Kujdesu për shëndetin
Po të kujdesesh për shëndetin, do të kesh rezultate më të mira në shkollë dhe jetë më cilësore.
ËSHTË më se logjike të kujdesesh për trupin që të ka dhënë Perëndia. (Psalmi 139:14) Për ta ilustruar, mendo sikur ke një makinë, por nuk e mirëmban fare. Vjen një ditë dhe të lë në mes të rrugës. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me trupin tënd. Për çfarë «mirëmbajtjeje» ke nevojë?
Pusho mjaftueshëm.
Mungesa e gjumit mund të të bëjë të dukesh i drobitur dhe të ndihesh i përgjumur, jo i kthjellët e madje me humor të keq. Po të pushosh mirë, do të kesh më tepër energji. Kështu do të rritesh më shpejt, truri e sistemi imunitar do të funksionojnë më mirë dhe emocionalisht do të ndihesh më mirë. Ky është goxha shpërblim për diçka që nuk kërkon shumë përpjekje.
Këshillë: Nëse është e mundur, përpiqu të shkosh në shtrat në të njëjtin orar çdo natë.
Ushqehu mirë.
Adoleshentët rriten shpejt. Për shembull, gjatë moshës 10-17 vjeç, përmasat trupore të shumicës së djemve dyfishohen. Edhe vajzat kanë një rritje të vrullshme. Trupi në rritje e sipër ka nevojë për shumë ushqime të shëndetshme që japin energji. Sigurohu që t’i japësh trupit ushqimet për të cilat ka nevojë.
Këshillë: Mos e lër mëngjesin pa ngrënë. Po «ta mbushësh serbatorin» para se të fillosh mësimin, do ta kesh më të lehtë të përqendrohesh dhe do të përmirësosh kujtesën afatshkurtër.
Bëj fizkulturë.
Bibla pranon se «stërvitja e trupit është e dobishme». (1 Timoteut 4:8) Fizkultura të forcon muskujt dhe kockat, të bën më rezistent, ndihmon të mos shëndoshesh, të bën më të aftë mendërisht, të forcon imunitetin, të lehtëson stresin dhe të ngre humorin. Sigurisht është edhe argëtuese, sepse përfshin aktivitete që të pëlqen t’i bësh.
Përfundimi: Nëse fle mjaftueshëm, ushqehesh me ekuilibër dhe bën fizkulturë me masë, «motori» nuk do të të lërë në mes të rrugës. Këto do të të ndihmojnë të kesh rezultate të mira në shkollë. *
Pse të mos fillosh që tani? Bëj një program të arsyeshëm për të bërë fizkulturë. Mbaj shënim për një muaj zakonet e gjumit e të të ngrënit dhe vër re përmirësimet që duhet të bësh.
«Kur dal për të ecur, më duket sikur fitoj më tepër energji, edhe po të jem i lodhur në fillim.»—Xhejsoni, Zelanda e Re.
«Mendoj se Perëndia i ka bërë ushqimet si karburanti për motorin, dhe unë dua karburantin më të mirë për veten.»—Xhili, Shtetet e Bashkuara.
«Dal për vrap tri herë në javë dhe dy herë në javë i jap biçikletës ose eci. Kur bëj fizkulturë, marr më shumë energji dhe lehtësohem nga stresi.»—Greisi, Australi.
^ par. 9 Për më shumë informacion rreth shëndetit, shih kapitullin 10 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 1, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.