«Shkruajini Antonit!»
«Shkruajini Antonit!»
● Në fshatin e largët të Shelkanit në Stavropol Kraj të Rusisë, jetonte një adoleshent me emrin Anton, Dëshmitar i Jehovait. Që në fëmijëri vuante nga distrofia muskulare e Dyshenit, një sëmundje e pashërueshme që konsumon me shpejtësi muskujt dhe shkakton vdekjen para moshës 20-vjeçare. Kur Antoni ishte nëntë vjeç, nuk mund të ecte apo të ngrihej më.
Evgjeniu, bashkë me gruan e tij, Dianën, e takuan Antonin kur vizituan një kongregacion të Dëshmitarëve. «Antoni ishte jashtëzakonisht i dobët nga ana fizike,—shpjegon Diana,—por kishte një marrëdhënie të fortë me Perëndinë. Ngaqë i kishte vdekur vëllai në moshën 19-vjeçare nga e njëjta sëmundje, Antoni e dinte se nuk i kishte mbetur shumë kohë. Prapëseprapë, ishte i lumtur dhe optimist.»
Diana dhe i shoqi, e inkurajuan Antonin të predikonte edhe më shumë duke u dërguar letra njerëzve në fshatra të tjerë të izoluar. Në vitin 2005, ai shkroi rreth 500 letra dhe i dërgoi në fshatrat aty afër. Por mbeti i zhgënjyer, sepse nuk mori asnjë përgjigje. Megjithëse ndihej i shkurajuar, ai vazhdoi të shkruante letra dhe i lutej me zjarr Perëndisë për drejtim që të ishte një predikues i suksesshëm me gjithë rrethanat e tij.
Një ditë, kur po lexonte një gazetë, Antonit i zuri syri një letër nga një grua e sëmurë që kishte nevojë për ngushëllim. Antoni i shkroi asaj dhe një pjesë e letrës së tij u botua në të njëjtën gazetë. «Megjithëse kam sëmundje të pashërueshme, leximi i Biblës më ndihmon ta shoh të ardhmen me besim,—shkruante ai.—Më pëlqen jashtë mase të marr letra dhe jam gjithmonë në pritje të tyre.»
E prekur thellë nga letra e tij, gruaja shkroi në adresë të gazetës. Letra e saj u botua në një artikull me titullin «Shkruajini Antonit!» Ajo shprehte vlerësimin për fjalët inkurajuese të Antonit në lidhje me leximin e Biblës dhe vazhdonte: «Le ta ndihmojmë Antonin! Kthejini përgjigje me letrat tuaja. Ky djalë ka mjaft nevojë për fjalë inkurajuese.» Dhe pastaj jepej adresa e Antonit.
Në postën e vogël të fshatit, në adresë të Antonit filluan të vinin deri 30 letra në ditë. Vinin nga gjithë Rusia, si edhe nga vendet baltike, Gjermania e madje nga Franca. Mori qindra letra nga lexuesit e asaj gazete. «Antoni fluturonte nga gëzimi,—kujton Diana.—Tani mund t’u shkruante qindra njerëzve dhe të ndante me ta bindjet e tij të bazuara në Bibël.»
Antoni mbajti korrespondencë me ta për më tepër se një vit dhe u shkruante për të vërtetat biblike. Gradualisht, ndërsa duart i dobësoheshin, filloi të diktonte e të tjerët shkruanin. Antoni vdiq në shtator të vitit 2008 në moshën 20-vjeçare. Megjithëse fizikisht ishte tepër i brishtë, besimi i tij dhe dashuria për shërbimin e krishterë i krijuan mundësi të prekte zemrat e qindra njerëzve.