Ja ç’thonë prindërit
Ja ç’thonë prindërit
Vitet e adoleshencës sjellin një sërë vështirësish të tjera për shumë prindër. Si mund ta ndihmosh fëmijën ta kalojë sa më mirë këtë fazë të jetës, që është po aq pështjelluese për të sa edhe për ty? Vër re se çfarë kanë thënë disa prindër nga vende të ndryshme të botës.
NDRYSHIMET
«Kur djali im ishte më i vogël, i pranonte këshillat e mia pa e bërë fjalën dysh. Por, gjatë viteve të adoleshencës, dukej se e humbi besimin tek autoriteti im. Ai vinte në diskutim edhe fjalët që thosha, edhe mënyrën si i thosha.»—Frenku, Kanada.
«Djali im nuk flet aq sa më parë. Më duhet ta pyes se çfarë i kalon nëpër mendje në vend që të pres të më tregojë vetë. Edhe përgjigjet mezi m’i kthen. M’i kthen, por jo menjëherë.»—Francisa, Australi.
«Është shumë e rëndësishme të tregosh durim. Ndonjëherë na vjen t’u bërtasim fëmijëve, por zgjidhja më e mirë është të qetësohemi dhe të bisedojmë shtruar me ta.»—Felisja, Shtetet e Bashkuara.
KOMUNIKIMI
«Nganjëherë vajza ime adoleshente ngre një mur mbrojtës dhe mendon se unë i bie kot më qafë. Më duhet t’i kujtoj që e dua, që jemi në të njëjtën anë dhe që i dua të mirën.»—Liza, Shtetet e Bashkuara.
«Kur ishin të vegjël, fëmijët hapeshin pa problem me mua. Ishte e lehtë t’ua blije mendjen. Tani më duhet të përpiqem të jem e kuptueshme dhe të tregoj se i respektoj si individë. Kjo është e vetmja mënyrë që të hapen me mua.»—Nan Hija, Kore.
«Me adoleshentët nuk mjafton vetëm t’u vëmë ca kufizime. Duhet të arsyetojmë me ta dhe të bëjmë biseda domethënëse që u prekin zemrën. Që ata të shprehen lirshëm, duhet të jemi të gatshëm t’i dëgjojmë, edhe nëse bëhet fjalë për gjëra që preferojmë të mos i dëgjojmë.»—Dalila, Brazil.
«Nëse më duhet ta qortoj vajzën, përpiqem ta marr mënjanë, jo në sy të të tjerëve.»—Edna, Nigeri.
«Ndonjëherë kur jam duke folur me djalin, filloj të shpërqendrohem nga gjëra të tjera në shtëpi dhe nuk i kushtoj vëmendje të plotë. Ai e kupton dhe mendoj se kjo është arsyeja përse nuk flet më aq shumë me mua. Duhet t’i kushtoj më shumë vëmendje kur flasim në mënyrë që të mos i shkëpusë urat e komunikimit me mua.»—Miriami, Meksikë.
LIRIA
«Gjithmonë kisha frikë t’u jepja liri fëmijëve adoleshentë dhe sigurisht kjo ka qenë mollë sherri midis nesh. Fola hapur me ta për këtë. U shpjegova pse e kisha atë frikë, kurse ata më shpjeguan pse donin të kishin më shumë liri. Arritëm të gjenim një rrugë të mesme: do t’u jepja më shumë liri, por brenda kufijve të arsyeshëm që u kisha vënë.»—Edvini, Ganë.
«Djali im kërkonte një motor. Unë isha kaq shumë kundër kësaj ideje sa fillova ta qortoja dhe të nxirrja anët e këqija të motorëve, pa i dhënë fare mundësinë të shpjegohej. Kjo e zemëroi dhe e bëri më të vendosur për të arritur qëllimin e vet. Vendosa të përdorja një metodë tjetër. E nxita ta shihte këtë çështje nga të gjitha këndvështrimet, domethënë të merrte parasysh rreziqet, shpenzimet dhe kërkesat për të marrë patentën. I thashë të merrte edhe mendimin e të krishterëve të pjekur në kongregacion. Kuptova se nuk duhej të isha imponuese, por ishte më mirë ta inkurajoja të fliste me mua lirshëm për dëshirat e tij. Në këtë mënyrë do të arrija të kuptoja çfarë kishte në zemër.»—Hej Jenga, Kore.
«U vumë kufij, por dalëngadalë u jepnim edhe liri. Sa më shumë i respektonin kufijtë, aq më shumë liri u jepnim. U jepnim mundësi që ta fitonin lirinë, duke u treguar se donim që ata të kishin liri, por nëse abuzonin me besimin tonë, nuk ua kursenim pasojat.»—Dorotea, Francë.
