PIKËPAMJA E BIBLËS
Satanai
A ekziston vërtet Satanai?
«Gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana, . . . mashtron gjithë tokën e banuar.»
—Zbulesa 12:9.
ÇFARË THONË NJERËZIT?
Disa besojnë se Satana Djalli nuk ekziston vërtet, por është veçse e keqja brenda njeriut.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Satanai ekziston vërtet. Është një engjëll rebel, një krijesë frymore që është armik me Perëndinë. Bibla flet për Satanain si «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 12:31) Ai përdor ‘shenja të gënjeshtërta’ dhe ‘mashtrimin’ për të arritur synimet.
Në Bibël është dokumentuar një bisedë që ka ndodhur në qiell midis Satanait dhe Perëndisë. Nëse Satanai do të ishte e keqja brenda çdo personi, a do të kishte kuptim që Perëndia të fliste me një cilësi të keqe brenda vetes? A mund të ketë cilësi të këqija Perëndia kur ai është i përsosur dhe moralisht i patëmetë? (Ligji i përtërirë 32:4; Jobi 2:1-6) Kuptohet, Satanai ekziston dhe nuk është thjesht personifikim i së keqes.
PSE DUHET TË TË INTERESOJË?
Satanai do që ti të besosh se ai është një trillim, ashtu si një kriminel fsheh identitetin që të vazhdojë ta thyejë ligjin pa u zbuluar. Për t’u mbrojtur nga Satanai, së pari duhet të pranosh se ai ekziston.
Ku jeton Satanai?
«Mjerë ti tokë . . . sepse Djalli zbriti ndër ju.»
—Zbulesa 12:12.
ÇFARË THONË NJERËZIT?
Shumë njerëz besojnë se Satanai banon në ferrin e zjarrtë, në qendër të tokës. Disa të tjerë janë të mendimit se ai ekziston brenda njerëzve të këqij.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Satanai është krijesë frymore, prandaj jeton në botën e padukshme. Për një periudhë kohe, Satanai u lejua të lëvizte lirisht atje ku rrinte Perëndia me engjëjt besnikë. (Jobi 1:6) Por tani është dëbuar nga prania e Perëndisë dhe është kufizuar në afërsi të tokës së bashku me engjëjt e ligj.
A do të thotë kjo se Satanai banon në një vend të caktuar në tokë? Për shembull, mund të kesh lexuar se qyteti i lashtë i Pergamit quhej vendi ‘ku banonte Satanai’. (Zbulesa 2:13) Faktikisht kjo shprehje nënkupton se atje mbizotëronte adhurimi satanik. Satanai nuk jeton në një vend specifik të tokës. Për këtë, Bibla thotë se «gjithë mbretëritë e tokës së banuar» i përkasin atij.
A mund t’u bëjë keq ose t’i mbajë nën kontroll Satanai njerëzit?
«E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.»
—1 Gjonit 5:19.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Shumica e njerëzve i janë dorëzuar ndikimit mashtrues të Satanait, dhe kështu janë nën pushtetin e tij. (2 Korintasve 11:14) Ky fakt na ndihmon të kuptojmë pse njerëzimi s’ka arritur të përmirësojë kushtet botërore.
Në Bibël janë dokumentuar edhe raste ekstreme, ku Satanai ose demonët i kanë pushtuar njerëzit dhe u kanë bërë keq.
Ç’MUND TË BËSH?
Nuk ke pse t’i frikësohesh pushtetit të Satanait. Që të mos hysh nën ndikimin ose kontrollin e tij, duhet të dish si i manipulon ai njerëzit. Në këtë mënyrë nuk do të jesh «në padije të intrigave të tij.» (2 Korintasve 2:11) Po të lexosh Biblën, do të marrësh njohuri jetësore për taktikat e Satanait, dhe kështu nuk do të biesh viktimë.
Hidh çdo gjë që ka lidhje me demonët. (Veprat 19:19) Këtu përfshihen hajmalitë, botimet, videot, muzika dhe programet kompjuterike që përkrahin spiritizmin ose fallin.
Bibla thotë: «Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.» (Jakovi 4:7) Në rast se u bindesh këshillave të mençura të Perëndisë, do të mbrohesh kundër intrigave të liga të Satanait.