Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Si të falësh?

Si të falësh?

VËSHTIRËSIA

Kur ti dhe bashkëshorti grindeni, shpesh nxirrni gjithë hatërmbetjet e vjetra, të cilat duheshin sheshuar kohë më parë. Ku qëndron problemi? Njëri ose të dy mund të mos dini si të falni.

Por mund të mësosh. Prandaj, në fillim shqyrto pse burri dhe gruaja mund ta kenë të vështirë të falin njëri-tjetrin.

PSE NDODH?

Pushteti. Disa burra dhe gra nuk falin që të kenë njëfarë pushteti mbi bashkëshortin. Kështu, kur lind një debat, përdorin një ngjarje të së shkuarës si pretekst për të marrë situatën në kontroll.

Mëria. Vragat e së shkuarës mund të kërkojnë kohë që të shërohen. Njëri nga bashkëshortët mund të thotë të kam falur, por mban mëri për atë që ka ndodhur, ndoshta duke pritur të marrë hak.

Zhgënjimet. Disa martohen të bindur se martesa do t’u shkojë si në përralla. Kur lindin mosmarrëveshje, ngulin këmbë t’u dalë e tyrja dhe habiten si është e mundur që njeriu ideal i jetës mendon ndryshe. Kur pretendojmë gjëra përtej realitetit, priremi më shumë të gjejmë të meta, sesa të falim.

Keqkuptimet. Shumë të martuar nuk falin sepse e keqkuptojnë çfarë përfshin ajo. Për shembull mendojnë:

Nëse e fal, po e zvogëloj gabimin.

Nëse e fal, më duhet ta harroj çfarë ndodhi.

Nëse e fal, do të bëjë më keq.

Në të vërtetë falja nuk ka të bëjë me asnjërën nga këto. Gjithsesi të falësh mund të jetë e vështirë, sidomos në lidhjen e ngushtë burrë e grua.

Ç’MUND TË BËSH?

Kupto çfarë përfshin të falësh. Në disa raste, në Bibël «të falësh» do të thotë «të lësh të kalojë». Prandaj falja nuk nënkupton gjithnjë se duhet të harrosh çfarë ndodhi ose ta zvogëlosh gabimin. Ndonjëherë do të thotë thjesht ta lësh të kalojë një çështje, për të mirën tënde dhe të martesës.

Kupto pasojat kur nuk fal. Disa ekspertë thonë se, kur mban mëri, vihesh nën rrezikun e një sërë problemesh fizike dhe emocionale, përfshirë depresionin dhe tensionin e lartë të gjakut​—pa përmendur dëmin që i sjell martesës. Jo më kot Bibla thotë: «Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht.»​—Efesianëve 4:32.

Kupto dobitë kur fal. Nëse je i gatshëm të falësh nuk do të dyshosh për motivet e tjetrit dhe nuk do të mbash llogari të keqen. Nga ana tjetër, kjo do të të ndihmojë të krijosh një ambient që e mban nën fre mërinë dhe e lejon dashurinë të lulëzojë.​—Parimi biblik: Kolosianëve 3:13.

Ji realist. Do ta kesh më të lehtë të falësh po ta pranosh bashkëshortin për atë që është, me të mirat e të këqijat. Libri Si ta shpëtosh martesën? (Fighting for Your Marriage) thotë: «Kur e mban mendjet tek ajo që nuk ke, harron kollaj atë që ke. Te cilat gjëra dëshiron të përqe­ndrohesh në këtë pikë të jetës?» Mos harro se asnjë nuk është i përsosur, as ti.​—Parimi biblik: Jakovi 3:2.

Ji i arsyeshëm. Herën tjetër që do të lëndohesh nga një fjalë a sjellje e bashkëshortit, pyet veten: «A është kaq e rëndë? A duhet të pretendoj që të më kërkojë falje apo ta lë të kalojë e të shoh përpara?»​—Parimi biblik: 1 Pjetrit 4:8.

Kur është e nevojshme, fol. Me qetësi shpjego çfarë të lëndoi dhe pse. Mos i vish motive të këqija ose mos bëj pohime të forta, pasi kjo vetëm sa do ta vinte bashkëshortin në mbrojtje. Mjafton të shpjegosh si je ndier nga veprimet e bashkëshortit.