Titaniku—«Anija më e famshme në histori»
Titaniku—«Anija më e famshme në histori»
10 PRILL 1912: Titaniku niset nga Sauthemptëni, Angli për në Nju-Jork, SHBA.
11 PRILL: Pasi merr pasagjerë në Sherburg të Francës dhe në Kuinstaun (që tani quhet Kov) të Irlandës, Titaniku drejtohet për në Atlantik.
14 PRILL: Aty nga ora 23.40, Titaniku përplaset me një ajsberg.
15 PRILL: Rreth orës 2.20 të mëngjesit, Titaniku fundoset dhe 1.500 veta humbasin jetën.
Ç’LLOJ anijeje ishte Titaniku? Pse u fundos? Ç’mësime u nxorën? Një vizitë në Ulster Folk and Transport Museum, afër Belfastit në Irlandën e Veriut, na ndihmon t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve.
Titaniku—Pse aq i veçantë?
Sipas Majkëll Mekkonit, ish-kujdestar i këtij muzeu, Titaniku është «anija më e famshme në histori». Por Titaniku nuk ishte unik. Ishte e dyta nga tri anijet më të mëdha të ndërtuara në kantieret e Harlandit dhe të Uolfit në Belfast. * Ishte një nga anijet më të mëdha të atyre kohëve, 269 metra i gjatë dhe 28 metra i gjerë.
Linja e anijeve White Star i prodhoi këto anije për të mbizotëruar rrugët detare fitimprurëse të Atlantikut Verior. Kjo linjë nuk mund të konkurronte për nga shpejtësia me rivalen e saj, linjën Cunard. Prandaj synoi të ndërtonte anije më të mëdha dhe më luksoze për të tërhequr njerëzit e pasur dhe të famshëm.
Por Titaniku kishte potencial të përdorej edhe për një qëllim tjetër. «Afro 900.000 emigrantë hynin në Shtetet e Bashkuara çdo vit, që nga 1900-a e deri më 1914-ën»,—thotë Uilliam Bleri, drejtor i Muzeut Kombëtar të Irlandës së Veriut. Transportimi i tyre nga Evropa në Shtetet e Bashkuara, ishte burimi më i madh i të ardhurave për kompanitë transatlantike dhe Titaniku do të përdorej për këtë qëllim.
Tragjedia
Kapiteni i Titanikut, E. Xh. Smithi, i njihte rreziqet e akullit në Atlantikun Verior. Ai e kishte bërë shpesh atë rrugë me Olimpikun. Anijet e tjera i dërguan Titanikut disa paralajmërime për ajsbergë, por disa i shpërfillën dhe disa ndoshta nuk arritën t’i merrnin.
Papritur, vrojtuesit e Titanikut lajmëruan se kishin një ajsberg përpara, por ishte tepër vonë. Oficeri në detyrë arriti të shmangte përplasjen ballë për ballë me ajsbergun, por nuk e shmangu dot cepin e tij që u fërkua anash saj. Kjo e dëmtoi anijen dhe uji vërshoi në disa ndarje të pjesës së përparme. Kapiteni Smith shpejt kuptoi se anija s’kishte shpëtim. Dërgoi mesazhe SOS e dha urdhër që të uleshin varkat e shpëtimit.
Titaniku kishte 16 varka shpëtimi dhe katër varka portative. Ato kishin kapacitet të mbanin rreth 1.170 njerëz. Por kishte 2.200 pasagjerë dhe punonjës ekuipazhi në anije. Sikur të mos mjaftonte, shumë varka u shkëputën nga anija pa u mbushur mirë. Dhe shumë prej tyre nuk u përpoqën të kërkonin të mbijetuarit që ishin hedhur në det. Në fund, vetëm 705 veta shpëtuan.
Më pas
Pas katastrofës së Titanikut, autoritetet detare nxorën rregulla që rritën sigurinë në det. Një prej këtyre rregullave ishte që në të ardhmen të kishte varka shpëtimi të mjaftueshme për të gjithë në bord.
Për vite të tëra njerëzit mendonin se Titaniku u fundos aq shpejt sepse pësoi një të çarë të madhe në momentin e përplasjes fatale. Por, në vitin 1985, pas zbulimit të Titanikut në fund të oqeanit, hetuesit arritën në një përfundim tjetër: ujërat e akullta dëmtuan çelikun e anijes dhe prandaj ai u dobësua e u thye kollaj. Më pak se tri orë pas përplasjes, anija u nda më dysh dhe u fundos, duke u renditur kështu ndër katastrofat më të mëdha në historinë detare. *
[Shënimet]
^ par. 8 Para Titanikut ishte ndërtuar Olimpiku dhe pas tij u ndërtua Britaniku.
^ par. 17 Lexoni tregimin e një prej udhëtarëve të mbijetuar të Titanikut te Zgjohuni! i 22 tetorit 1981, faqet 3-8, anglisht.
[Harta në faqen 14]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Sauthemptën
↓
Sherburg
↓
Kuinstaun (Kov)
↓
Vendi i përplasjes së Titanikut
Nju-Jork
OQEANI ATLANTIK
[Figura në faqet 12, 13]
«Titaniku» gjatë ndërtimit
[Figura në faqen 13]
Helikat e «Titanikut»
[Figura në faqen 13]
Punonjësit duke ikur nga kantieri i Harlandit dhe i Uolfit në Belfast, Irlandë
[Figura në faqen 14]
E. Xh. Smithi, kapiteni i «Titanikut», (djathtas), bashkë me ekonomatin kryesor Herbert Mekelroi
[Burimi]
© Me mirësjellje nga: CSU Archive/age fotostock
[Burimet e figurave në faqen 14]
Faqet 12 dhe 13: nisja nga Sauthemptëni, gjatë ndërtimit dhe kantieri: © National Museums Northern Ireland; helikat: © The Bridgeman Art Library
[Burimi i figurës në faqen 15]
© SZ Photo/Knorr & Hirth/Bridgeman Art Library