Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla—Një libër me profeci të sakta—Pjesa 5

Një lajm i mirë për gjithë njerëzimin

Bibla—Një libër me profeci të sakta—Pjesa 5

Në këtë seri me tetë pjesë, «Zgjohuni!» po shqyrton një veçori mbresëlënëse të Biblës​—profecitë e saj, ose parashikimet. Artikujt do t’ju ndihmojnë t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve: a erdhën thjesht nga disa njerëz të zgjuar profecitë e Biblës? A mbajnë këto parashikime vulën e qartë se janë të frymëzuara nga Perëndia? Ju ftojmë të peshoni dëshmitë.

NË BIBËL gjendet mesazhi i Perëndisë për njerëzimin dhe është një lajm i mirë. Ja përse Jezu Krishti i kushtoi gjithë jetën shpalljes së ‘lajmit të mirë për mbretërinë’. (Luka 4:43) Bibla tregon se kjo Mbretëri është qeveria e Perëndisë dhe se do t’i japë fund sundimit njerëzor shtypës, do të vendosë paqen dhe do të zhdukë të gjitha shkaqet e vuajtjeve. (Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10) Vërtet një lajm i mirë!

Sigurisht, një lajm kaq i mirë meriton të përhapet sa më shumë të jetë e mundur. Por, kur Jezui u ekzekutua, la pas vetëm një grup të vogël dishepujsh. A do të shuhej bashkë me të edhe mesazhi i tij? Bibla paratha krejt të kundërtën: (1) Lajmi i mirë do të përhapej në të gjithë botën. (2) Do t’i rezistonte kundërshtimit të fortë. (3) Do të dilnin të krishterë të rremë dhe do të mashtronin shumë veta. Le t’i shohim këto profeci.

Lajmi i mirë do t’u shpallej të gjitha kombeve

Profecitë:

«Më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet.» (Marku 13:10) «Do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.»​—Veprat 1:8.

Plotësimi: Pak pas vdekjes së Jezuit në vitin 33 të e.s., dishepujt e tij e mbushën Jerusalemin me mesazhin e Mbretërisë. Ata e përhapën në gjithë Judenë e në rrethinat e Samarisë dhe brenda 15 vjetësh u dërguan misionarë të krishterë në pjesë të tjera të Perandorisë Romake. Tashmë në vitin 61 të e.s., mund të thuhej që lajmi i mirë ishte predikuar në shumë ‘skaje’ të tokës.

 Çfarë tregon historia:

  • Dorëshkrime jobiblike të shekullit të dytë dëshmojnë për përhapjen e shpejtë të formës së parë të krishterimit. Suetoni, një historian romak, flet tërthorazi për të krishterët që ishin vendosur në Romë që në vitin 49 të e.s. Në një letër që Plini i Ri, guvernator i Bitinisë (në Turqinë e sotme), i shkroi perandorit Trajan rreth vitit 112 të e.s., e quan krishterimin «sëmundje infektuese» që ishte «përhapur jo vetëm në mbarë qytetet e lira, por edhe në fshatra e ferma». Duke pasur parasysh provat, një historian arriti në këtë përfundim: «Brenda më pak se njëqind vjetësh pas periudhës apostolike, në qytetet kryesore të Perandorisë kishte vende të adhurimit të krishterë.»
  • Në librin The Early Church, profesori Henri Çaduik thotë: «Përhapja e kishës dukej rezultat i një zinxhiri ngjarjesh të pamundura. Asgjë tjetër nuk kishte më pak gjasa të ndodhte, sipas pikëpamjes së njerëzve.»

Kundërshtimi ndaj lajmit të mirë

Profecia:

«Njerëzit do t’ju dorëzojnë nëpër gjykata, do t’ju rrahin nëpër sinagoga dhe do t’ju nxjerrin para guvernatorëve e mbretërve për hirin tim, si dëshmi për ta.»​—Marku 13:9.

Plotësimi: Të krishterët u përndoqën nga judenjtë dhe romakët. I arrestuan, i burgosën, i rrahën dhe i ekzekutuan.