«Nuk i ulja kurrë standardet e mia. Por kur fëmijët bindeshin, isha e gatshme të bëja lëshime. Për shembull, me raste ua shtyja orarin e kthimit në shtëpi. Por nëse e shkelnin orarin më shumë se një herë, do të kishte pasoja.»—Il Kena, Kore.
«Sa më i bindur dhe i përgjegjshëm të jetë një punonjës, aq më shumë do të merret në konsideratë nga shefi. Po kështu, djali im e kupton se, sa më i bindur dhe i përgjegjshëm të jetë brenda kufijve të vendosur nga ne, aq më shumë liri do të fitojë me kalimin e kohës. Ai e di se, ashtu si punonjësi ka pasoja nëse nuk përmbush përgjegjësitë, edhe ai mund ta humbasë lirinë që ka fituar nëse nuk tregohet i përgjegjshëm.»—Ramoni, Meksikë.
[Diçitura në faqen 22]
«Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.»—Proverbat 22:6, Diodati i Ri
[Kutia dhe figurat në faqen 23]
PËRVOJË NGA JETA FAMILJARE
«Të rritësh adoleshentë është përvojë e mrekullueshme»
Xhozefi: Dy vajzat e mia të mëdha janë në moshën e adoleshencës dhe mendoj se është e rëndësishme t’i dëgjosh dhe t’i pranosh pikëpamjet e tyre. Duke u treguar i sinqertë për të metat e mia dhe duke treguar respekt kur flas me to, arrij të mbaj hapur linjat e komunikimit. Me një fjalë, mendoj se të rritësh adoleshentë është përvojë e mrekullueshme, falë drejtimit që marrim nga Fjala e Perëndisë, Bibla.
Liza: Kur vajza jonë e madhe hyri në adoleshencë, vura re se kishte edhe më shumë nevojë për vëmendjen time. Mbaj mend që kaloja shumë kohë duke e dëgjuar, duke biseduar me të dhe duke i dhënë zemër. Unë dhe burri u bëmë të ditur vajzave që mund të shpreheshin lirshëm dhe që do t’i respektonim ndjenjat e tyre. Përpiqem të zbatoj fjalët e mençura te Jakovi 1:19, që thotë se duhet të jemi ‘të shpejtë në të dëgjuar e të mos nxitohemi në të folur’.
Viktoria: Mami është shoqja ime më e mirë. Nuk kam njohur kurrë njeri më të ëmbël e më të dashur se ajo, dhe kështu është me të gjithë. Nëse do të më duhej ta përshkruaja me një fjalë, do ta quaja «zemërmirë». Është e pazëvendësueshme.
Olivia: Babi im është i dashur e bujar. Është gjithmonë i gatshëm për t’u dhënë të tjerëve, edhe kur nuk kemi shumë. Kupton kur është koha për të qenë serioz dhe e di mirë kur është koha për t’u argëtuar. Është një baba i veçantë dhe jam e kënaqur që është babi im.
«Nuk kemi kohë për t’u mërzitur»
Soni: Nëse vajzat kanë ndonjë problem, ulemi të gjithë si familje dhe bisedojmë. Flasim gjithmonë hapur me njëri-tjetrin dhe vendimet i marrim duke u bazuar në parimet biblike. Unë dhe Inesi sigurohemi që vajzat të shoqërohen me njerëz të mirë e të pjekur. Miqtë tanë janë miqtë e tyre dhe miqtë e tyre janë edhe miqtë tanë.
Inesi: Merremi me shumë aktivitete dhe bëjmë mjaft gjëra bashkë si familje. Si Dëshmitarë të Jehovait, jemi të zënë me veprën e predikimit, studimin personal dhe familjar të Biblës, madje edhe me punë vullnetare, si për shembull ndihmojmë në raste katastrofash e për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Por gjejmë kohë edhe për zbavitje të shëndetshme. Nuk kemi kohë për t’u mërzitur.
Kelsi: Babi është një dëgjues i mirë dhe gjithmonë merr mendimin e gjithë familjes para një vendimi të rëndësishëm. Mami më gjendet gjithmonë pranë sa herë kam nevojë për ndihmë, sikur edhe vetëm për të folur.
Samanta: Mami më bën të ndihem shumë e veçantë, e çmuar, e rëndësishme, madje ndonjëherë e bën edhe pa e kuptuar. Më dëgjon. Interesohet për mua. Nuk do ta ndërroja miqësinë tonë me asgjë.
[Figurat]
Familja Kamera: Xhozefi, Liza, Viktoria, Olivia dhe Izabela
Familja Zapata: Kelsi, Inesi, Soni dhe Samanta
[Figura në faqen 22]
Prindërit japin njëfarë lirie, por edhe vendosin kufij të arsyeshëm