Të prekur nga kriza e madhe
Të prekur nga kriza e madhe
«SITUATA më e keqe ekonomike e një brezi.» Kështu e quajti Encyclopædia Britannica Online krizën që ka goditur botën kohët e fundit. Rënia ekonomike që filloi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2007, ka qenë kaq drastike dhe ka prekur kaq shumë vende, sa tani ka marrë një emër specifik: Kriza e Madhe.
Cili ishte shkaku? Revista Newsweek e përmbledh me pak fjalë: «Çmenduria e huamarrjeve të papërgjegjshme.» Po pse kjo mani për të marrë kredi dhe për të blerë gjëra që njerëzit nuk kishin mundësi t’i paguanin?
Ka të ngjarë që edhe ju jeni dakord se fajin e kishte pikërisht sistemi ekonomik botëror, i cili nxit lakminë. Në fakt, motoja ishte: «Blini! Blini! Blini!»—pavarësisht nëse mund të paguani apo jo. «Një brez i tërë ka zënë mend duke i hequr mbi kurriz rreziqet e huamarrjeve tepër të mëdha»,—shpjegon ekonomisti Kris Farëll në librin e tij The New Frugality.
Mjaft vende i mori përpara orteku i Krizës së Madhe. «Me gjithë shenjat e rimëkëmbjes,—thuhej në faqen kryesore të gazetës afrikano-jugore Sunday Times vitin e kaluar,—konsumatorët . . . ende mezi arrijnë të sigurojnë bukën e gojës.» Gazeta tregonte se «pothuajse 3.000.000 konsumatorë [në Afrikën e Jugut] kanë më tepër se tre muaj që nuk paguajnë dot faturat dhe dy vitet e fundit rreth 250.000 punonjës me të ardhura mesatare kanë humbur punën».
Numri i atyre që kanë humbur punën vitet e fundit ka arritur në dhjetëra milionë. Në lidhje me shenjat e rimëkëmbjes në Shtetet e Bashkuara, gazeta Financial Times ironizonte: «Rimëkëmbja që nga qershori i vitit 2009 mund të quhet ‘Zhgënjimi i Madh’.» Ajo shtonte: «Shumë ekonomistë mendojnë se nevoja për të paguar borxhin, do të pengojë rritjen e konsumit për disa vite me radhë.»
Nëse jeni viktimë e Krizës së Madhe, patjetër do të ishit dakord me fjalët që shkroi autori Dejvid Birti në një ese: «Duket se flitet shumë për problemet financiare botërore, por shumë pak për zgjidhjen e tyre.»
Artikujt në vijim kanë për qëllim të ndihmojnë ata që rropaten për të paguar borxhet. Ata do të shqyrtojnë këto pyetje: ç’të mira sjell kursimi? Ç’mund të bëni nëse keni borxhe? Si t’i administroni sa më mirë paratë?