Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

Mediat—A janë të besueshme?

Mediat—A janë të besueshme?

SHUMË njerëz nuk kanë besim të plotë te lajmet që lexojnë a dëgjojnë në media. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, në një anketë të bërë nga Gallup në vitin 2012, u pyetën njerëzit se «sa besim» kishin në saktësinë, paanshmërinë dhe plotësinë e lajmeve të raportuara në gazeta, televizione dhe radio. Nga 10 të anketuar, 6 u përgjigjën ose «jo shumë», ose «aspak». A është e justifikuar kjo mungesë besimi?

Shumë gazetarë e organizata për të cilat ata punojnë, janë shprehur se bëjnë çmos të japin lajme të sakta dhe informuese. Megjithatë, ka faktorë që ndikojnë te saktësia e tyre. Le të shohim disa prej këtyre faktorëve:

  • MANJATËT E MEDIAVE. Një numër i vogël korporatash mjaft të fuqishme janë pronarë të mediave të rëndësishme. Këto media ushtrojnë një ndikim të fuqishëm se çfarë lajmesh do t’i serviren publikut, si do t’i serviren dhe sa bujshëm. Ngaqë shumica e korporatave kanë qëllim kryesor fitimin, vendimet e marra nga mediat mund të motivohen nga interesat ekonomike. Nëse një lajm mund të bëhet pengesë për fitimet e pronarëve të një institucioni lajmesh, atëherë mund të mos raportohet.

  • QEVERITË. Shumë nga ato që dëgjojmë e lexojmë në media, kanë të bëjnë me politikanë dhe çështje qeveritare. Qeveritë duan t’i bindin masat e gjera të mbështetin politikën dhe përfaqësuesit e tyre. Ngaqë media merr material nga qeveria, gazetarët dhe burimet qeveritare ndonjëherë bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

  • REKLAMAT. Në shumë vende, mediat duhet të fitojnë të ardhura që të mos falimentojnë, dhe shumë prej këtyre sigurohen nëpërmjet reklamave. Në Shtetet e Bashkuara, revistat nxjerrin 50-60 për qind të të ardhurave nga reklamat, gazetat 80 për qind dhe televizionet e radiot private 100 për qind. Kuptohet, reklamuesit nuk duan të sponsorizojnë programe që i nxjerrin në dritë negative produktet dhe metodat e tyre administruese. Nëse nuk u pëlqen puna që bën një media, atëherë shkojnë gjetkë. Për këtë arsye, kryeredaktorët mund të heqin ato lajme që i nxjerrin në dritë negative sponsorët.

  • MASHTRIMI. Jo të gjithë gazetarët janë të sinqertë. Disa i shpikin lajmet. Për shembull, disa vjet më parë një gazetar në Japoni donte të dokumentonte se si palombarët po dëmtonin koralet në Okinavë. Ngaqë nuk gjeti korale të dëmtuara, i prishi vetë dhe u bëri fotografi. Edhe fotografitë mund të manipulohen për të mashtruar publikun. Teknologjia e transformimit të fotografive ka avancuar shumë, dhe disa manipulime janë gati të pamundura për t’u kuptuar.

  • SHTREMBËRIMET. Edhe kur faktet janë të pakundërshtueshme, mënyra si paraqiten varet nga gjykimi i gazetarit. Çfarë duhet përfshirë në një lajm dhe çfarë duhet lënë jashtë? Për shembull, një skuadër futbolli mund të ketë humbur një ndeshje me dy gola diferencë. Ky është fakt. Por arsyeja pse e humbi ndeshjen, kthehet në një përrallë që gazetarët e tregojnë si të duan.

  • CUNGIMI. Gjatë organizimit të fakteve për të krijuar një lajm të bujshëm, gazetarët shpesh lënë jashtë hollësi që do ta ndërlikonin çështjen e do ta linin të pazgjidhur. Kjo bën që disa fakte të fryhen e disa të reduktohen. Ngaqë spikerët dhe reporterët e televizionit ndonjëherë duhet ta përmbledhin një lajm të ndërlikuar pak a shumë në një minutë, mund të lënë pa përmendur hollësi të rëndësishme.

  • KONKURRENCA. Dhjetëvjeçarët e fundit, ndërsa numri i stacioneve televizive shumëfishohej, koha që një teleshikues kalonte vetëm para një stacioni, ra ndjeshëm. Që të tërhiqnin teleshikuesit, stacionet e lajmeve ishin të detyruar të ofronin diçka unike dhe zbavitëse. Duke folur për këtë ndryshim, një libër (Media Bias) pohon: «Lajmet [televizive] u bënë një shfaqje me pamje të pandërprera, me imazhe tronditëse ose intriguese, dhe u shkurtuan për t’u përshtatur me kohën e përqendrimit [super të shkurtër] të teleshikuesve.»

  • GABIMET. Edhe gazetarët njerëz janë dhe pa dashje bëjnë gabime. Një gabim ortografik, një presje jo në vendin e duhur, një gabim gramatikor, mund ta shtrembërojnë kuptimin e një fjalie. Faktet mund të mos kontrollohen me kujdes. Edhe numrat mund të ngatërrohen në nxitim e sipër për të mbaruar diçka brenda afatit, për shembull në vend të 100.000 një gazetar mund të shkruajë 10.000.

  • HAMENDËSIMET E GABUARA. Të japësh lajme të sakta nuk është aq e lehtë sa mendohet. Ajo që sot mund të duket fakt, nesër mund të vërtetohet që është e gabuar. Për shembull, dikur mendohej se toka ishte në qendër të sistemit tonë diellor. Tani e dimë se toka rrotullohet përreth diellit.

Duhet ekuilibër

Vërtet nuk është e mençur të besojmë çdo gjë në lajme, por nuk është e thënë që nuk i duhet zënë besë asgjëje. Sekreti mund të jetë një skepticizëm i ekuilibruar dhe mendje e hapur.

Bibla thotë: «A nuk i peshon veshi fjalët, si shijon qiellza ushqimin?» (Jobi 12:11) Ja disa këshilla që do të të ndihmojnë të peshosh fjalët që dëgjon e lexon:

  • RAPORTUESI: A e jep lajmin një person ose organizatë e besueshme? A shquhet programi ose botimi për seriozitet apo ka për qëllim të bëjë bujë? Nga kush financohen ata që e japin lajmin?

  • BURIMI: A ka prova që lajmi bazohet në kërkime të thella? A bazohet vetëm në një burim? A janë burime të besueshme, të paanshme dhe objektive? A janë të ekuilibruara apo janë zgjedhur për të paraqitur vetëm njërën anë të medaljes?

  • QËLLIMI: Pyet veten: «A jepet si lajm kryesisht për të informuar apo për të argëtuar? A ka për qëllim të shesë ose të përkrahë diçka?»

  • TONI: Kur toni i përdorur në një lajm është i ashpër, dashakeq ose tepër kritik, kjo do të thotë se është një sulm dhe jo një argument racional.

  • KOHERENCA: A përputhen faktet me ato në lajmet ose artikujt e tjerë? Nëse bien ndesh me njëri-tjetrin, ki kujdes!

  • SAKTËSIA KOHORE: A është informacioni aq i kohëve të fundit, sa për të qenë i pranueshëm? Diçka që mund të ketë qenë e saktë 20 vjet më parë, mund të mos jetë e besueshme sot. Nga ana tjetër, nëse është një lajm i fundit, informacioni mund të mos jetë i plotë dhe gjithëpërfshirës.

Si përfundim, a janë të besueshme mediat? Solomoni na dha një këshillë të mençur kur shkroi: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.»Proverbat 14:15.