Si të jesh prind i mirë?
A të kujtohet çasti kur more për herë të parë në krahë fëmijën tënd të sapolindur?
Shumë shpejt të pushtuan ndjenjat dhe mendove se do të kishte nevojë për drejtim për vite me radhë. Kuptove përgjegjësinë e madhe që ke si prind.
ROLI i prindit nuk ka qenë asnjëherë i lehtë, e aq më pak sot. Pse? Sepse bota është më e ndërlikuar se në kohën kur ti ishe i vogël. Disa nga vështirësitë morale që kanë fëmijët sot, për shembull kur përdorin Internetin, as që ekzistonin pak dekada më parë.
Si mund ta ndihmosh fëmijën të kapërcejë grackat morale në botën e sotme? Më tej renditen tri sugjerime.
1 Bëja të qarta parimet e tua.
Ndërsa fëmijët rriten, bombardohen nga një mori informacionesh të gabuara për moralin—disa prej të cilave i merr nga bashkëmoshatarët dhe media. Këto ndikime të këqija bëhen të dukshme sidomos kur fëmijët hyjnë në moshën e adoleshencës. Megjithatë, studimet tregojnë se, kur janë para vendimeve të rëndësishme, mjaft adoleshentë vlerësojnë më tepër pikëpamjen e prindërve, sesa të bashkëmoshatarëve.
Ç’mund të bësh? Prindërit në Izraelin e lashtë nxiteshin të bisedonin shpesh me fëmijët, që t’u ngulitnin virtyte të mira. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Bëj edhe ti kështu. Për shembull, nëse jeton sipas normave biblike, tregoji fëmijës pse mendon se ndjekja e këtyre normave është mënyra më e mirë e jetesës.
2 Ndihmoje fëmijën të kuptojë pasojat.
Bibla thotë: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» (Galatasve 6:7) Parimin e shkakut dhe të pasojës e gjen pothuajse në çdo aspekt të jetës. Mendo pak për fëmijërinë tënde. Pa dyshim, e ke ngulitur më mirë një mësim kur ke vuajtur pasojat e veprimeve të tua.
Ç’mund të bësh? Duke përdorur shembuj nga jeta reale, tregoji fëmijës për vuajtjet e atyre që kanë zgjedhur udhën e gabuar ose bekimet e atyre që kanë ndjekur udhën e drejtë. (Luka 17:31, 32; Hebrenjve 13:7) Gjithashtu, mos e mbro fëmijën nga pasojat e gabimeve. Për shembull, ta zëmë se djali yt nga pakujdesia thyen lodrën e një shoku. Mund t’i kërkosh djalit t’i japë shokut një prej lodrave të veta. Ai nuk do ta harrojë kollaj këtë mësim: të respektojë gjërat e të tjerëve.
3 Ndihmoje të kultivojë cilësi të mira.
Një proverb në Bibël thotë: «[Fëmija] njihet edhe nga veprimet e tij: nëse veprat e tij janë të kulluara dhe të drejta.» (Proverbat 20:11) Ndërsa rriten, fëmijët fitojnë një lloj sjelljeje që i karakterizon. Mjerisht, disa shquhen për cilësi të këqija. (Psalmi 58:3) Kurse të tjerë ndërtojnë një reputacion të lavdërueshëm e me themel të fortë. Për shembull, apostulli Pavël i shkroi një kongregacioni për një djalë me emrin Timote: «Nuk kam askënd tjetër me një natyrë si e tija, që të kujdeset sinqerisht për punët tuaja.»—Filipianëve 2:20.
Ç’mund të bësh? Përveç theksimit të pasojave që thamë më lart, ndihmoje fëmijën të mendojë për veçoritë e karakterit që do të donte të kishte. Kur janë përballë një vështirësie, të rinjtë mund të mësojnë të marrin vendime të mençura nëse i bëjnë vetes këto pyetje:
- Ç’lloj njeriu dua të jem?—Kolosianëve 3:10.
- Si do të vepronte një njeri i tillë në këtë situatë?—Proverbat 10:1.
Bibla përmban shumë shembuj realë të burrave e grave, veprimet e të cilëve i karakterizonin si të mirë a të këqij. (1 Korintasve 10:11; Jakovi 5:10, 11) Përdorini këta shembuj për ta ndihmuar djalin ose vajzën të kultivojë cilësi pozitive.
Me anë të botimeve të Dëshmitarëve të Jehovait mund të kuptosh si t’i zbatosh parimet biblike në familje dhe si t’i ndihmosh edhe fëmijët t’i zbatojnë.