Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Samitet për klimën​—Thjesht fjalë në erë?

Samitet për klimën​—Thjesht fjalë në erë?

Samitet për klimën​—Thjesht fjalë në erë?

«Bota duhet të bashkohet për të zgjidhur problemin e ndryshimit të klimës. Shkencëtarët pajtohen me mendimin se, nëse nuk bëjmë asgjë, do të kemi më shumë thatësirë, zi buke dhe zhvendosje të popullsisë në masë, që do të ngjallin edhe më shumë konflikte për dekada të tëra.»​—Presidenti i SHBA-së Barak Obama.

SIPAS disa shkencëtarëve, Toka është sëmurë. Ajo është me temperaturë. Për mendimin e tyre, temperatura globale po i afrohet pikës kritike​—pragut të brishtë ku një rritje e lehtë e saj mund të «shkaktojë një ndryshim dramatik për mjedisin. Kjo do të ndizte shkëndijën për një rritje edhe më të madhe të temperaturave globale»,—​thotë gazeta britanike The Guardian.

Si arritëm deri në këtë pikë? A ka kthim pas? Madje, a është në gjendje njeriu ta zgjidhë problemin e ngrohjes globale, përveç shumë sfidave të tjera madhore me të cilat përballet njerëzimi?

Shumë shkencëtarë mendojnë se një nga faktorët kryesorë të kësaj gjendjeje është aktiviteti i njeriut, duke filluar me revolucionin industrial dhe më vonë me shtimin e përdorimit të lëndëve djegëse natyrore, si qymyri dhe nafta. Një faktor tjetër është shpyllëzimi i pafre. Pyjet janë mushkëritë e planetit tonë. Pemët thithin disa nga gazet e efektit serrë që shkaktojnë ngrohjen globale. Mirëpo, shpyllëzimi i sipërfaqeve të mëdha ka bërë që sasi të shumta të këtyre gazeve të mbeten në atmosferë. Për t’u dhënë zgjidhje këtyre problemeve, krerët botërorë kanë mbledhur samite për klimën.

Protokolli i Kiotos

Protokolli i Kiotos i vitit 1997, ishte një marrëveshje që vendosi synime të reja në lidhje me lëshimin e dyoksidit të karbonit. Me nënshkrimin e këtij protokolli, vendet e Bashkimit Evropian dhe 37 vende të tjera të industrializuara u zotuan që brenda pesë vjetësh, 2008-2012, të lëshonin mesatarisht 5 për qind më pak gaze në krahasim me vitin 1990.

Megjithatë, Protokolli i Kiotos pati disa të meta serioze. Për shembull, Shtetet e Bashkuara nuk e firmosën marrëveshjen. Gjithashtu, vendet më të mëdha në zhvillim, si Kina dhe India, nuk u zotuan të respektonin kufijtë e përcaktuar në lidhje me çlirimin e gazeve. Ndërkohë, vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Kina lëshojnë në atmosferë rreth 40 për qind të gjithë dyoksidit të karbonit në botë.

Samiti i Kopenhagës

Objektivi i samitit të Kopenhagës, i quajtur COP 15, ishte të zëvendësonte Protokollin e Kiotos dhe të vendoste detyrime të reja për vitin 2012 e më pas. * Në dhjetor të vitit 2009, në Kopenhagë të Danimarkës, u mblodhën për të diskutuar për ndryshimin e klimës përfaqësues nga 192 vende, ku bënin pjesë edhe 119 krerë shtetesh. COP 15 u përball me këto tri sfida kryesore:

1. Arritja e marrëveshjeve detyruese ligjore. Vendet e zhvilluara mund të mos duan të pranojnë kufizimet e nevojshme për lëshimin e gazeve dhe vendet më të mëdha në zhvillim mund të mos duan ta kufizojnë shtimin e lëshimit të tyre.

2. Financimi i një zgjidhjeje të përhershme. Vendeve në zhvillim do t’u duhej të shpenzonin miliarda dollarë për vite të tëra, që të përballonin pasojat e përshpejtuara të ngrohjes globale dhe të zhvillonin një teknologji që nuk ndot mjedisin.