Çfarë tregon historia:

  • Jozef Flavi, një historian jude i shekullit të parë, dokumenton për ekzekutimin e Jakovit, vëllait të Jezuit, nga udhëheqësit fetarë judenj. Bibla flet edhe për Gamalielin, një anëtar i respektuar i gjykatës së lartë judaike, që i nxiti anëtarët e tjerë të tregonin kujdes kur po gjykonin dishepujt e Jezuit. (Veprat 5:34-39) Disa vepra studimi vërtetojnë ekzistencën e Gamalielit dhe thonë se ishte me mendje të hapur.
  • Perandorët romakë, si Neroni, Domiciani, Mark Aureli dhe Diokleciani i përndoqën egërsisht të krishterët e hershëm

  • Historianët tregojnë se, duke filluar nga perandori Neron në vitin 64 të e.s., perandorët romakë nisën një valë përndjekjeje ndaj të krishterëve. Në letërkëmbimin mes perandorit Trajan dhe Plinit të Ri, flitej për dënimet ndaj të krishterëve që nuk mohonin besimin e tyre.
  • «Në vend që përndjekja t’i bënte të krishterët të adhuronin fshehurazi, pati efektin e kundërt»,—thotë profesor Çaduiku i cituar më sipër. Kur ikën ngaqë u rrezikohej jeta, të krishterët e përhapën mesazhin në vende të reja. (Veprat 8:1) Ata ngulmuan, shpesh edhe kur familjarët e miqtë i mohonin. Kjo është interesante duke pasur parasysh që dishepujt e Jezuit ishin «të pashkolluar e të thjeshtë», pa influencë politike. (Veprat 4:13) Historianët janë dakord se «mes dyqanxhinjve dhe tregtarëve të vegjël, . . . ungjilli përhapej më kollaj».

Kur analizojnë këtë histori, studiuesit mrekullohen si një grup kaq i papërfillshëm arriti ta përhapte kaq shpejt krishterimin, pavarësisht nga kundërshtimi i egër. E megjithatë, Jezui i paratha këto ngjarje, në dukje të pamundura, para se të ndodhnin. Shkrimet parathanë edhe se kjo vepër predikimi do të ndërpritej.

Shfaqet krishterimi i rremë

Profecitë:

«Do të hyjnë mes jush ujqër të ligj e nuk do ta trajtojnë kopenë me zemërbutësi, dhe nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.» (Veprat 20:29, 30) «Do të ketë edhe mes jush mësues të rremë. Pikërisht këta do të futin tinëzisht sekte shkatërruese . . . dhe, për shkak të këtyre, do të shahet udha e së vërtetës.»​—2 Pjetrit 2:1, 2.

Plotësimi: Kongregacioni i krishterë u ndot nga individë mizorë, mashtrues dhe ambiciozë.

Çfarë tregon historia:

  • Sidomos pas vdekjes së dishepujve të parë të Jezuit, krishterimi i vërtetë dalëngadalë u ndikua jashtë mase nga njerëz të rëndësishëm që dolën nga mesi i tyre dhe i shtrembëruan mësimet e krishtere me filozofinë greke. Shpejt u formua një klasë kleri që filloi të merrte tiparet e sundimtarëve politikë për nga pushteti dhe pasuria. Sipas historianëve, kur «krishterimi» u bë feja zyrtare e shtetit romak, nuk kishte mbetur asnjë tipar i kongregacionit të shekullit të parë.
  • Me kalimin e shekujve, kjo formë e shtrembëruar e krishterimit la pas një histori plot dhunë e lakmi. Në vend që të tregonin se ishin dishepuj të Jezuit, kleri përndoqi ata që imitonin metodën e predikimit të Jezuit dhe ata që përpiqeshin të botonin Biblën në gjuhën e njerëzve të thjeshtë.

Gjatë shekujve që krishterimi i rremë ushtronte pushtet të madh, dukej sikur askush nuk po predikonte lajmin e mirë. Megjithatë, Jezui tregoi se lajmi i mirë do të rigjallërohej në ditët e fundit. Ai e krahasoi këtë periudhë me kohën e korrjes ku të krishterët e rremë, të simbolizuar nga egjra, do të ndaheshin nga të krishterët e vërtetë, të simbolizuar nga gruri. (Mateu 13:24-30, 36-43) Në ditët e fundit, profecia për lajmin e mirë do të përmbushej në shkallën e saj më të madhe. (Mateu 24:14) Në numrin vijues do të flitet për këtë profeci mbresëlënëse.