fortë për të eliminuar nga spitalet bakteret rezistente. Kjo teknikë e re sterilizimi është shumë më e efektshme për zhdukjen e patogjenëve sesa vetëm pastrimi dhe dezinfektimi. Siç shpjegon mikrobiologu dhe profesori Xhon Anderson, ajo «funksionon duke përdorur një spektër të ngushtë gjatësi valësh të dritës së dukshme për të stimuluar molekulat brenda baktereve. Molekulat në vetvete prodhojnë grimca kimike mjaft reaktive që janë vdekjeprurëse për bakteret.»
Prerja e pyjeve dhe malaria
Prerja e pyjeve tropikale është shkaku i rritjes së rasteve të malaries me gati 50 për qind. Kështu thonë ata që kanë studiuar të dhënat e 54 rajoneve shëndetësore në Brazil bashkë me imazhet satelitore që pasqyrojnë prerjet e drurëve. Mbartësi kryesor i malaries në zonën e studiuar është një mushkonjë e njohur me emrin Anopheles darlingi. «Territoret e shpyllëzuara, me më tepër sipërfaqe të hapura dhe me pellgje uji pjesërisht të ndriçuara nga dielli, me sa duket sigurojnë habitatin ideal për këtë mushkonjë»,—thotë Sara Olsoni, autorja kryesore e studimit. U zbulua se zonat ku rastet me malarie po rriten, janë po ato ku pyjet janë shkatërruar më shumë.
Kallamari fluturues
Kohët e fundit, fotografitë kanë dëshmuar se disa lloje kallamarësh fluturojnë me anë të shtytjes reaktive. Sipas revistës Scientific American, biologët e detit vëzhguan se «kallamarët e vegjël prej 20 centimetrash mund të kërcenin deri në 2 metra mbi sipërfaqen e ujit dhe mund t’i jepnin shtysë trupit duke rrahur me forcë pendët dhe duke lëvizur në formë spiraleje tentakulat në një distancë prej 10 metrash». Duke thithur ujë dhe duke e nxjerrë çurg me forcë, ky molusk përfton aq forcë shtytëse sa kërcen mbi sipërfaqen e detit. Në fotografi duket se përdorin pendët si krahë për të fluturuar.