3. Pranimi i një sistemi për mbajtjen nën kontroll të çlirimit të gazeve. Ky sistem do të ndihmonte çdo vend të mos i tejkalonte kufijtë e lëshimit të tyre. Gjithashtu, do të bënte që vendet në zhvillim t’i përdornin siç duhej fondet për këtë qëllim.

A u kapërcyen këto sfida? Gjatë bisedimeve pati probleme aq serioze, sa dukej e pamundur që palët të merreshin vesh edhe për çështje fare të thjeshta. Orët e fundit të konferencës, udhëheqësit e 28 shteteve mezi finalizuan një dokument të quajtur Marrëveshja e Kopenhagës. Ajo u pranua formalisht me këto fjalë që ishin as mish, as peshk: «Konferenca . . . merr në konsideratë Marrëveshjen e Kopenhagës», siç raportoi agjencia e lajmeve Rojters. Me fjalë të tjera, u ishte lënë në dorë shteteve ta respektonin marrëveshjen ose jo.

Po tani?

Janë mbajtur ose janë planifikuar konferenca të tjera për këtë problem, por ka shumë dyshime nëse do të marrë zgjidhje. «Planeti do të vazhdojë të piqet»,—tha Pol Krugmani, gazetar i New York Times. Shpeshherë, leverdia afatshkurtër që nxjerr politika dhe ekonomia, ua zë frymën masave afatgjata për mbrojtjen e mjedisit e nxit një qëndrim menefregist. «Nëse do të doje të dije se kush është kundër mbrojtjes së klimës, gjej në xhepin e kujt shkojnë paratë»,—thotë Krugmani. Veç kësaj, ai shkroi se mbrojtja e klimës në vendin e tij ishte sabotuar nga «‘të dyshuarit’ e zakonshëm: lakmia dhe burracakëria [politike]».

Ngrohja globale i ngjan shumë një uragani. Meteorologët janë në gjendje të matin forcën e një uragani dhe ta përcaktojnë drejtimin me mjaft saktësi për dobinë e atyre që do të preken prej tij. Megjithatë, një uragan s’mund të ndalet dot edhe sikur të bashkoheshin të gjithë shkencëtarët, politikanët e afaristët e botës. Duket se njësoj është edhe me ngrohjen globale. Ky fakt na sjell ndër mend fjalët e Biblës te Jeremia 10:23: «Nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.»

Perëndia do t’i japë fund ngrohjes globale

Bibla thotë se «Formuesi i tokës dhe Bërësi i saj . . . nuk e krijoi më kot». (Isaia 45:18) Gjithashtu thotë: «Toka qëndron përjetë.»—Eklisiastiu 1:4.

Po, Perëndia nuk do të lejojë që toka të bëhet e pabanueshme. Përkundrazi, do të ndërhyjë në çështjet e njerëzimit e do t’i asgjësojë qeveritë e dështuara njerëzore dhe ata që nuk tregojnë respekt për planetin. Njëherazi, ai do të ruajë gjallë të gjithë njerëzit që bëjnë një jetë morale të pastër e duan vërtet t’i pëlqejnë atij. Proverbat 2:21, 22 thotë: «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të. Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.»

[Shënimi]

^ par. 10 Konferenca e Palëve (Conference of the Parties, COP) organizohet rregullisht nga Konferenca për Ndryshimet Klimatike e Kombeve të Bashkuara.

[Kutia në faqen 13]

Gazi i efektit serrë është një element i atmosferës që thith rrezatimin termik të lëshuar nga sipërfaqja e tokës. Shumë nga gazet që lëshohen në atmosferë nga industria moderne janë gaze të tilla. Ato përfshijnë dyoksidin e karbonit, klorofluorkarbonet (CFC), metanin dhe protoksidin e azotit. Tani, çdo vit, lëshohet në atmosferë më shumë se 25 miliardë tonë vetëm dyoksid karboni. Raportet tregojnë se që nga fillimi i epokës industriale, niveli i dyoksidit të karbonit në atmosferë është rritur 40 për qind më shumë.

[Burimet e figurave në faqen 12]

Toka: NASA/​The Visible Earth (http:/​/​visibleearth.nasa.gov/​); Barak Obama: ATTILA KISBENEDEK/​AFP/​Getty Images